Bedri Tahiri - KTHIMI NË VENDLINDJE

Bedri Tahiri - KTHIMI NË VENDLINDJE
KTHIMI NË VENDLINDJE
(Hasan Prishtinës)
 
Herët e pate lënë vendlindjen,
Vicianën me kalldrëm të gurtë
Erdhe burrë katërqind dërhemë
Hero e diplomat i fjalës së urtë
 
Drenicën tënde kurrë s’e harrove
Aty u betove për luftë e për liri
Drejtove kryengritjet shqiptare
Në Selanik të vranë në pabesi
 
Shkrive pasuri, djersë dhe gjak
S’të nënshtruan dot ari e menitë
I sfidove dënimet me vdekje
Sa i urreve vëllavrasjet e dredhitë
 
Në Vushtrri me Azem Galicën
Kuvenduat për besë e për dituri
Hapët shkollën e parë shqipe
Që sot e rikujtojmë me krenari
 
U ktheve n’bronz, eshtrat i lë pas
Si Shotë Galica, atje tej në Arbëri
Gjaku Juaj- shkriu kufijtë e mjerë
Andej e këndej është veç Shqipëri!