Shaban Pllana - Tercina (trevargësha) me tematikë intime (-I-)

Shaban Pllana - Tercina (trevargësha) me tematikë intime (-I-)
SYTË E MI
në kopshtin tënd të lulëzuar
dy qentë e mi të zi
ruajnë të shohin fluturimin tënd, flutur.
           
SYTЁ E TU
sytë e tu të kaltër
ishin kopsht ku lulëzoi dashuria ime e parë,
më pas, ata sy u bënë varr i saj.
 
FIJET E FLOKUT
me fijet e flokut tënd të artë
m`i qep plagët e shpirtit,
ke mbetur për gjithnjë në ëndrrat e mia.
 
FOTOGRAFIA  JOTE
brenda një kornize të qelqtë
fotografia jote me një buzëqeshje të vjedhur                
qëndron varur në mur në kohën e ndalur.
 
TI ERDHE
në ditët e asaj pranvere bleroshe,
ti befasisht u struke në ëndrrat e mia
dhe s`dole më kurrë që andej.
                
TI RRËZË MALI
ujëvarë malli në mua,
ti rrëzë mali                                         
shtrirë në kujtime.
 
QENIN E ZI TA VRAFSHA PUSHKË
nisëm largësive të blerta,
përtej moteve qeni i zi i këput zinxhirët,
qenin e zi ta vrafsha pushkë.
 
NË DËRRASË TË VEKUT
e! sa loti i syzezave u gurëzua n`dërrasë të vekut,
e trimat s`mund t`i zinte as plumbi
që ua drejtonte kanuni.
        
M’I KE PRERË  ËNDRRAT
m’i ke prerë ëndrrat me gërshërë,
si s’të erdhi keq,                                                     
që ma këpute ylberin e shpresave.