ORFEU
Më erdhe mbrëmë sërish në ëndërr,
Të përqafova me mallëngjim,
Si për çudi, më shihje vëngër,
Në fole të zemrës më le trishtim!
Më le trishtimin për buzët e çara,
Në rozë dhe vishnjë, si thela shege;
Dikur një toskë s'e priu e mbara,
I mjeri dashuroi një gege.
E unë si Orfeu do ia marr këngës,
Me telat e lirës së tij magjike;
Lulet do çelin për shkak të brengës,
Do ngazëllehen dhe bishat gotike.
Bishat rojtare pranë Portës së Hadit,
Do lejojnë ta hapë me vargje hyjnie;
Plandosur nga dhimbja e helmit të gjarprit,
Të shuhet përjetë një bijë perëndie?!
Me ngulm do kërkoj të t'nxjerr nga aty,
Nga bota e nëndheshme e mbajtur peng;
Dreqi dhe i biri s'më ndan dot nga ti,
Në Liqenin e Zjarrtë do t'i kredh me rreng.
Me rrengun e një poezie hyjnore,
Që ndoshta kthen edhe kohën mbrapsht;
Të lodrojmë të dy në lëndinat përrallore,
Si Orfeu dhe Euridika, perëndia dashtë!
Mos eja në ëndërr, por në realitet
Dhe pse dëshirën s'e realizoi dot Orfeu;
Mos harro, në Itakë u kthye vërtet,
Te Penelopa një ditë, Odiseu..!
Kthehu!
Shkroi: Ilir Bobo
Fier, më 10. 03. 2020