Dafina Roka - CIKËL POETIK
(Nga vëllimi poetik “Fjalë zemre”)
TI U RRITE BIRI IM
Vitet ikën e ti u rrite
zemra e mallit tim!
Por, kjo është vërtet një çudi!
Përse syri im të shikon çdo herë si fëmijë?
Të ndjek me vrap me njëqind porosi
Më përgjigjesh: e di të njëjtat i thua ti!
Ti nuk e di biri im që bota sillet rreth stuhive
që duan të të përpijnë.
Botën engjëllore ruaje se të ka nëna shpirt!
Mos shkel njeri as mos e qesh askënd për ves.
Fal dashuri dhe mirësi
në rrugët që vetëm jeta di të të përcjellë!
Mos e kthe kurrë dorën që të afrohet për ndihmë
tek ti shikon mirësinë,
lumturoje, për hir të nënës
që të dhuroi një jetë me sakrificë.
MREKULLI
Flluska të kristalta
lajmërojnë jetë
në thellësinë e detit
një turmë brohoret
vallëzon një sirenë
juria mban fenerë
trup qëndisur
kurorë me margaritarë
shpërblim për vals
mrekullia në thellësi
dritë në pafundësi
deti duket si qiell
reflektim yjesh
në detin e qetë.
Përpëlitet valë e qetë
marinari magjepset
hipnotizim sirenash
deti kërkon jetë!
LARGOJE MASKËN
Ndjej urrejtje
po, mos u befaso
të gjithë bartin maska
Nuk e njoh më askënd
lodhja më bën shoqëri
mike e zemrës
i zhgënjyer
shpirti im.
Urrejtjen nuk e njoha
e mësova nga ju.
Ndjej urrejtje,
trishtim
mos u befaso
largoje maskën,
shiko veten në pasqyrë,
mos u tremb
as mos u trishto
as mos u befaso
kur ajo të pështyn
në fytyrën tënde
të fshehur në dinakëri
ajo nuk gënjen
të shfaq ashtu siç je.
Jeton për të tashmen
në botën e dhuruar si bekim
e shndërruat në zhgënjim,
trishtim.
Botë e interesit
mbete për përfitim
fundin e ke
nga maskat
në fytyrat e dinakërisë.
SHPRESË
Shkumë e kthjellët
Valëvitet ndër valët e detit.
Dallgët e magjishme
Sjellin margaritarin e ruajtur
Në guacën e shpresës.
Sjell fat menduan disa
Lumturia vrapoi
Mendoi të triumfojë.
U lodh dhe etja e mundoi
Dorën e zgjati
Margaritar rrëshqitur në baltë.
E harroi vlerën
Thellësia e mashtroi
Pika e ujit e shpëtoi.
Një falënderim
Kthimi është i bukur
Në thellësinë e detit të magjishëm
Fat në shpresën e humbur.