Shaqir Foniqi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Shaqir Foniqi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
DITARI I NJË REFUGJATI TË PAVULLNETSHËM:
 
Shaqir Foniqi
 
Vdekjelindjet shqiptare! (Ky shkrim ka mundur të titullohej: Vdekja triumfon mbi vdekjen, ose Udha ime, pa udhë)!
Autori i këtij reportazhi të shkruar, gjatë qëndrimit njëzeteshtatë orësh në kampin e improvizuar famëkeq të Bllacës pa me sytë e vet të përlotur shtatë vdekje dhe katërmbëdhjetë lindje, pra ka parë vdekjelindjet e dhunshme shqiptare.
                                                                                                                                Prill 1999
 
24 Marsi i vitit 1999 më zuri në “Lakrishtë” të Prishtinës, ku vështroja hedhjen e bombave të NATO-s mbi caqet serbe, që po bënin plojë mbi Kosovë, përkundër luftës së madhe, të drejtë e të shenjtë të UÇK-së! Derisa po sodisja flakët e lirisë, një komshi imi, Faik Duriqi, më tha se është mirë të vijsh sonte tek unë, sepse... (nuk donte ta dramatizonte), por e kuptova nëntekstin e tij! Unë, që raportoja për TVSH, mbase isha në “listë”, dhe pikërisht ashtu ndodhi. Pas një ore forcat serbe e kishin mësyrë banesën ku rrija pa qira, tek miku im strugan, Halil Hyseini! Meqë nuk më kishin gjetur aty, e kishin demoluar dhe kishin ikur.. Pastaj, ndërrova tri adresa dhe më në fund, më 1 prill 1999, me tytë në gjoks, më futën në rresht, dhe pas një udhëtimi të ankthshëm, të gjatë e të rëndë (me tren), u gjenda në “Ferrin e nëntë të Dantes”, Bllacë të Maqedonisë së Veriut. (Sa në shumë që ecte treni, aq më shumë errësohej presa jonë, ende e pasosur)! Aty, pashë me sy ankthin kolektiv të vdekjes, (për së gjalli)!...