Bujana Xhindoli - PLEPAT E HARLISUR

Bujana Xhindoli - PLEPAT E HARLISUR
PLEPAT E HARLISUR
 
Zhurma e thatë e derës së vjetër, mosvajisur prej kohësh, hapur lehtë prej dorës tënde, më bën të kuptoj se je ti. Po, po je ti! Sepse vetëm ti mund të ngrihesh kaq herët, të thithësh lagështinë e agut, të shohësh sytë e përgjumur të mëngjesit dhe presësh që dielli të veshë këmishën e tij të kuqe. E njoh këtë ritual prej më shumë se tridhjetë vjetësh, që prej kohës kur njoha se qënia ime ishte dhuratë.
Kur të shoh mëngjeseve, kuptoj sesa shumë mendime vrapojnë në kokën tënde. Më të guximshmet kapërthehen me njëra-tjetrën; disa dalin prej flokëve, marrin aromën tënde, përqafojnë dhe, ashtu të bëjnë shoqëri gjatë ditës. Këtë arrij të shoh, por jo ta besoj se mund të ndodhë në të vërtetë.  Planet e tua për ditën gjithmonë janë kapriçoze; një ditë nuk i ngjan tjetrës. 
Mbaron ritin me shërbimet e mëngjesit, fik cigaren që e pi deri në fund, ngrihesh dhe nuk e kupton se pas teje është dikush që të vështron- jam unë! Edhe kur s’të jam pranë, imangjinoj ato që ti bën. Kam pasur uri për siluetën tënde. Ajo humbte në rrugën e gjatë, stolisur nga kurora e plepave. Fantazisë sime kohë pas kohe i kam thënë “plepat e harlisur dhe rrugën e gjatë e ke bërë ti”. Se mos vetëm kaq, gjithçka që unë shihja dhe prekja ishte bërë nga duart e tua.   
Ishte kjo arsyeja që unë të shihja shumë rrallë. Janë disa vite të jetës sime ku s’mund të të gjej ty. Po, po, ndaj edhe të quanin shpesh ‘njeriu i natës’. Ti dilje nga shtëpia në të gdhirë dhe ktheheshe kur nata kishte rënë në shtratin e saj për të fjetur, ndërsa ti ishe në kërkim të mundësive që s’kishe dhe në ruajtje të atyre që kishe. Doje më shumë liri. Barbarisht ta morën dhunshëm! Kishe uri për hapësirë - ishte e të gjithëve dhe nuk e gëzonte askush! Kërkoje qeti shpirtërore - kur nuk e gjen askund e kërkon gjithkund! 
Para shumë vitesh të pyesja “po përse do të ikësh”. Me të gjithë kuptoheshe me vështrime dhe jo me fjalë. Shpesh ti thoje “fjalët e tepërta janë punë e të papunit”. Ti shkon e vjen, pastaj thua “nuk do të iki jo...” Bab, e gjete atë që kërkoje? Ke pasur ndonjë ditë që nuk ke rendur, por vetëm ke fjetur, pa kuptuar se ka qenë mëngjes apo darkë? Ia ka vlejtur gjithë kjo jetë, që vetëm të ka marrë pa të dhënë asgjë si shpërblim? 
Asgjë bab, asgjë… Kur pjesa kurioze e vetes sime të zgjohet ndonjë çast dhe të më pyesë për ty, do t’i them të pushojë dhe të dëgjojë se: plepat e harlisur dhe rrugën e gjatë e ke bërë ti. Gjithçka që unë jam është prej atit tim!
 
Shënim: “Plepat e harlisur” është vlerësura me çmimin e tretë, në konkursin letrar “Tetova feston nëntorin” (nëntor 2013).
 
Nga: Bujana Xhindoli (Toska)