MË THONË BUZËQESH!
Ndihem i brishtë,
I humbur si njeri, i prerë…,
Zgjohem si përherë në mëngjes,
Dhe të gjithë më thonë: buzëqesh
Por, kujt t’i buzëqesh?
Nënave që ndjekin avionët në qiell,
Që lumturohen, kur shohin fëmijët,
Dhe ligështohen, kur ata largohen.
Kujt ti buzëqesh?
Shitësit në ushqimore,
Që thotë: po deshe mere, po deshe lere,
Apo zyrtarit të korruptuar,
Që karrigen e sheh si bankomat,
Ku gjithmonë del i fituar.
Kujt ti buzëqesh?
Pensionistit, qe punoi dhjetëra vite,
Tashmë numëron qindarkat,
Dhe loton mbi kryet e fëmijëve,
Apo të fortëve dhe oligarkëve,
Që rrëmbyen çdo gjë në shqipëri,
Krijuan klasat kapitaliste,
Në misionin e ngarkuar, Sali.
Ti buzëqesh drejtësisë?
Ku, shoh dhëmbët e tyre të zinj,
Fshehur nën buzëqeshjen mashtruese,
Tek përtypin gjakftohtësisht,
Copra shpirtërash të pagëlltitur,
Apo, parlamentit të kotësisë,
Një kopsht zoologjik,
Që japin koncert falas,
Publiku syshqyer ndjek melodinë,
Buzëqeshjen neveritëse, lëvizjet e tyre,
Ndërsa mua më hapet koka nga kotsitë.
Eh, buzëqeshja më ka ngrirë,
Mbi spitale e auditore gri,
Njerëzit që tulaten zhytur në dremitjen,
E dimrit ende të pashkrirë.
Mbase duhet të binden njerëzit,
S’di ç’magji kanë përdorur maluketrit,
Që na kanë mbërthyer pas vetes,
Ndoshta se ne vetëm lotojmë,
Mbi gërmadhat e dremitura,
E kur shpresa të na përkëdhel,
Si puthje mëngjesi,
Kur mbi argjendin tënd të pikojë,
Atëherë dhe mua më zgjoni!