AKADEMIA E PARË USHTARAKE E UÇK-së

AKADEMIA E PARË USHTARAKE E UÇK-së
THEMELIMI I AKADEMISË SË PARË USHTARAKE TË UÇK-së
Açarevë, 18 mars - 22 prill 1998
 
Duke e pa të nevojshme dhe të arsyeshme, Bekim Berisha-ABEJA bashkë me Kadri Hamitin, Sylejman Selimin e udhëheqës tjerë ushtarak të UÇK-së filluan t'i grumbullojnë ushtarët luftëtar që ishin të dëgjueshëm, të përgatitur, të sjellshëm e të rinj për të filluar ushtrimet profesionale ushtarake teorike e praktike. Kështu më 18 mars të vitit 1998 në Açarevë të Drenicës filloi punën Akademia e parë Ushtarake e udhëhequr nga Bekim Berisha, strateg dhe luftëtar i luftërave çlirimtare në të gjitha luftërat e ish Jugosllavisë.
Më 22 prill 1998, nga kjo Akademi dolën kadetët e parë të Akademisë ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur Bekim Berisha-ABEJA propozonte, Komandant Sylejman Selimi i mirëpriste propozimet, duke i zbatuar praktikisht. Këta luftëtar me përvojë ishin çdoherë në përkrahje të komandantëve, deri sa çdo ushtar i Njësitit “Shkoza” dhe komandanti i tyre, i respektonin dhe e çmonin punën e tyre, i konsideronin bashkëluftëtar, shokë e së fundi ishin të lidhur si vëllezër të një gjaku. Në mëngjesin e datës 18 mars 1998, ishte bërë regjistri i disa ushtarëve të UÇK-së, të gjithë të rinj, të dëgjueshëm dhe me plot energji.
Kjo filloi së pari me ndërtimin e poligonit, duke mos i përjashtuar as ushtrimet teorike që mbaheshin çdo ditë në shkollën e fshatit. Puna zhvillohej sipas planit dhe programit të propozuar nga Bekim Berisha dhe eprorë tjerë të UÇK-së. ABEJA ishte i kënaqur me ecurinë e ushtrimeve,
edhe pse në ndonjë rast i nervozuar, por përfundimisht puna shkonte sipas planit dhe ushtrimet teorike e praktike po shkonin sipas parashikimeve të Bekimit, Sylejmanit e të Kadriut. Udhëheqës i këtyre kadetëve u emërua Hysni Shabani, i cili gjatë krejt kohës ishte përkrah Kadri Hamitit, derisa më vonë u gradua me gradën Kapiten. Pas ushtrimeve disa ditore dhe teorisë mujore, erdhi dita kur kadetët e parë të Akademisë ushtarake të UÇK-së përfunduan edhe ushtrimet e fundit. Meqë ishin bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ngritjen e flamurit para Njësive të rregullta të UÇK-së, po atë ditë u graduan kadetët e parë të Akademisë dhe u themelua Brigada 111, e cila u emërtua me emrin e Kryekomandantit të UÇK-së “Adem Jashari” kurse Komandant i Brigadës u emërua Sylejman Selimi.
Në këtë tubim ceremonial, edhe pse në gjendje lufte, morën pjesë shumë komandant të UÇK-së si; Komandant Fehmi Lladrovci, i cili me bashkëshorten e bashkëluftëtaren e tij Xhevë Lladrovci e ngritën flamurin, pastaj Sami Lushtaku, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Xhavit Nura, Gani Thaqi, Musa e Sahit Jashari, Ilaz Dërguti, Zenë Prokshi, Jakup Nura, Ilaz Kodra etj. Majori Kadri Hamiti, i raportoi Komandant Sylejman Selimit, derisa të rreshtuar para tyre ishin kadetët e rinj të përgatitur ushtarakisht dhe në mënyrë profesionale.
U lexua një deklaratë dhe më pas edhe emrat e kadetëve që i kishte aftësuar Akademia e parë Ushtarake e UÇK-së. E tera kjo u manifestua me një program të shkurtër artistik, të përgatitur në rrethana lufte nga nxënësit e shkollës fillore të Açarevës, derisa në shërbim të Akademisë dhe të UÇK-së ishin edhe punëtorët e arsimit të shkollës fillore të fshatit Açarevë, duke kontribuar lirisë së vendit, duke mbajtur shënime, duke organizuar e ndihmuar në mbajtjen e ligjëratave teorike të kadetëve në shkollën e fshatit Açarevë, si; Ismet Hamit Rrahmani, drejtor i shkollës, pastaj Musli Haxha, sekretar, arsimtarët Fadil Shabani, Sylë Haxha, Naser Rrustemi, Ramosh Rrahmani e të tjerë që nuk iu ndanë asnjëherë luftës çlirimtare.
KADETËT E PARË TË AKADEMISË USHTARAKE TË UÇK-së
Hysni Shabani, kapiten,
Avni Haxha, kapiten,
Fadil Tahiri, toger,
Rasim Shala, toger,
Xhafer Haxha, toger,
Fatmir Hasani, toger,
Fatmir Jashari, toger,
Xhavit Selimi, toger,
Bekim Shala, toger,
Abit Zhabota, rreshter,
Shefqet Shala, rreshter.
 
Prishtinë-Açarevë, 2023
Nxjerrë nga Libri ditar “Udhët e sakrificave”
Dibran Fylli