Narzine Bani Hashem - NË AJËR JAM

Narzine Bani Hashem - NË AJËR JAM
Poetja nga Libani
Dr. Narzine Bani Hashem ka lindur nē Liban. Ajo është poete, shkrimtare, skenariste dhe producente televizive. Ajo është gjithashtu Drejtoreshë e të përjavshmes Al - Nukhba, Kryetare e Bordit të Drejtorëve dhe Kryeredaktore. Është themeluese dhe Kryetare e Bordit të Drejtorëve të Federatës Ndërkombëtare për Paqe. Është gjithashtu Themeluese dhe Kryetare i Bordit Drejtues të Unionit të Krijuesve Elitë Arabë. Është Themeluese dhe Presidente e Administratës së Federatës Botërore dhe Librit. Ajo është gjithashtu Presidente e Federatës Ndërkombëtare të Lordëve Hashemitë (Kryeministre e Qeverisë së Khanatit Tartar të Hordhisë së Artë në Mërgim).
 
NË AJËR JAM

Unë lexoj letrat e tua të gjata
e përqafoj si një dru plumbin
midis gishtit tim tregues dhe gishtit të madh
Rimat më bartin ndër shenjtorë
si një virgjëreshë
ndaj e shijoj këtë magji
në errësirën time
sikur të jem nëna e yjeve
në qiellin tim
teksa shoh muzgun tim të trishtuar
imagjinata pothuajse zbehet
nga shkëlqimi im
e unë marr pendët e mia
për të shkruar frymëzimin tim
lindur nga brinja e fisnikëve të mi
me mençuri mbjell besnikërinë time
mbaj retë e mendimeve të mia
nga lëkundjet e hapave
për të kaluar qemerët
e kështjellës drejt ballkonit tim
për të hipur mbi tapetin e imagjinatës sime
bashkë me ëndrrat e mia.
I afrohem dhe më prek
e më shpie në lartësi
tej, larg objekteve të pajetë
në mënyrë që drita ime të shkëlqejë
në shikimin tim nëpër detet e largëta
ku shikoj dhe vështroj anijet e të dashuruarve
humbur diku në hapësirë
kështu që unë mbështetem në një re
me psherëtimat e mia ul kokën
dhe zemra ime mbushet
plot me nostalgji të varrosur
vezulluese si një shkëndijë
e ndriçoj errësirën e universit
me rrezet e mia të shpërndara
duke përshkuar shpirtin
si një mjegull argjendi
e duke përqafuar rrezet e mia të ngrohta
që përshkojnë mallin
në shpërthimin e dëshirave të mia
për të ftuar dashurinë
në gjumin tim.
E ndjenjat e mia pëshpërisin
me psherëtimat e mia
në një thirrje për të dashurin tim.
Oh ti! O pronar i shpirtit që ma zapton
më çliro nga mpirja dhe më jep ujë
e më gëzo me frymëmarrjen tënde të ëmbël
dhe zbrit nga dallgët e distancave
e bashkohu me mua
që nata të na rilindë sërish.
Largohu nga ajo tkurrje orësh
le të zhvishemi dhe të notojmë
derisa të mbarojë koha në krahët e qiellit
pa e llogaritur jetën tonë.
Të përjetshëm do të mbetemi
për një prekje të buzëve të mia.
Marrëveshjet prishen
nga sakrifica e dashurinë sime
teksa ta shfaqa.
Të përgëzova dhe buzëqeshe
e sytë të shkëlqenin
ndër sytë e mi që zgjohen
dhe shikimet u fundosën
me padurim ëmbëlsisht
në pjesën tjetër të jetës sime.
Lumturia ime e dashurisë
ku profumi i frymës tënde
përndizet nga aroma ime.
Një flakë e ngadaltë që digjet në shkëndija
në thellësi në horizont
e larg notojmë
aty ku nuk ka qenie njerëzore
dhe me rrezet e mia përshkoj sërish Universin.
Nuk ka vend për t'u dekurajuar
apo dëshirë për të folur
keqdashja e mendjes dhe e shpirtit
që pas teje humbet.
Zemra jote nuk merr udhë
që ndriçimin tim lart ta ngrej apo ta ulë
teksa ti zhytesh në hiç drejt boshllëkut
aty ku malli të tërheq sprapthi
më kërkon në vorbullën e kaosit
e mëshirë kërkon nga unë
ylli im i lartësive
nga përjetësia deri në përjetësi.
Dhe si rrugëdalje
ne do të ndajmë vetminë tonë
në tokë, nën pemë, në dritën e hënës
ku ti gjithçka më jep dhe unë të jap
Dashuri!
Në gjumë bie me të Lumturia dhe aroma
ndaj na pushton rebelimi
dhe shpirtin na mbërthen.
Unë të rrethoj me flokët e mi
nxjerr frymëmarrjen time
e vështroj në sytë e tu
që janë të tejngopura
me gjakun dhe ëndrrat në kërkim të përjetësisë
për një flakëz nga ky zjarr
teksa përpihem në vullkanin tim
dhe i dorëzohem valëve të prushit.

Përktheu Angela Kosta shkrimtare, poete, përkthyese, publiciste dhe
Zv. Kryeredaktore në Albania Press.