Ragip Gjoshi - NJË KËNGË E KËPUTUR NË UDHËN E LIRISË

Ragip Gjoshi - NJË KËNGË E KËPUTUR NË UDHËN E LIRISË
NJË KËNGË E KËPUTUR NË UDHËN E LIRISË
(Në kujtim të mësuesit tim poet Ymer Elshani dhe Masakrën e Poklekut)
 
1.
Një elegji për mësuesin tim poet,
Ua solla si metaforë e një melodie të këputur–
Një frymëzim të djegur në gji të poetit,
Në mesprillin 1999 e pakenduar mbeti
Sapo Diellit tonë iu mbyll dera e dritarja…

Si një gojë me dhëmbë të prishur
Kur merr frymën e grahmët e fundit…
Një lis me sytha plot u plandos përtokë,
Ofshau pasai i guditur rrufeje u rrëzua,
Plasi një vaj i plasaritur pa nëntekst,
Frymëmarrje e thellë e Drenicës shtangu,
U pre përgjysmë ëndërr e fundit të 22 zogjëve…
Në sytë e poetit kishin ngritur pritat,
Buzë lumit nën ballin e skuqur të poetit
Një fjalë e pathënë një këngë e rrallë;
Aty ku hapëshin udhët aty ku bashkohen buzët…

2.
54 lule shtrijnë rrënjët thellë në tokë
Pasi u dogjën –shkrumb u bënë…
Moti lotoi kuq mbi Poklekun e Vjetër,
Tek pranvera provonte të shtyente ditët
E, Ymeri mbrumte këngët me shpresë
Duke ftuar brenda pragut të saj liinë.
Duke mallkuar rrufetë e atij moti…

Për një çast Drenica nuk mori frymë
Një zemër poeti me fjalë të lëmuara
Një këngë poeti u pre përgjysmë,
Një pemë, me shumë lule u pre…
Dita dhe dielli ishte vonuar atë ditë.
Disa stacione kohe në TV raportuan
Për bubullimat dhe për pasojat …!

3.
Atë ditë edhe pas muzgut pikoi gjak
Nga shpirti i tokës shpërthyeu këngë të reja-
N’fluturim brinjë më brinjë mes për mes Drenicës,
Ujqërit u turrën që nam e nishan t; shuhet,
Duke nxjerrë përjashta dhëmbët e mprehtë…
Përtej maleve të shpresave tona,
 
Edhe ushtarë njomzakë në vijën e parë të zjarrit,
Pas betejës, përtej bregut Pokleku digjej.
Luftëtarët dëgjuan këngën e poetit- një copëz ëndrre.
E mbarsuar me një dritë e një ylber udhërrëfyes,

Nëpër shtegun e ëndrrës. tonë nëpër mjegull.
Ishim nisur me një anije të shpresave,
Nëpër kurthet prej dallgëve të larta
Tek ligjeronin zogjët e maleve
Me ëndrrën e tyre të rraskapitur
Për bustit të poetit dhe 22 fëmijëve…

22 emrat më të mirë të botës,
22 palë sytë me lotët më të kulluar.
22 dhimbjet më të mëdha të epokës
22 qingjat e urtë në Panteonin e buzëqeshjeve të vrara.

Hirin e këngës së asaj dite e shprusha
Për atë dhomën pa dritë, në errësirën e asaj dite
Për vargjet e coptuara, të prera e të djegura,
Për zërat e fëmijëve të bezdisur
Për Orën e Madhe të varur në Histori…
Për atë melankoli të kobshme,
Kur gjaku nëpër vena gumezhinte si bletë
Atë ditë kur u lëkund toka e u bë e kuqe,
E një këngë e re nisi mbi shkëmbinjtë e thepisur,
U ngrit, u kryengrit,
Për kohën e flakëve në vatrën e e parathënies së lirisë

4.
Mbi dimrin në shejtëni,
Mbi ato dallgët e motit që ndillte epokën e re,
Mbi qiellin me drita shprese
Të ndezura prej engjëjve të dritës
Ata që atë ditë e mbanin mbi shpinë lirinë,
Që kacavjerrej mbi ashtin e kurrizit të tyre
Ata që psherëtijnë duke mallkuar dallgët a erëra…

Kam mall, për këngën e mësuesit poet,
Për Pranvweren e 22 zogjëve
Më zë malli, në portën e pritjes,
Agsholeve digjem për këto këngë,

Prekeni lëkurën e këngës time,
Dhe do të ndini zjarrin që të ngroh…
 
5.
Gurin e dhimbjes së mesprillit të Poklekut
Si Sizifi plak ta sjellë në Sofrën poetike,
Të valë e më valë me aromën e asaj diteë
Si metaforë për kohëra të përgjakura…
Që heshtja të të mos mbetet gurit të mallkuar,
Në qafën e fjalës time
Dhe në qafën e plagëve të këngës së poetit-
Ymer Elshani bëhet më i forte se vdekja.
Qe kënga e tij kurrë nuk do të mbetet e gozhduar
Tash kur janë ulur valet e rrëbesheve…
 
Poklek i Vjetër, më 17 prill 2022