Sheremet Prokshi - VJESHTË IDHNAKE (poezi)

Sheremet Prokshi - VJESHTË IDHNAKE (poezi)
VJESHTË IDHNAKE
(Vargje përkujtimi për nënën)
 
Ah kjo vjeshtë idhnake
E trishtë, e ftohtë si guri, 
Në çdo nëntor na vjen
Dhe dridhë çati e muri,
Na dridhë si asaj mbrëmje
Kur dielli ishte zënë,
Kur ti o nënë e dashur
Të shtangur na ke lënë.
 
Tash lart diku tej reve
Pushon në fushë të blertë,
Herë ecën bardhësive
Me hapin e ngadaltë,
As vet nuk vonoj shumë
Se ëndrra më ka thënë,
Atje kam për të ardhur
Të shoh ku je o nënë!
 
Si zogu fluturues
Krahëhapur do mbërrij,
Se tridhjet’e gjashtë vite
Vërtet janë shumë pa ty,
As fjalët s’mund ti shprehi
Prej mallit dhe mërzisë,
Unë këtu i përkohshëm
Ti dritë e përjetësisë!