Neviana Shehi - Cikël poetik (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
Neviana është autore e pesë veprave poetike:
- Vjeshtë fatesh, (Klubi i poezisë, Tiranë)
- Përtej valëve, (Klubi i poezisë, Tiranë)
- Burri i netëve të mia, (Armagedoni, Prishtinë)
- Deti i natës (Konica, Shkup)
- Edhe perënditë pushojnë të shtunën (Armagedoni Prishtinë)
- Heshtja e Pianistes (Logo në Shkup)
Poezitë e saj janë përkthyer në: italisht, gjermanisht, rumanisht, greqisht etj...
Neviana ka më shumë se 20 vjet që jeton në Itali.
QYTETET QIELLORE
Atje ku do shkojmë ne
ju s'mund të vini, tha Gjoni
qytetet qiellor pranojnë vetëm
banorë të qelqtë
Dhe rruga është e gjatë
me shumë të përpjeta
se tatëpjeta
Nëse keni këmbë të zakonshme
ato mund t'iu mashtrojnë
dhe udhëtimi ndërpritet
Nëse s'jeni larë njëmijë herë
në lumin Jordan
lëkura juaj mund të kulloje vetëm katran
dhe portierët mund të ngurrojnë
t'iu fusin brenda
E mira e të mirave është
të ktheni udhë sa më parë
dhe ta gdhini në hanin më të afërt
Të refuzosh të pamerituarën
do të thotë të afrohesh
edhe një metër më pranë Zotit
Një gllënjkë adhurim qiellor
është 100 herë më shumë
se një kor duartrokitësish
adhurues
Në të kundërt
mëshiruesi nuk do të ketë
shumë kohë të merret me ty
Ty të kujtohen lutjet e pesë grave
në portën e drunjtë të mëshirës
rikthimi i tyre ndodhi në aktin
e pestë të rrëfimit tonë
dhe vijon akoma
Qytetet qiellore kanë banorë të xhamtë
tejdukshmëria e tyre
i shënjon me gisht mëkatarët
dhe ju kujton
se pendesat e vonuara
nuk i dëgjon asnjë mëshirues
FLUTURA
Mos kërko të vij me ty
më tha zëri i fluturës fytyrë zbehtë
Unë jam një flutur fytyrë delikate
dhe kurrë s’kam lëvizur
nga viset e mia të fluturimit
jam pjesë e zinxhirit ushqimor
dhe në momentin që dal nga larva
shoh në ëndërr gojë të hapura zogjsh të uritur
Do më pëlqente të vdisja në mesnatë
para orës dymbëdhjetë dhe jo në mesditë
kur të gjithë bëjnë gjumin e përzishëm të mesditës
Ajo fliste me një nxitim të tillë
sikur të donte të shkarkohej
një orë e më parë nga vetja
dhe kjo bënte që të humbisja ekuilibrin
Ka momente që frika e tjetrit
rikrijon veten te bashkëbiseduesi i tij
shpesh me një energji të shumëfishuar
Unë që e kam lexuar baladën e frikës
nga libri i shenjtë
e di se ç’do të thotë kjo gjë.
ËNDËRR ME LIRI
Atë ditë kur u nisën ata
ishte një ditë e ngrohtë
por atdheu mërdhihte
Kishte zbritur mëngjesi
por gjurmët e natës
ishin akoma të gjalla
Atë mëngjes
mbi gurët ciklopike të portit të vogël
u gjet kufoma e një djaloshi të vrarë
me katër plumba karikatori në kurriz
dhe me buzëqeshje të ngrirë
mbi buzët e shkrumbuar
Kish dashur të shpëtonte nga ferri
por ferri s’e kish lënë
Ushtari qe e kish vrarë disa orë më parë
vazhdonte të pozonte mbi kufomën e tij
me një krenari prej vrasësi
Atë ditë kur u nisën ata
atdheu i tyre kishte parë edhe njëherë
si çdo natë
një ëndërr të bukur me liri
por s’kish guxuar ta besonte
në ferr nuk lejohej të shikosh ëndrra pa leje
Pastaj portat e natës u hapën befasisht
dhe njerëzit u shndërruan në sinonime lirie
Gjëmonin dallgët larg në det
e hapat e tyre drejt lirisë
kumbonin edhe më shumë
Përtej shtrihej e nesërmja
përtej hapeshin ëndrrat
Ata vërshuan drejt anijeve si zbaticë
ata kishin nisur t'u besonin ëndrrave
Atë natë kur u nisën ata
qyteti kishte marrë
një pamje prej djaloshi të dashuruar
ndërsa në vazo nisën të mbinin lulet e para
Atë ditë që ikën ata
deti u hap dhe u bë
një lëndinë e lulëzuar
të porsalindurit i vunë vetes emra diellor
të dashuruarit këmbyen
me shumë fjalë dashurie me njëri - tjetrin
të bindur se në kohë të vështira
duhet të kapesh fort mbas një ëndrre
dhe të besosh tek ajo pambarim
Atë ditë që ikën ata...