VLADIMIR SHYTI I SHNDËRRON LEGJENDAT NË HISTORI TËVËRTETA
Është e pamundur që të vizitosh trevat e veriut tonë, të shohësh ato kullat e vjetra, të veçuara e të çuditshme prej guri dhe të mos të të lind pyetja se çfarë misteresh fshehin brenda tyre. Ato qëndrojnë të heshtura, mbi ca vende të zgjedhura me kujdes, me ca dritare sa për të hyrë drita a për të dalë gryka e pushkës dhe me mure të trasha që duket se as topi nuk ka ç`i bën. Kanë një arkitekturë të panjohur tjetërkund, që të bëhet se më shumë se mjeshtrat e projektimit, u ka dhënë formë imagjinata apo më mirë, intuita popullore. Shpesh, prej aty dalin disa plaka veshur me të zeza, me flokët përherë të lyera me një bojë të fortë që e përgatisin prej shekujsh vetëdhe që ashtu si kullat nuk flasin kurrë. Duken sikur dalin nga thellësitë e kohës dhe sido që dinë dhe kanë parë shumë, ashtu si vetë kulla ku kanë shkuar jetën, i kanë dhënë fjalën dikujt që as ato vetë nuk e njohin, për të mos treguar diçka nga ato që kanë ngjarë. Kështu, që ti je i detyruar t`i kthehesh fantazisë, duke evokuar ato që të kanë shpjeguar nga eposi i kreshnikëvedhe legjendat për burra malësorë me fuqitë mbinatyrshme. Nga ata burra që kujtesa e brezave e ka përcjellë përherë të gjallë trimërinë e tyre. Natyrisht që ndihesh krenar, por edhe përmendesh se ato janë thjesht sajesa të fantazisë njerëzore dhe mendja të shkon te mitet e bukura të grekëve të vjetër apo romakëve. Megjithatë, një gjë është e sigurtë: atje brenda ruhen me fanatizëmtraditat e zakonet e trashëguara nga të parët, si mikpritja, nderi, besa dhe sidomos dashuria deri në vetflijim për lirinë e Atdheut. Ja, këto mendime duhet t`i kenë lindur ndonjë ditë edhe shkrimtarit Vladimir Shyti kur vendosi që të shkruaj romanin e tij “Gjigantët”, për të hedhur më shumë dritë dhe për të zbardhur sado pak enigmat që ruajnë brenda tyre ato kullat, njërën nga të cilat zgjodhi ta vendosë qysh në kopertinë. Patjetër që ky autor ka shfrytëzuar legjendën për Mujin me forcë të pabesueshme dhe Halilin e shkathët që s`e kapte as shigjeta, kur ishte fjala për të mbrojtur trojet e tyre. Por është përpjekur ta japë atë tjetërsoj dhe t`i bëjë ata më të besueshëm, më tokësorë, për të thënë, më njerëzorë. Ata dy vëllezër, imponues në të parë, të kthjellët në gjykime, të shpejtë në vendime dhe të vendosur në zbatimin e tyre, duket se janë lindur për ta shkuar jetën në luftë me të keqen. Qysh në fillim Vladimiri na përgatit për bëmat e Mujit prej Kalldushe, teksa na e portretizon atë si një “Kalorës me një shtat madhor kaluar pothuajse dy metrat, shpatullgjerë, dy duar si dru lisi e tërë muskuj, me një kokë tërë leshra, ku dalloheshin thinja fisnikërie me ngjyrë blu në të errët. Dy sy zhbirues që nuk tregonin asnjë panik, paksa të mbyllur nga shëndeti i tepërt. Një ball i harkuar ku gërryente mendime disi i rrudhosur. Një hundë paksa e lakuar si sqepi i shqipojës dhe nën të, mustak që i vareshin deri poshtë në mjekër”. I tërbuar me ndonjë që është veçuar nga besa e shenjtë e dhënë në kuvend,aq edhe gjogu i tij turfullonte nën fre, fillon të flasë me natyrën, pra, me ato maja malesh si kështjella, me ato pishat e alpeve shekullore dhe ujin kristal të bjeshkëve. Kurse vëllai i tij Halili na jepet me këto tipare: “... me trup të drejtë si një dru ahu, me kokë të rrumbullakët e leshra të dredhur në ngjyrën e diellit në perëndim, me dy sy që edhe në çaste më kritike qëndronin të qeshur, me duar të fuqishme...” Pra, krejt si të gjithë njerëzit e tjerë dhe jo katallanë siç i njohim nga mitologjia jonë, pra “syqen që ha njerëz” dhe të cilin Gjeçovi e përqas me Ciklopin.Ata, më shumë se nga trupi, janë gjigantë nga sjellja dhe vlerat e epërme njerëzore. I duan dhe i nderojnëshokët, miqtë e bashkëluftëtarët, por edhe kanë ndjenja të fuqishme kur bëhet fjalë për dashurinë ndaj gruas a femrës në përgjithsi. Në ato anë është zakon që tjetri quhet trim. Gëtja, duke folur për trimërinë thosh se “Të jesh trim do të thotë të luftosh”.Por ata nuk e kanë të luftuarit qëllim për t`u mburrur para të tjerëve apo për t`u hallakatur pa kuptim betejave të përgjakshme. Në jetën e përditshme, presin miq, dalin për gjah, shtrojnë gosti, pinëverë me enë të drunjtë, mbushin kamishin me duhan, kanë respekt për ata të çartur që grabisin vetëm karvanet e krajlit dhe mallin e rrëmbyer ua ndajnë të varfërve. Ruajnë gjakftohtësinë para arrogancës së Radit të tmerrshëm, madje nuk u largohet as buzëqeshje shpërfillëse dhe as kërkesa për t`ua mbushur sërish kupat. Kur Muji i turret bandës së tij, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, i thotë të vëllait: “Pije një kupë, o cull se unë nji tash jam ca i zënë!”Këto cilësi po i merrte edhe djali i Mujit, Omeri i cili duke ëndërruar të quhej sa më shpejt burrë, kur i jepet rasti të kërkojë, do vetëm një shpatë damaskiane. Por këta burra të njohur anë e kënd krahinës, dinë të tregohen edhe diplomatë kur ua lyp puna. Pra, tek ata janë mpleksur bukur forca e trimëria me zgjuarsinë e vetpërmbajtjen. Për nderet që bëjnë, nuk kërkojnë asnjëherë shpërblim, siç ndodh me Zukun e plagosur, i cili më pas, për arsyet e tij, hiqet si gungaç dhe futet e punon si stallier te kapedani i krajlit Bani Zadrili.Ky Bani urrehet prej tij se i ka rrëmbyer me djallëzi tokat, duke bashkëpunuar me të ëmën. Pra, kështu, autori dashje pa dashje na fut në pallatin e Atridëve. Ashtu si Oresti i Argosit, i biri i Agamemnonit të vrarë pas kthimit nga Troja prej të shoqes, Klitemnestra dhe dashnorit të saj Egjistit, ai e gjen dhe strehohet në Fokidën e tij, në kullën e Mujit dhe Halilit, ku nëna e tyre dinte t`i mjekonte dhe shëronte plagët që i kishin shkaktuar. Por, dy heronjtë kryesorë të këtij romani, janë të papajtueshëm me pabesinë e tradhtinë. Ama, këto cilësi nuk i kanë vetëm ata; edhe personazhet e tjerë si Arrnaut Osmani që i kishin mbetur sytë te Meri që hiqej si djalë, plaku i mençur Qefanak, Basho Jona e Musë Qesexhiu që vinin nga jugu për bashkim, Ali aga që në bodrumet e krajlit kërkoi vetëm gjashtë ditë leje dhe duke mbajtur fjalën u kthye si i burgosur, janë burra me moral e karakter të fortë. Ata gjithashtu e dinë se armiku i tyre është krajli me taksidarët e tij të tipit Ziguri, që kërkon t`ua kafshojë trojet e kullotat e tyre stërgjyshore. Pa harruar sulltanin e Turqisë i cili me dhelpëri kërkon ta joshë Mujin influent me grada, para e tituj, por që nuk ia del dot. Njësoj sikurse bënin edhe të dërguarit e Venedikut në anën tjetër, andej nga Durrësi. Fundi, ose më saktë, zgjidhja e dramacitetit që përfundon me një dyluftim mes Gungaçit dhe kapedan Bani Zadrilit, realisht nuk është zgjidhja përfundimtare, pasi në ato anë, ku nga maja malesh shohin kullat e lashta, konfliktet, sidomos ato që vinë nga lakmitë e të huajve, nuk kanë të sosur. Por edhe kaq sa na thotë mjeshtërisht shkrimtari Vladimir Shyti, mjaftojnë për të na dhënë një mendim më të qartë për sa ka ndodhur në ato anë. Dhe për të na dhënë kodin e deshifrimit të enigmave që ato kulla ruajnë brenda tyre, ku ajo që kurrë nuk është vënë në dyshim është etja për liri dhe sakrifica deri në vetflijim për nderin, besën dhe Atdheun. Pasi është tërësisht ashtu sikurse thotë vetë autori se “Këta burra plot surpriza të këndshme, të ashpër, të ndriçuar me një dritë të ngrohtë të shpirtit të tyre, tepër fisnikëror, qëndronin të madhërishëm, si perënditë e Olimpit mbi hordhitë e së keqes”. Ashtu sikurse vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot e kësaj dite.