Ylli Pollogati - Cikël poetik

Ylli Pollogati - Cikël poetik
EJA...TI QË PO VONON!
 
Sytë, me ngjyrë loti i ngjeva
Dhe mbi zemër, 
Dashurinë e vërtetë shkrova 
Ku si flakë, shpirtit digjet.
 
Nuk doja të ishte e ikshme, 
si vazhdë varke, ujit
Ditëve, sytë ja lipja si sy përpirës,
ku brenda zemrës,
perëndinë e shoh.
 
E  bukur!
E thjeshtë!
Si degët e një peme
Ku më mbulojnë,
Si i zgjuar atij kurimi të
paharruar.
 
Ajo, tek unë lartohet
ngadalë, si nga një përgjumje e gjatë dimri.
Gjoksit të saj, rrahjet e zemrës time vesh i mbaj, 
Dhe ditët, orët në pritje, viteve i thërrmova.
 
Eja, ku je...?
Ti, që kaq shumë po vonon
Për këtë ëndërr i pashuar mbetem.
 
DO  PI!
 
Era një rruge më hodhi, ku lule blete erëmonte 
Pranë atij burimi,  
që buzët në cikje ti mpinte.
Aty ulem e nis të pi,
Me mjaltin e puthjeve, që vera m'i solli.
 
Natës i derdhem, me fëshfërimën e erës, ta mund, përtokë ta ulë!
Të qetë t'më lëj,
Të pi dua dhe fund të mos ketë.
Këngës, zërin në dridhje e lë!
Yjet, sytë m'i lozën, kur thirra, " E dua..."
 
E desha dhe e dua,
Si të vetmen e shpirtit
Dhe mbi sytë e saj bije të fle...
Një diell i vërtet që shpirtin më ngroh e në fluturim ndizem.
 
Se di ku isha, 
Dhe se lodha mëndjen, 
Por di, që  vitet këmbeheshin në numër
Dhe unë prisja t'më vinte me zjarrin e 
dashurisë së saj...
 
...Në ëndërr, puthur e përqafuar  ishim...
Gjoksit, strehë më kërkoi e më kishte pushtuar me forcën e mallit të pashuar...
 
...Vazhdoj të pi, për qefin tim e 
me qejfin e saj...
Vera e kuqe më derdhet buzëve e 
Nga të sajat buzë  më përthahen.
 
Ohh..., sa më afroi, 
Me afshin e vërtet të nurit të saj,
Dhe zëmra rrahu aq fortë sa gjoksin më theu!
 
Ajo puthje...ehh ajo puthje...,
Më djeg
Një djegie deri në dhimbje
Dhe syri tani, ret i ç'ponë
Me etje, diellin të prek.
 
MBI SYTË E SAJA DERDHEM!
 
Mbi sytë e saj,
thellësive derdhem,
Si deti fshehtas valën fut.
Betim për ata sy bëja..,
(Jo se i ka në ngjyrë, jeshil a bojëqielli),
Por për magjinë, 
që tek unë lëshojnë.
Era, mes mallit e ndjenjës, aromën e saj përkëdhel
Pranë e doja.., e 
kërkoj dhe nga pas më ndjek,
si të gjenim vargun e humbur të këngës tonë.
Nata, flokun e saj më kishte ngjitur, ku atij terri krihesh...!
Një vetëtimë, ëndrrës, errësirën flakëroj...
E treguan sytë 
dhe zërat e thanë, pa u dridhur.
Rebele është!
Gjurmëve të saja eci
Dhe dashuri lexoj...
Ku edhe mbi bardhësinë dimërore indet e nxehta  në zjarr i shpërthejnë.
Qetësisë së natës një krisje u dëgjua,
zhurmonte shpirti.
Arratisen ëndërrat, të ndjekura nga zjarri i dashurisë...
 
I HUMBURI I ASNJË KOHE!
 
Qyteti humbiste
me shpejtësinë e sharmit të tij.
Aty flas me dikë,
që jeta e kishte shtrëmbëruar.
Sytë, nuk e kishin më ngjyrën e mëparshme,
nga ftohtësia e kohës kishin marrë.
 
Flasim...
dhe gënjejmë nga pak e nga pak i përsërisim e kjo i ngjante një "kronike" ngushëllimi, duke gënjyer veten e duke sharë të ndryshuarët e asaj nate  terri, ku era e madhe horizontit na hodhi.
 
Veten s'po e gjenim ku ndodheshim!
Shumë njerëz, për shpirt të pavarur u njohën
dhe ankthi, fytyrave të kujtdo thoshte, 
- Këtu jamë.
E kaluara ngacmonte 
dhe portat e ndryshkura të shpirteve  hapeshin e
befasoheshin, 
nga pasionet e asaj kohe dhe frikës së mëkëmbur të së sotmes!
 
Ehh, sa shumë gjëra shoh të harrohen e të shuhen, 
si shumë të ikur, të pakohë.
Vërtet, një kohë iku..., por prapë vjen...
 
Me gisht e tregonin,
shumë i lodhur ishte.
- Nuk e njoh veten, thoshte
Ashtu i ftohtë dhe i pafjalë...
Personazh i një skene dy kohëshe,
me fotot varur kuintave, 
ku një pjesë rrëzuar, 
nën thundrat e djajve.
 
E vërteta e shihte si të humburin e asnjë kohe.
Frymëmarrjet e fundit në gishta i merrte,  numëronte
dhe nëpër gojë, fjalë merrte, 
se kishte nevojë për frymëmarrje...
Përlotje...ahh përlotjet, 
re të hirta u ndjen mbi hijet  njerëzore.