Ann Christine Tabaka (Shqipëroi Irma Kurti)

Ann Christine Tabaka (Shqipëroi Irma Kurti)
ANN CHRISTINE TABAKA
 
Ann Christine Tabaka është nominuar për Çmimin Pushcart në Poezi në vitet 2017 & 2023; gjithashtu edhe për çmimin Dwarf Stars 2023 nga Shoqata e Poezisë së Fantazisë dhe Prozës Shkencore; është shpallur fituese e Konkursit të organizuar nga Spillwords Press, Botimi i vitit 2020; është përzgjedhur anëtare e jurisë për konkursin e poezisë Soundwaves të Irlandës së Veriut 2023. Biografia e saj është botuar në Enciklopedinë e Autorëve të rinj "Who's Who 2020" dhe "2021", nga Sweetycat Press. Ann Christine Tabaka është autore e 19 librave me poezi dhe 1 libri me tregime. Jeton në Delaware, SHBA. I pëlqen kopshtaria dhe gatimi. Ajo jeton me të shoqin dhe katër mace. Krijimet e saj janë botuar së fundi në këto gazeta dhe revista: Sand Hills Literary Magazine, The Phoenix, Eclipse Lit, Streetcake Experimental Writing Magazine, Carolina Muse, Ephemeral Literary Review, The Elevation Review, North Dakota Quarterly, West Texas Literary Review etj.
 
AJO ISHTE MUZGU
 
Ajo jetonte mes hijeve,
e mbrojtur nga drita.
Një qenie komplekse,
përtej mendimit të njohur.
Nata thërriste emrin e saj.
Ajo shëtiste jashtë,
kërkonte hënën,
e mbështjellë me shkëlqimin e bardhë,
në majë të gishtave ecte nën dritën e yjeve.
Ëndrrat ishin shoqëruesi i vetëm i saj
teksa endej pas mesnatës.
Ajo shihte gjëra që askush tjetër nuk mundej,
dhe shqiptonte fjalë që askush nuk i dëgjonte.
Realiteti hidhte një perde rreth saj,
duke e mbrojtur nga frikërat.
Ajo nuk mund të zotërohej,
ajo nuk mund të zbutej.
Ajo ishte Muzgu vetë.
 
AI IKU LARG
 
Ai iku larg
duke u kthyer mbrapsht në qiell,
nata përthyhej rreth tij.
 
Emri im i pikonte nga buzët.
Nuk ekzistonte më: ne të dy.
 
Lumenjtë pushuan së rrjedhuri,
u thanë përgjatë brigjesh të shkatërruara.
 
thellësitë e vetmisë
zgjateshin për të na tërhequr me duar.
 
Dikur ne e shtrëngonim njëri - tjetrin kaq fort
sa u shkrimë
në ngrohtësinë e një milion diejve.
 
Përjetësia copëzohet,
mbi të kaluarën e akullt pikon shi.
 
Ai nuk e ktheu më kokën pas.
Nata e përpiu të gjithin.
 
ORKIDEJA ËSHTË E PURPURT
 
Orkideja është e purpurt. Jeta ime është gri, konsumohet
në monotoni –  një kontrast i theksuar aq sa duhet. Mëngjese
me re mbushin filxhanin tim. I djeg buzët në krenari. Mbaj
në një çantë letre sot – një shportë të ndryshkur, të rezervuar
për ëndrrat. Asgjë tjetër s’ka rëndësi. Jeta është e zezë – krejt
pa ngjyrë. Thika nuk është mike, por shpëtimtare, që çrrënjos
mëkatin kanceroz. Fjalët më nuk përzihen, ndërsa orkideja
përkul kokën duke rrëzuar petale në dysheme. Lulet e thara
dhe mishi i skartuar pikturojnë një portret në rënie. Unë dua
ngjyrën e gjallë të jetës. Zgjas dorën drejt ngjyrës së purpurt,
dhe pranë zemrës sime e shtrëngoj. Duke dëshiruar vetëm të jetoj.
 
NJË MIJË VITE DRITE LARG
 
Yjet e largët, të mbajtura në duart tona,
një mijë vite drite më parë.
Në kërkim të arsyes për ekzistencë,
maska jonë venitet.
Duke rënë poshtë në një vrimë të zezë
në pafundësi, nocione abstrakte lindin.
Veten e gjejmë në një vizion dyshimi,
kthehemi në një kënd.
Asnjëherë nuk dimë, gjithmonë hamendësojmë,
thelbin e rrugës sonë.
Shumësia e së vërtetës
jep një dritë që na drejton.
Nuk ka përgjigje përtej diçkaje
apo pse-së. Asgjë për t’u konstatuar.
Qiejt shemben brenda kapjeve tona.
Yjet lindin dhe yjet vdesin,
ndërsa hutimi zë vend.
Ne jemi veçse fëmijë të qiellit,
që zgjaten drejt së ardhmes,
me yje të largët në duar.
 
 Përktheu nga anglishtja: IRMA KURTI