Prof.dr. Irna Peshkepia Dobi - KOSOVA NGA NAÇERTANIE DERI TE PAVARËSIA 1844-2008 (vështrim )

Prof.dr. Irna Peshkepia Dobi - KOSOVA NGA NAÇERTANIE DERI TE PAVARËSIA 1844-2008 (vështrim   )
Vështrim
 
KOSOVA NGA NAÇERTANIE DERI TE PAVARËSIA 1844-2008
 
Libri “Kosova nga Naçertanie deri te Pavarësia 1844-2008”, është një vepër në formatin e një botimi akademik dhe universitar.
 
Vështrimi i ri teorik që autori Jahja Lluka sjell është një risi si në fushën e historisë dhe atë të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Autori vjen me fakte të reja në këtë botim duke na pasqyruar në detaje situata dhe ngjarje të historisë së Kosovës duke ilustruar gjithë strategjinë serbe ndër vite për asgjësimin e shqiptarëve në Ballkan dhe na vendos përpara një panoramw shumw dinjitoze të qëndrimit dhe mbijetesës shqiptare kundrejt hordhive serbe.
Autori sjell në vëmendje platformën politike të “Nacertanies” si një nga strategjitë politike serbe që ndikoi fort në formimin dhe pavarësinë e shtetit shqiptare. Një koncept që gjendet aq prezent edhe në frymën e politikës se sotme nacionaliste të shteteve në Ballkan.
Ky libër, i ndarë në disa kapituj dhe i pasur me një metodologji kërkimore bashkëkohore bën që libri të ketë origjinalitetin e vete, në mënyrë që të jetë sa më konkurrent mes botimeve intelektuale dhe akademike.
Ndër gjithë strategjitë politike serbe që autori sjell është edhe programi i Drazha Mihajloviqit
për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë duke theksuar të gjitha strategjitë për largimin e shqiptarëve, projekte këto, të nisura që nga Ilia Grashanini ish- kryeministër e ministër i Jashtëm i Serbisë së asaj kohe, që nxiti ideologjinë nacionaliste-ekspansioniste serbe për shfarosjen e shqiptarëve, në njërën anë, dhe për dominimin politik e territorial të Serbisë në Ballkan. Këto ngjarje historike të një shekulli më parë të kujtojnë me aq trishtim ngjarjet e spastrimit etnik edhe në vitet e fundit kundrejt shqiptarëve në të gjitha trevat ku ka popullsi shqiptare.
Baza e konfliktit shqiptaro-serb qëndron në mitizimin e historisë së Serbisë, sipas së cilës, çdo territor ku ka kisha e manastire serbe është dhe duhet të jetë territor i Serbisë. Shkak i këtij konflikti është gjithashtu miti nacionalist serb i viktimizimit, i cili prodhon deduksionin se “Serbët fitojnë në luftë dhe humbasin në kohë paqe”. Ky mit hipotetik nacionalist e ka zanafillën e ushqyerjes tek popullsia serbe, hierarkia e kishës Ortodokse të Serbisë të cilët e thelluan këtë konflikt për shekuj me radhë.
Periudha e dhjetëvjeçarit të fundit ishte mundësia për sensibilizimin drejt një bote më të qytetëruar, dhe drejt përpjekjeve të shtet-formimit të Kosovës për t’i treguar botës se qytetaret e Kosovës i përkasin një botë të qytetëruar me pasuri dhe veçori dalluese në gjuhë, zakone, tradita dhe mentalitet duke kuptuar shumë më shpejt sesa serbët trendin e zhvillimeve të botës së sotme moderne duke arritur për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare drejt shndërrimit në subjekt ndërkombëtare. Në këtë kuptim suksesi i luftës në Kosovë si dhe arritja e ndërkombëtareve e bëri Kosovën faktorë stabiliteti në rajon.
Zgjidhja e krizës në Kosovë dhe shpallja e pavarësisë së saj kanë shënuar fundin e konfliktit në ish-Jugosllavi duke i dhëne Ballkanit konturimin përfundimtar të hartës politike në rajon duke shpalosur në këtë mënyrë një politike të re civilizuese mes shteteve fqinje për të larguar në këtë mënyre mllefet dhe urrejtjet e forta nacionaliste edhe pse në ditët e sotme kur kursi i ri politik evropian kundrejt Ballkanit perëndimor është drejt ruajtjes së fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit, nacionalistët serbe vazhdojnë të zgjojnë projektet e vjetra ekspansioniste.
Stabiliteti në Kosovë varet nga prezenca dhe qenia aktive e Bashkimit Evropian si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët janë një garanci e fortë për prosperitetin politik dhe të sigurisë në Kosovë.
Nga pikëpamja e perspektives së brendshme Kosova ka një rrugë të gjatë drejt shtet-formimit si dhe shtetit të së drejtës, pasi sot ajo po përballet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit ndërkombëtare të cilat mbeten sfidat e saj kryesore për të ndërtuar një shtet demokratik në rajon.
Zhvillimet në Kosovë dhe konflikti i saj me Serbinë kanë qenë dhe mbeten prioritet i shumë studiuesve, por risia e këtij libri qëndron pikërisht në faktet dhe argumentet historiko-politik, ku marrëdhëniet e konfliktet ndëretnike vëzhgohen në këtë studim në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare.