ERDHA!
Erdha…
Me pru’ i’ grusht
zjerrm n’Shqypni
me kallzu sa djeg flaka
e përçarjes.
E ka dit’
fort mir aj’ i Madhi
Gjergj
se kokat e idhnimit e
tradhtisë
veç n’i prefsh si kokat e
gjarpnit
se s’lajn me u bashku.
Thuprat e bashkimit
jan degdis kurtheve të
hasmit nxanun,
asht’ mbulue me therra
lëndina e pajtimit.
E gjaqet e derdhuna
për liri nuk hupen, nuk
thahen por ziejn në
pikën e vlimit dej’
t’vjen ora e bashkimit.
Erdha…
Me pru’ i ‘grusht fjal të
randa bese prej malesh
t’nalta qy bashkojn
dheun me qiellin, qy
shkruhen me gjak e s’i
shlyen koha.
Erdha…
Me pru’ i’flamur
t’moçëm që valvitet
qiejve me shpirtat e
heronjve.
E ÇKA TASH?!
E çka tash?!
Kuptimi nuk ka më
kuptim,
edhe dështimi dështoi
keq u vlerësua arritje, për
dreq…
E çka tash?!
E vërteta nuk pranohet
si e vërtetë vlerësohet
nga gënjeshtra vetë…
E çka tash?!
Nuk ekziston as
Ekzistenca
nëse nuk e thotë
lartmadhëria,
VIP ekselenca…
E çka tash?!
Kur llumi i mbetjeve na
erdhi deri në fyt, ca
fytyra as turpi as
poshtërimi s’i mbyt…
E çka tash?!
Kritika luftoi me
Autokritikë
a duhet presje apo
pikë…
E çka tash?!
As dhimbja më nuk
dhemb
as frika më s’të tremb…
E çka tash?!
Monedha, kaq e vogël
me pronar rrotën, po e
sillka botën…
E çka tash?!
Arsyeja dhe absurdi
kanë ndërruar vendet, i
mençuri s’ka rrugë
tjetër pos të çmendet…
E çka tash?!
Kupa po derdhet kam
edhe shumë më
shumë se kaq sa
thashë.
Ah sikur këto fjalë ti
bëja plumb për me vra
ca ndërgjegje të
vdekuna me i zgju ca veshë të
shurdhëta por ah, ah…
E çka tash?!
Tash, Zoti mirë e baftë…
NËNË..
A ka vend aq të
lartësuar për piedestalin
tënd nënë?
A ka diell që ngroh më
shumë se ti në dimër
shpirti?
A ka nur të mrekulluar
hëna
ashtu siç nur ndritura
nëna?
A ka fllad pranvere
që të freskon
si dora e nënës
ledhaton?
A ka melodi më të
bukur
se zëri yt nënë që
shpirtin qetëson?
A ka shpirt më të
bukur lulëzuar
me qeshje fëmije,
aromë dashurie,
lartësuar nga vetë
perëndia?
Je ti e bekuara, vetë
mrekullia nënë,
tempull hyjnie, engjëll
dashurie…
A ka det nënë, që i nxë
lotët e tua?
S’mjafton një jetë të të
adhuroj,
të të dua…
MË LINI
Më lini të tretem
në një rreze dielli
në një sumbull vese
piklë uji të mbetem.
Më lini të shkrihem
në një fjalë të vetme
që i jep kuptim
kësaj jete.
Më lini të jem
ai tingull i ëmbël
që nga zemra e
dashuruar
shpërthen
Më lini të jem
ai shpirt i lirë
të kthehem në varg
është e vetmja
dëshirë.
Më lini të jem lule
që çel në çdo stinë
të thahem, hedh farat
veç për dashurinë..
Shyrete Demaj