Andi Meçaj (Biografi dhe poezi)

Andi Meçaj (Biografi dhe poezi)
ANDI MEÇAJ - VLORË
 
Andi Meçaj u lind më 6 qershor 1975, në Vlorë. Më 1994, mbaroi liceun artistik për pikturë në Vlorë dhe po në të njëjtin vit hapi një ekspozitë pikture vetjake në Athinë, të vlerësuar nga shtypi vendas. 
Është përfshirë në antologjitë poetike:
- “Portat e Harresës”, Tiranë, Toena 2001, (me shkrimtarët shqiptarë në Greqi, 1990-2001).
- “Antologjia e poetëve të Vlorës”, Triptik 2004.
“Qiejt e Shpirtit”, Tiranë, Bota Shqiptare & Meda Dea 2006, (me shkrimtarët shqiptarë në Greqi, 1990-2006).
Më 31 dhjetor 2021, u përfshi në botimin në Beograd, (Serbi), të antologjisë në audiobook me 25 poetë të përzgjedhur shqiptarë, me nga dy poezi secili: "Glasovi Preko Ograde", mundësuar nga Organizata Letrare ARGH, programi READ, themeluar nga Bashkimi Europian. 
Përzgjedhja: Arian Leka; Përkthimi: Igor Stanajeviç; Redaktimi Letrar: Ana Maria Grbiç; Poezitë u lexuan nga: Boris Milanoviç, si dhe në antologjitë e tregimit:
- “Shtëpia mbi rrota”, Tiranë, Toena 2001, (me shkrimtarët shqiptarë në Greqi, 1990-2001).
- “Maska e Ditës”, Tiranë, Bota Shqiptare & Meda Dea 2006, (me shkrimtarët shqiptarë në Greqi, 1990-2006).
- “Antologjia me tregime të zgjedhura të autorëve vlonjatë”, Botimet Europrint 2006.
Meçajt boton rregullisht në shtypin shqiptar dhe atë të Diasporës.
Në vitin 2009, u përfshi në kapitullin e tekstit universitar për poezinë moderne të pasviteve ’90-të. Më 2010, u rikthye përfundimisht në atdhe, në qytetin e tij të vendlindjes, Vlorë.
Në vitin 2014, përfundoi studimet e larta për: “Histori-Gjeografi”, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
Që nga 2006, themeloi dhe mban në vazhdim e sipër, “Revistën Letrare Admet”. 
Ka botuar këto libra:
1. “Puthje ujore” - poezi, (Albin-Tiranë, 2001)
2. “Tokë e Bekuar” - poezi, (Toja-Athinë, 2002)
3. “Nga Letërkëmbimi me një Fantazmë” - poezi, (Toja-Athinë, 2003)
4. “Qyteti fle në Xhepin tim” poezi. Enalen-Athinë 2006
5. “Një stacion si një valixhe” poezi të zgjedhura. Triptik-Vlorë 2009
Ka marrë këto çmime:
- Çmimi i Parë, (tregim), në konkursin letrar: “Pranvera 2001”) 
- Çmimi i Parë, (poezi), në konkursin letrar: “Pranvera 2003”, organizuar në Athinë. 
- Çmimi i Tretë, (tregim) në konkursin letrar i organizuar në Selanik po këtë vit).
- Çmimi i Parë - "Obelisk, 2001, Cikli poetik - Andi Meçaj/140.
 
FRIKA QË BËN PËR TË QESHUR
 
E vesha krahëve 
këtë ngjarje të vrarë,
jo se kam ftohtë,
por teshtij
dhe nëse teshtij,
nxjerr ndodhira
me arinj dhe njerëz,
dhelpra dhe jashtokësorë,
domethënë kam frikë,
frika të bën për të qeshur,
unë qaj,
dhe iki me kokën në duar,
ta nxjerr shëtitje.
 
SHTËPIA
 
Kam hapur krahët,
sigurisht duhet të përqafoj dikë,
ndoshta shtëpinë e viteve që ikin sëprapthi,
ndoshta shiun që do t’u rikthehet reve,
apo atë qenin e zi të zotit Andon,
kur flet në tre gjuhë të huaja kafshësh.
Zgjas krahët, i hap, i hap, i hap,
përqafoj shtëpinë, e shkul dhe rrënjët
ia hedh.
 
Mbi dhe
bien lodra, lodra, lodra
dhe koka ëndrrash të prera
mbi dhe.
 
PLAKU LODËR
 
Çapon, godet bastunin
në rrugën drejt kishës,
troket orët e tij të mbetura,
asfaltin e zi që hap derën, 
nga del e bukura e dheut 
shndërruar në flutur, 
krahët e ylbertë përplas, 
në flokët e tij shekullorë vendos,
të jetojë dhe të vdesë.
Dora kurdis zemrekun, 
ecën dy hapa, ndalon, 
rikurdiset, vazhdon.
Nga qoshja del fëmija kaçurrel, 
me sytë e dielltë,  
duke bërtitur, duke ulëritur
nga gëzimi për plakun lodër,
për këtë gjigand të rrudhur,
me tesha të ngrëna kohëve,
me këtë bastun që ka hedhur 
rrënjë në shpirt.
Kujdes biri im, 
ka nevojë për shumë dashuri 
dhe pak kurdisje.