TRI DËSHIRAT E PYLLIT
Antologji poetike
Përgatiti: Gjon Fierza
Ndihmuan në përzgjedhjen e poezive:
Irma Kurti
Namik Selmani
Spasse Thanasi
Ermal Fierza, përshtati ilustrimin grafik
2026
HYRJE
Njeriu dhe poezia kanë një lidhje të thellë dhe të hershme, e cila buron nga nevoja e tij për të shprehur ndjenjat, mendimet dhe përvojat jetësore. Poezia është një formë arti që ka shoqëruar njeriun që nga lashtësia, duke i shërbyer si një mënyrë për të komunikuar me botën, për të reflektuar mbi ekzistencën dhe për të shprehur bukurinë apo dhimbjen e jetës.
Nëpërmjet poezisë, njeriu ka përjetësuar dashurinë, natyrën, historinë, filozofinë dhe shpirtin e kohës në të cilën ka jetuar. Ajo është një pasqyrë e ndjenjave më të thella njerëzore dhe një mjet për të kapërcyer kufijtë e zakonshëm të gjuhës së përditshme. Poezia ka fuqinë të prekë zemrat e njerëzve, të frymëzojë dhe të ngjallë emocione të fuqishme.
Ajo është gjithashtu një formë e lirisë shpirtërore, ku njeriu mund të shprehë mendime të thella dhe të sfidojë normat e shoqërisë. Në vargjet poetike, ndjenjat e gëzimit, trishtimit, shpresës dhe ëndrrave bashkohen në një harmoni që e bën poezinë një trashëgimi të çmuar të njerëzimit.
"Pylli" dhe poezia kanë një lidhje të ngushtë, pasi pylli shpesh është një motiv i fuqishëm në letërsi dhe poezi. Në varësi të kontekstit, ai mund të simbolizojë:
Misterin dhe të panjohurën – Pylli shpesh shfaqet si një vend enigmatik, i mbushur me sekrete dhe mundësi të fshehura.
Natyrën dhe qetësinë – Shumë poetë përdorin pyllin si një simbol të harmonisë me natyrën dhe paqes së brendshme.
Frikën dhe rrezikun – Në disa poezi, pylli përfaqëson një vend të errët, ku njeriu mund të humbasë ose të ballafaqohet me sfida.
Rrugëtimin dhe vetëzbulimin – Pylli mund të përfaqësojë një udhëtim metaforik të njeriut drejt vetëdijes ose transformimit shpirtëror
Janë tri fjalë që bashkohen në një datë. Janë tri fjalë që fuqishëm ndikojnë në jetën tonë drejtpërdrejti apo tërthorazi. Janë tri fjalë që i mësojmë që të vegjël, rritemi, jetojmë me ato dhe në moshë të thyer përsëri na bëjnë të ndjehemi më të ri. Mund të vazhdoj akoma për të thënë për ato tri fjalë, por përsëri nuk mund t'i thuash të gjitha për Pranverën, Pyllin dhe Poezinë. Është një datë që i bashkon dhe ju jep një kuptim të gjerë. Është 21 Marsi- dita e Pranverës, - dita botërore e Pyjeve dhe dita botërore e Poezisë. Është një përkasë e bukur kjo datë me këto tri ditë të shënuara që lidhën shumë me njëri tjetrën. Në pranverë të gjithë kemi frymëzim dhe ndjehemi pak poet. Në pyll tek shëtisim të gjithë ndjejmë kënaqësinë shpirtërore dhe bëhemi romantik. Në pranverë dhe në një mjedis pyjor, poetet e krijuesit e vërtetë realizojnë krijimet e tyre më të mira që të sjellin kënaqësi estetike dhe përcjellin emocione të paharruara.
21 marsi – Dita e parë e pranverës vjen pas muajve të gjatë të dimrit. Pranvera është një stinë me ajër të freskët, me shkëlqim dielli, me shumë lule dhe pemë të lulëzuara. Njerëzit ndjehen më të motivuar dhe më të lumtur, etj. Banorët dhe bimët e pyllit fillojnë e zgjohen me zhurma e cicërima me lule dhe gjethësim. Në pranverë në fshat ka shumë punë, njerëzit zgjohen më herët, shkojnë në ara dhe kopshte për të filluar mbjelljet e stinës, etj. Në qytete, në pranverë, njerëzit mbushin parqet dhe bulevardet, lulet dhe drurët zbukurues i japin jetë dhe freski.
21 mars - Dita botërore e Pyjeve, është shpallur me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuar më 28 nëntor të vitit 2012. Është Organizata e Bujqësisë e Ushqimit (FAO) si institucion përgjegjës organizator i kësaj dite. Çdo vit, në këtë ditë synohet për të ngritur dhe formësuar vetëdijen për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve, si dhe pemëve jashtë pyjeve, në dobi të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm. Në Ditën botërore të Pyjeve, vendet nxitën për të organizuar veprimtari vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare që përfshijnë pyjet dhe drurët pyjorë, siç janë fushatat për pyllëzime, mbrojtjen dhe përkujdesjen më të madhe për pyjet natyror, fushata informimi dhe ndërgjegjësimi, etj. Në çdo vit Dita botërore e Pyjeve ka një temë të caktuar.
21 mars - Dita botërore e poezisë, është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) që nga viti 1999. Dita botërore e poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve krijuese të secilit prej nesh. Në ditën botërore të Poezisë bëhet thirrje për të na mbajtur gjithmonë të paharruar “bukurinë që na rrethon dhe qëndrueshmërinë e shpirtit të përbashkët njerëzor”. Poezia është një ndër gjinitë letrare ku porosia e poetit shprehet me vargje dhe si e tillë ajo konsiderohet si lloji më i vjetër i krijimtarisë letrare.
Bëmë një parashtresë mësipër që lidhen më këtë botim. Dhurata e parë e natyrës për njeriun është pylli. Dimë gjithashtu që ndër krijimtaritë më të vjetra të njeriut është poezia. Janë këto lidhje që fillojnë që nga lashtësia, vazhdojnë, në ditët e sotme marrin një rëndësi akoma më të madhe.
Antologjia poetike që ju keni në duar, është një përpjekje për të përmbledhur ato poezi që janë shkruar për pyjet, drurët dhe banorët e pyjeve, për natyrën me male, lumenj e kodra; për vendlindjet, për jetën në vendet ku flitet shqip. Titulli është përzgjedhur nga një prej poezive në këtë botim, që ka qenë dhe motivi im për të filluar në grumbullimin e këtyre poezive .
“Tri dëshirat e pyllit” është një poezi e shkruar që në vitin 1949 dhe botuar në revistën “Bujku i ri’’ “Tri dëshirat e pyllit”, është një poezi e shkruar disi ndryshe, është dialog midis pyllit dhe njeriut, një të dytë poezi si dialog unë nuk kam arritur të gjej dhe të jetë në këtë botim. Do të ishte mirë që ajo poezi të ishte dhe në tekstet shkollore dhe në botime të tjera njohëse dhe motivuese. Ju do lexoni poezinë dhe do zbuloni tri dëshirat e pyllit që i kërkon t’i plotësohen nga njeriu. Edhe dëshirat e pyllit janë në tri fjalë.
Në këtë antologji, do të gjeni poezi të shkruara nga poetë nga të gjithë tokat e shqiptarëve: nga Shqipëria, nga Kosova, nga Presheva e Maqedonia e Veriut, nga Çamëria e Mali i Zi dhe nga Kalabria. Disa nga autorët prej shumë vitesh jetojnë e punojnë larg atdheut por përseri ata shkruajnë për natyrën, për pyjet dhe jetën në Shqipëri.
Autorët e poezive, janë poet të traditës por dhe të ditëve të sotme, janë emra të njohur që studiohen në letërsi, por dhe autorë më pak të njohur por që kanë shkruar për tematikën e përzgjedhur. Poezitë në këtë antologji, janë nga shkruar dhe nga shumë poet të moshave të reja dhe kryesisht nga zonjusha por dhe zonja. Poezitë së shumti janë dërguar nga vetë autorët drejtpërdrejt, por dhe nëpërmjet njohjeve të ndërmjetme. Disa poezi janë marrë nga botimet në shtypin e shkruar dhe disa të publikuara në formë elektronike. Grupi i punës i përbërë nga poetë të njohur ka mbështetur dhe luajtur një rol të madh në dërgimin dhe përzgjedhjen e poezive. Është rasti të shpreh mirënjohje dhe falënderime pa masë në mbështetjen në realizimin e këtij botimi.
Renditja e poezive është bërë në një mënyrë të thjeshtë, përgjithësisht duke shkruar emrin e poezisë, kështu janë renditur nga kompjuteri, rrallë ka ndonjë përjashtim. Në përgjithësi janë përzgjedhur jo më shumë se tre poezi nga i njëjti autor (ka ndonjë përjashtim), me qëllim që të kemi një numër sa më të madh autorësh nga gjithë vendbanimet shqiptare.
Merr një rëndësi të madhe dhe njohja e poetëve nga njëri vend tek tjetri e sidomos të atyre që shkruajnë sot. Lexuesi në Kosovë duhet të njohë sa më shumë emra të autorëve nga Shqipëria. Lexuesi në Shqipëri të njohë emrat e poetëve nga Maqedonia, Presheva apo Mali i Zi. Nuk janë vënë të shkruara vendet e poeteve, por së shumti vetëkuptohen, teksa ti lexon poezinë.
Libri është ndarë në tre kapituj. I para përfshinë, poezi kryesisht për fëmijët. Në pjesën e dytë janë poezi për lexues nga 100 muaj deri 1000 muajsh. Në përmbyllje të botimit ka disa thënie në shqipe dhe anglisht për pyjet dhe natyrën. Libri ka në përmbajtje rreth 270 poezi me rreth 200 autorë. Ky botim ka si qëllim që të përçojë te lexuesit kryesisht tek të rinjtë, nxënës apo studentët ato vlera që ka natyra, vendlindja, pyjet dhe drurët në trojet mbarëshqiptare të shprehura nëpërmjet poezisë. Është koha, sot më shumë se kurrë, kërkohet vëmendje e shoqërisë, strukturave shtetërore në tërësi, për të mbrojtur, drurët dhe pyjet, natyrën dhe mjedisin në tërësi. Në përmbajtje të librit ka dhe poezi që përshkruajnë një shqetësim apo një dëmtim të vlera të natyrës dhe të mjedisit në përgjithësi.
Pyjet janë ndër burimet natyrore me një rëndësi të veçantë në jetën e njerëzimit, si faktori kryesor që ndikon në mbrojtjen e planetit nga ndotja dhe ndryshimet klimatike. Pyjet janë burim i jetës në tokë dhe i njerëzve që jetojnë në të. Ato tri dëshira që ka pylli, njeriu lehtë mund dhe duhet t'i plotësojë. Diku thuhet: “Pylli mund ti qëndrojë çdo fuqie të natyrës. Ai i pafuqishëm është vetëm përballë një armiku, ky është njeriu”. Sot kërkohet një punë e madhe edukuese dhe informuese që pyjet dhe natyrën në tërësi, t'i njohim, t'i mbrojmë dhe t'i shtojmë ato. Njeriu, nga armik i pyllit duhet të kthehet një mik i atij. Planeti me njerëzit, pa pyjet nuk mund të jetojnë. Pyllin me drurët dhe banorët e tij, malet dhe fushat, vendlindjen duhet ti duam, të mos i braktisim dhe kjo dashuri duhet vazhdojë me përkujdesje dhe mirëmbajtje të tyre.
Kush jam unë që përgatita këtë antologji? Në rrethet krijuese dhe letrare i panjohur, pasi nuk jam krijues në poezi dhe prozë. Edhe ndonjë poezi e shkruar në vite, ka mbetur ne blloqet në sirtar. Njihem me disa krijues, kryesisht bashkohësit që në vitet studentore apo në veprimtarinë e mëvonshme. Në mjedisin e specialistëve të pyjeve jam një emër i njohur për veprimtarinë e gjatë si pylltarë, por dhe disa botime që lidhen me pyjet dhe pylltarinë shqiptare në vite, botime për zonat e mbrojtura, etj. Jeta ime gati 50 vjeçare e lidhur me pyjet në veçanti dhe me natyrën në përgjithësi erdhi duke u formësuar nga dijet dhe kultura që mora si nxënës dhe student për të fituar një profesion, në vitet e punës në pyje dhe me njerëzit u shndërrua në pasion.
Unë shoh tashmë kur jam në profesion të lirë (pension) aq sa kam bërë me gjithë përkushtimin tim nuk mjafton. Të punosh për pyjet dhe natyrën, për vijueshmërinë e tyre në shërbim të njerëzimit sot dhe mot, duhet konsideruar si mision. Këtë nuk e arrita unë. Kjo antologji poetike me përmbajtjen që ju do lexoni është një përpjekje për diçka më shumë, për të motivuar brezat më të rinj dhe nëpërmjet poezive të përzgjedhura për ju.
Si një përpjekje e parë për një botim të tillë, pa një përvojë për ndërmarrje të tilla, sigurisht mund të vihen re të meta dhe mëngjesi. Mund të mos jenë vënë këtu dhe qindra poezi të qenësishme në plotësim të tematikës dhe dhjetëra poetë të tjerë të merituar mund të përfshiheshin. Le ta konsiderojmë këtë antologji poetike si vëllimi i parë, në vite të botohen vëllime të tjera deri në krijimin e një kolane. Poetët gjithnjë do shkruajnë; për natyrën, pyjet dhe drurët, malet dhe fushat, pra gjithmonë do ketë krijime që të japin kënaqësi dhe shumë mesazhe.
Në mbyllje të kësaj hyrje; është thirrja që ju bëj: të rinjve, kolegëve të mi të sotëm dhe atyre pas tyre, të gjithë atyre që e duan natyrën me pyje, që punojnë për to, nuk mjafton të mësoni e të fitoni një profesion, puna juaj duhet jetë largpamëse, duhet konsideruar si një mision. Të gjithë ata që e duan natyrën i ftoj që krahas punës të lexojnë dhe të shkruajnë sa më shumë poezi. Më shumë do njihni dhe vlerësoni jetën, më e lumtur do jetë ajo për ju.
Gjon Fierza, inxhinier pyjesh