Rifat Ismaili – Cikël poetik

Rifat Ismaili – Cikël poetik
CIKËL POETIK PËR VJESHTËN
 
Rifat Ismaili
 
KA FILLUAR NDËRRIMI I GJETHEVE
 
Fole të braktisura zogjsh,
i trishtuar kaloj para tyre...
Vizatime fëmijësh ngjajnë pemët
nëpër mure e rrugë njëherësh...
Të trembura, të heshtura
si rrahjet e zemrës...
 
Ndërroi ngjyrë dhe jeta ime,
dhe sytë më kanë ndryshuar.
Një varkë lundron përmes tyre
me marrëzinë ngarkuar...
 
Nga kaltërsia u zhdukën patat,
një pikëz bojë m'u derdh mbi letër.
Ikën dhe vjen kjo erë e vjeshtës,
malli për gjithçka më dehu me veten...
 
KUDO VJESHTË
 
Pemë gjetherënë akoma me ndonjë frut,
si gjinj të fishkura grash...
 
Jetoj i përhumbur brenda vetes,
ndjehem si një kalorës pa udhë...
 
Mbi këmbanoret e kishave si paterica,
kryqet e zinj përqeshin mjerimin.
 
Endem si merimanga në rrjetën e vet,
si ajo prostituta në shtrat me hidhërimin...

 

ILUZIONET E VJESHTËS
 
Ka mbetur akoma ndonjë gjethe në trungje të zhveshura.
Diçka do mbetet pa shkundur nga harresa.
Jeta e shkurtër e tyre fiton përjetësinë,
si Utnapishtimi pas përmbysjes së botës.
( Përjetësia shfaqet tek disa si një ëndërr...)
Megjithatë, sa e mërzitshme është e gjitha kjo;
gjithmonë gjërat e çmuara trazohen nëpër qiej,
kushedi nëpër ç' erëra do të mbrohen,
sa ngrica do të përballojnë,
gjersa të vijnë pranverërat e shenjta të ringjalljes.
Tani në vjeshtë ka mbetur ndonjë gjethe
si prarimi i flokëve të bukur të një vajze.
Por sa e trishtuar është e gjitha kjo;
është i ngrysur qielli i një qyteti
ku kanë humbur dallëndyshet...
 
ILUZIONE VJESHTE
 
Fletët e verdha 
lundrojnë,
si barka magjike...
 
Qyteti fluturon
pas dallëndysheve...
 
Si pergamenë,
udhëve të përkohshme,
shpresave të mëdyshme!