Ragip Gjoshi - PËR KËTË TOKË KOKË MË KOKË

Ragip Gjoshi - PËR KËTË TOKË KOKË MË KOKË
PËR KËTË TOKË KOKË MË KOKË
(Në 145 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)
 
Mbi gërxhet e gurta buzë Lumbardhit, nën Kala
Nga gjithë copëzat e atdheut burrëria zbriti
Kur mbi Hartë turreshin gërshërët e krajlive
N’Luginën e Shqiponjave Ora e kombit biente…
 
Gjyshërit e Lidhjes hynin përbrenda në epikë
Myderrizi Ymer Prizreni në ballë të Kuvendit
Bashkë me Abdyl Frashërin –trimin e Toskërisë
Krerët shoshisnin e peshonin hallet e atdheut
Në valet e bardha t’lumit lanin fjalët e burrërisht
Besëlidhje e madhe:dora – dorën shtrëngoi fort…
Krerët bënë copë-copë Traktatin e Shën Stefanit
 
Besëlidhja selam i dergoi kancelarive të Europës
Arnautllëku kërkon myhyr e vula të veta
Besëlidhja goditi në kokë Bailozin e zi në Harem
Këto troje do të flasin,të qajnë e të qeshin veç shqip!
 
Në Berlin shqiptarëve ua mbyllën portat
Ymer Prizreni rrudhi ballin e kredhet n’mendime
Sylë Vokshi përdredhë mustakun e ngjesh nagantin
Foli Abdyli ballëlartë dhe hyrin thellë n’Histori
 
Perandoria mund ta shesë veç çallmen e vet,tha
E Kancelari gjerman Bismark këmbëngulte
Shqipëria është thjeshtë një shprehje gjeografike…
 
Atdheu mbeti në pritje për ndonjë devër tjetër
Berlini u bë njerkë e ligë – Evropa doli lakuriq
Akshampazar-tregun e bënë me çmim të lirë
E ndanë tokën e t’parëve-atdheun e Skanderbeut
Pa i pyetur t’bijtë u kusuritën pa dhembje-falë e shet…!
 
Prizren, 10 qershor 2023