Prend Buzhala, Lexim letrar - poezia “Tokë e bardhë”

Prend Buzhala, Lexim letrar - poezia “Tokë e bardhë”
Prend BUZHALA
 
LIRIKA E MEMORIES HISTORIKE QË I LIDH DHE I PËRJETËSON KOHËT
 
(LEXIM LETRAR: poezia “TOKË E BARDHË” e Idriz Berisha-Xhixhit)
 
Kjo tokë e bardhë
Eh tokë e bardhë
Me vija të kuqe gjak
Sa gur mban në gji!?
Të ti Gjergji pushoi trupin
dhe kokën pushoi Gjergji
Shkëmbi iu bë shtrat
Fjala i mbeti shpatë.
Mburojë e plumbtë mbi shpatulla
Kohë që rrjedh damarëve
Ah tokë e bardhë
Kjo tokë e bardhë.
Duan të më shkulin nga vetja
E nga fryma jote
Se nuk ngjaj me të tjerët!
Dua kalldrëmeve tu të ec
Po rrugët i kam me zgavra
Dua të të prek Gjeneral
Po kokën e ke te qielli
Mbeta rob i gjakut tënd.
Ah, tokë e bardhë
Tokë e bardhë.
Lash perënditë kah ti u ktheva
Afroditën, Dean, Teutën t'i pikturoj
Bashkë  përulemi të Zeusi plisbardhë.
Tokë e bardhë
Si bardhësi e velit  të nuses
Të ka hije veç vija e kuqe
Ah tokë e bardhë
Borë e bardhë JANAR!
 
Është një poezi që Idrizi, piktor e poet, e pëlqen dhe shpesh e lexon nëpër orë letrare. Poezia "Tokë e bardhë" thuret mbi përsiatjet për lidhjen e thellë mes njeriut të këtij trualli dhe atdheut. Poeti përdor gjuhë të figurshme për ta shprehur lidhjen emocionale dhe historike me tokën e shenjtë. Kjo tokë e shenjtë është hapësirë gjeografike, por edhe një hapësirë shpirtërore, që bart dhimbje dhe krenari.
Metafora "Tokë e bardhë" shënjon atdheun, kudo që shtrihet ai si truall etnik. Poezia i referohet figurës heroike të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut ("Te ti Gjergji pushoi trupin / dhe kokën pushoi Gjergji"), me përkujtimin e betejave dhe sakrificave të tij për lirinë e kombit. Vargun "Mburojë e plumbtë mbi shpatulla" le ta përfytyrojmë edhe si pamje pikture: na e jep përfytyrimin e një imazhi të luftës dhe mbrojtjes,. Vargu tjetër "Fjala i mbeti shpatë" sugjeron fuqinë e fjalës dhe ideve që ishin armë po aq të fuqishme sa shpatat në betejë.
Poezia na dëfton lidhjen mes të kaluarës mitologjike dhe historike dhe kërkesës që ta ruajmë këtë identitet tonin të pastër dhe të veçantë. Poeti shtron kërkesën e tij: që të "ecë në kalldrëmet" e kësaj toke, por e kupton se rrugët janë plot me "zgavra" dhe vështirësi. Dëshiron të na rrëfejë se historia dhe identiteti i këtij vendi janë të kapluara me sfida dhe pengesa. Përzgjedhja e shënjimit poetik të figurave mitologjike e historike nga bota femërore që lënë shenja në histori, si Afrodita, Dea dhe Teuta, na kumton përpjekjen për njësimin e  historisë me traditat e lashta e me identitetin kombëtar. Ja vargu tjetër: "Bashkë përulemi të Zeusi plisbardhë". Është një nderim ndaj kulturës dhe trashëgimisë antike të kombit, që simbolizon një besim në forcën dhe energjinë e trashëguar nga paraardhësit. Plisi është shenjë e rëndësishme dhe simbolikë e traditës shqiptare dhe është i pleksur ngushtë me identitetin dhe kulturën kombëtare shqiptare. Plisi i bardhë, që përdoret si pjesë e veshjes kombëtare, ka një histori të gjatë.

1.
Te figura letrare e epitetit dhe e epitetizimit (e bardhë, e bardha) shohim nderimet e shumëfishta të poetit për këtë ngjyrë. Në poezi figura letrare e epitetit dhe e epitetizimit janë të pranishme në shumë vargje dhe ato shërbejnë si shenja përforcimi (si në pikturë), për të depërtuar më shumë në thellësi dhe në botën emocione e në përshkrime, si dhe për t’i spikatur karakteristikat e caktuara të subjekteve artistike. Në këtë poezi e epiteti "e bardhë" përsëritet vazhdimisht dhe është përdorur për ta paraqitur e nderuar tokën. Ky epitet ka ngarkesë simbolike dhe emocionuese. "E bardha" nënkupton pastërtinë e brendshme, një si mosprekje nga liga, por gjithashtu ndërlidhet me viktimizimin dhe dhimbjen e një populli, me krijimin e kontrastit mes një të kaluare të lavdishme dhe një të tashmeje të ngërthyer me sfida. Ky epitet i jep tokës një përmasë të thellë shpirtërore dhe historike.
Në këtë poezi, togfjalëshi metaforik "tokë e bardhë" përsëritet si epitet, por përsëritet edhe si përbërës që e krijon një atmosferë të qëndrueshme dhe të theksuar në gjithë këtë krijim artistik. Kjo përsëritje e thekson rëndësinë e kësaj toke dhe lidhjen e thellë të njeriut me të; gjithashtu i thekson pasojat e sakrificave të mëdha të përjetuara në të kaluarën. E bardha - prodhon ide të vazhdueshme të identitetit kombëtar, krijon lidhje të fortë mes natyrës, historisë dhe ndjesive të popullit. Kësisoj, poezia bëhet më e fuqishme dhe më e ngjeshur me simbole: lexuesi e ndien lidhjen e të bardhës së simbolizuar te pastërtia, te gjaku i derdhur për liri dhe te shenjtërimi i tokës. Pra, është simbol që ndërlidhet me identitetin kombëtar, me historinë dhe luftën për liri. Përsëritja e epitetit e bën këtë figurë letrare të jashtëzakonshme në krijimin e një efekti emocional. Metafora "Tokë e bardhë" shënjon atdheun, kudo që shtrihet ai si truall etnik.
 
2.
Sa shumë kumte mitologjike, historike e figurative na thotë vargu "Bashkë përulemi të Zeusi plisbardhë". Është një frazë që ngërthen në vete shumë kuptime, përcjell mesazhe të thella dhe simbolike. Ky varg është një referencë e drejtpërdrejtë për mitologjinë antike dhe na çon në theksimin e lidhjes me trashëgiminë kulturore dhe historike të lashtësisë.
Në mitologji tashmë është përhapur pikëpamja se Zeusi është perëndia kryesore e mitologjisë greke, sunduesi i perëndive dhe i njerëzve, dhe një figurë që përfaqëson fuqinë, drejtësinë dhe autoritetin. Në kontekstin e poezisë, Zeusi simbolizon një tjetër autoritet të lartë, një forcë tjetër të shenjtë dhe një burim inspirimi. Përmendja e Zeusit si plisbardhë, na referon artistikisht se konceptin e fuqishëm të perëndisë, i cili është i paprekur dhe i pastër, po aq edhe shenjën e lashtësisë shqiptare, e ka ruajtur burimin e vet antik, ndryshe nga popujt tjerë që nuk e kanë këtë shenjë dalluese!
Po përse Zeusi qenka plisbardhë (mu ashtu siç e paraqesin figurat antike)?!
Plisbardhi është fjalë që ka një ngarkesë iliro-shqiptare simbolike. Plisi lidhet me pastërtinë dhe thjeshtësinë. Në traditat shqiptare, plisi është simbol i identitetit kombëtar dhe i lidhjes me traditat e lashta. Kur përdoret për Zeusin, na sugjeron një imazh të pastruar dhe të panjollosur, të paprekur, të kësaj figure, si element i pastër dhe i përjetshëm. Nënkupton gjithashtu nderim dhe respekt të thellë ndaj këtij autoriteti.
 
3.
E, po, ky varg na çon thellë në histori e deri te shek. 19: çfarë ndodhi me trashëgiminë antike ilire?!
Përse ndodhi kështu?!
Mohimi i trashëgimisë ilire dhe favorizimi i kulturës dhe identitetit të grekëve gjatë shekullit XIX, ka të bëjë me një varg gërshetimesh të faktorëve historikë, politikë dhe kulturorë që lidhen me krijimin e shtetit të Greqisë moderne dhe me ndikimin e fuqive perëndimore të asaj periudhe. Ky proces ka ndodhur përmes një strategjie imperialiste dhe nacionaliste, ku kulturat dhe identitetet që ishin të lidhura me perandorinë osmane, si ishin shqiptarët, janë minimizuar e shpërfillur për ta krijuar një identitet të ri grek, të ngjashëm me lashtësinë e helenizmit. Në shekullin XIX Greqia shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1830 dhe një nga prioritetet e para të shtetit të ri ishte krijimi i një identiteti kombëtar të fortë. Ky identitet, për ta justifikuar legjitimitetin e shtetit të ri, do të bazohej në mitologjinë e lashtë që u quajt greke dhe trashëgiminë e helenizmit, duke pretenduar lidhjen e drejtpërdrejtë me helenët e lashtë.
Ndërkohë, shqiptarët u zgjuan vonë: kishin kundër vetes edhe Perandorinë osmane edhe Evropën, edhe fqinjët. Ishte një De Radë me pak arbëreshë që i mëshonte tezës ilire e pellazgjike (krejt i vetëm, andej Adriatikut), kur shqiptarët këndej Adriatikut gati sa nuk e kishin bjerrë kujtesën historike: as që iu interesonte se kush ishin ilirët a arbërorët?! Epika shqiptare kishte humbur tematikën e dikurshme dhe emrat e moçëm ilirë e arbërorë dhe ishte islamizuar me emra të rinj, me tematikë e tradita të tjetërsuara... Tek në fund të shek. XIX Rilindja ndërmori ringjalljen e kësaj kujtese... pasi të tjerët tashmë kishin vendosur narrativë tjetër historike, kishin rindërtuar rrëfimet e mëdha historike kundër-ilire e kundër-shqiptare, të falsifikuara.
U përpoq Rilindja jonë Kombëtare të kundërshtonte në të gjitha anët dhe thuajse krejt bota iu vërsul: na vlerësonte ashtu siç vlerësonte një Bizmark: si shprehje gjeografike! Kjo do të thoshte: një mbështetje për ndërtimin e një identiteti grek të pastër, i cili do të ishte në përputhje me idealet nacionaliste dhe romantike të periudhës, të cilat favorizonin lidhjet me helenizmin dhe kulturën greke klasike. Nga ana tjetër, elementët e kulturës ilire dhe lidhjet me popujt që ishin të përfshirë në Perandorinë Osmane (këltu hyjnë sidomos shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit) u minimizuan, ose u përjashtuan, nga kjo narrativë lashtësisë historike. Kjo periudhë osmane shikohej si një periudhë e errët që shtypte shumë popuj dhe si një periudhë e kaluar që nuk duhej të shërbente për ndërtimin e identiteteve kombëtare të reja. Perandoria otomane veproi kundër identitetit shqiptar e identiteteve të reja nacionale...
Ilirët e pasardhësit e tyre, shqiptarët, që ishin pjesë e të kaluarës së Ballkanit, përshkruheshin si pjesë e një populli të "tjetërsuar" nga periudha osmane. Ky fakt injorohej ose zbeheshin lidhjet e shekullit 19 me elementë të trashëgimisë ilire nga ana shqiptare, pasi e rëndësishmja ishte të përdorej një narrativë që shihte Greqinë moderne si pasardhëse të lashtësisë...

 

4.
T'i rikthehem vargut: poeti nuk heq dorë nga Zeusi plisbardhë. D.m.th. nuk heq dorë nga lashtësia jonë. Poeti thotë: "Bashkë përulemi", pra, na fton për ta shënjuar një akt të nderimit dhe të nënshtrimit ndaj vetvetes, që ka një ngarkesë identitare dhe kulturore. Ky veprim sugjeron aktin e përbashkët, një reflektim kolektiv dhe një shenjë respekti kundër forcave agresive. Poeti dhe lexuesi bashkërisht "përulen" përpara Zeusit plisbardhë, krijojnë kështu ndjesinë e unitetit dhe të përkushtimit ndaj asaj që përfaqëson ky simbol i perëndisë. Përmes këtij vargu, poeti shpreh një thirrje për ta nderuar dhe përkujtuar trashëgiminë mitologjike dhe kulturore. Zeusi dhe akti i përuljes sugjerojnë një përulje të vetvetes para diçkaje më të madhe, siç janë idealet e lashta dhe ndihmat e shenjta që vijnë nga një e kaluar që ende është e pranishme në shpirtin e kombit. Ky akt nderimi ndaj një figure mitologjike ka për qëllim ruajtjen e një lidhjeje të thellë me lashtësinë dhe traditat që ruajnë fuqinë dhe krenarinë kombëtare. Në një rrafsh tjetër kuptimor, ky varg shfaq një ftesë solemne për unitet dhe respekt të përbashkët për atë që ka qenë dhe për atë që mund të jetë.
 
5.
Poeti shkon më tutje: përdorimi poetik i ngjyrave të bardha dhe të kuqe është mjaft i theksuar. Nëse bardhësia lidhet me pafajësinë, pastërtinë dhe dashurinë ndaj atdheut, atrëherë "vija e kuqe" është simbol i gjakut të derdhur për lirinë dhe i jep poezisë një përmasë dramatike dhe heroike.
E, pra, në vargjet "Duan të më shkulin nga vetja / E nga fryma jote / Se nuk ngjaj me të tjerët," poeti shpreh largësinë, ftohjen dhe izolimin nga të jashtmit, si dhe një përpjekje për ta ruajtur identitetin individual dhe kombëtar. Këto vargje interpretohen si qëndrim kritik ndaj përpjekjeve të të huajve që duan të imponojnë vlera dhe ndikime të huaja, mohuese, për ta shpërbërë veçantinë e shqiptarit dhe të kombit tonë. Poezia shpreh refuzim ndaj asimilimit dhe dëshirën për ruajtjen e lidhjes së pasur dhe të pashkëputshme me të kaluarën dhe me traditat, pa u ndikuar nga përpjekjet e jashtme. Më tutje, kur poeti shprehet me vargjet "Mbeta rob i gjakut tënd," ai tregon se është i lidhur dhe i përkushtuar ndaj kësaj toke, duke pasur një lidhje të pandashme me historinë dhe me trashëgiminë kombëtare. Fjala "rob" lexohet si metaforë për pashkëputshmërinë ndaj qenies së vet. Është metaforë e rrënjëzimit identitar, metaforë për mallin ndaj traditës dhe të kaluarës, mall i shtrirë edhe në vargjet e mëposhtme, që përmendin perënditë dhe figurat mitologjike. Sikur poeti a folësi lirik ua shtron kërkesën atyre figurave të lashta e të shenjta që të na dalin në ndihmë, si forca që shënjojnë mbështetjen shpirtërore që të kapërcehen periudhat e vështira të jetës e të ekzistencës si komb.
 
6.
Se poeti parapëlqen raportet poezi-pikturë me mitologjinë dhe historinë, na e thotë edhe vargu: "Afroditën, Dean, Teutën t'i pikturoj." I kërkon lidhjet mes traditës ilire, mitologjisë dhe identitetit kombëtar. Çdo emër ka një kuptim të rëndësishëm, esencial, dhe lidhet me karaktere dhe legjenda që kanë rëndësi të veçantë për identitetin dhe historinë tonë.
Afrodita është një nga perëndeshat më të njohura antike dhe shfaqet si simbol i dashurisë, bukurisë dhe prodhimit të jetës (fertilitetit). Ajo ishte pjesë e besimeve të lashta dhe te ilirët (kaq i ngjashëm me emrin Afërditë që haset vetëm shqip)! Në këtë kontekst, Afrodita simbolizon krijimin, dëshirat njerëzore dhe lidhjet me natyrën dhe tokën, një lidhje që është e pranishme edhe te ilirët.
Dea konsiderohet figurë ilire (perëndeshë ilire, shih: Dea e Butrintit ose “Hyjnesha e Butrintit”), një si testament i trashëgimisë së saj historike.
Teuta është figurë e rëndësishme historike ilire dhe shqiptare. Ajo ishte mbretëresha e ilirëve, e njohur për përballimin me fuqitë romake gjatë periudhës që Roma përpiqej ta zgjeronte ndikimin në Gadishullin ilirik që sot quhet Ballkan. Teuta është simbol i përpjekjes për liri, i patriotizmit dhe mbrojtjes së atdheut, figurë që shfaq forcë dhe guxim në luftën për ta mbrojtur kulturën dhe identitetin tonë nga pushtuesit e huaj. Është simbol mbretërie e kurorëzimi mbretëror... i femrës mbretëreshë.
Folja "të pikturoj" si akti krijues i përfaqësimit të këtyre figurave, ka një domethënie më thelbësore. Piktura interpretohet si akt krijues, ku poeti kërkon ta sjellë në jetë dhe ta rikrijojë mitologjinë dhe historinë e tij. Piktura është formë e shprehjes artistike, kurse krijuesi poet kërkon t'i mbështjellë këto figura me një lulëzim mitik dhe poetizëm, me risjelljen në jetë të traditës dhe kulturës ilire, të cilat janë të harruara ose të nënvlerësuara nga historia zyrtare botërore.
 
7.
Përse janari?
Ç ‘është ky impakt lirik me janarin?
Janari është muaji i shumë humbjeve dhe ngjarjeve (vdekja e Skënderbeut, vrasja e vëllezërve Gërvalla e sa e sa humbje të tjera). Janari e bora: "Borë e bardhë, JANAR!" është varg metaforik që i ndërlidh peizazhin dimëror me proceset që ndodhin në brendësi të qenies sonë dhe kombit. Bora e bardhë është simbol i pastrimit dhe rifillimit, por njëkohësisht ajo është e lidhur edhe me dimrin, një periudhë e ftohtë dhe e egër, që përfaqëson acarin e dhunës, vrasjeve, humbjeve, apo luftën, vuajtjen dhe sakrificat që ka kaluar kombi ynë përgjatë historisë. Janari, si muaj i fillimeve të vitit, shfaq një ÇAST REFLEKTIMI mbi flijimet dhe një ripërkufizim të asaj që është e rëndësishme, THELBËSORE: është PIKA E KTHESËS për ta menduar dhe ndërtuar të ardhmen me respekt dhe nderim për të kaluarën.
Në këto vargje vija e kuqe lidhet me luftën, sakrificën, dhe shpirtin e betejës, që ka kaluar përmes shekujve për ta mbrojtur tokën dhe identitetin kombëtar. Kah fundi përsëri e bardha krahasohet me velin e bardhë të nuses. Në kontekstin e traditës shqiptare, veli i nuses, ndërlidhet me pastërtinë, të shenjtën, virgjërinë, bukurinë dhe freskinë. Veli i nuses është i bardhë dhe simbolizon pastërti, shkëlqim dhe një fillim të ri siç është martesa. Bardhësia është ngjyra që lidhet me diçka të shenjtë dhe të pafajshme. Pamja figurative e vargut "Si bardhësi e velit të nuses" (varg-imazh si të ishte pikturë), shënjon një vlerë të papërlyer, një formë të virgjër dhe të paprekur, që ndërton lidhje të fortë mes tokës dhe dashurisë, mes dhëndrit dhe nuses. Në këtë rast, shënjohet një lidhje e thellë dhe e paprekshme me atdheun, një atdhe që është i pasur me histori dhe tradita. Veli i nuses gjithashtu përfiguron dhe semantizon një marrëdhënie të shenjtë dhe një bashkim, diçka të pastër dhe si besë e pashlyeshme. Si bashkim i ngushtë dhe i pashkëputshëm me tokën e tyre të bardhë, një dashuri që qëndron përtej çdo gjëje tjetër.
Ky imazh sa poetik aq edhe piktural, na sugjeron se "toka e bardhë" është po aq e shenjtë dhe e pastër si veli i nuses dhe po ashtu i atribuohet një shenje të mbrojtjes dhe dashurisë. Aty lidhen breza të tërë.
Simbolika e këtij veli lexohet edhe si shenjë e besnikërisë, besimit dhe e një fillimi të ri jetësor, historik e kohor.
 
7.
Kjo poezi i takon edhe tipit të lirikës së memories historike, që ka si objekt trajtimi përkujtesën ndaj ngjarjeve dhe periudhave historike të caktuara; lirikë që i ndërlidh ato me përjetimet, kujtimet dhe identitetin kolektiv. Së këndejmi, lirika e tillë e përdor fuqinë e fjalëve që t’i ruajë dhe t’i transmetojë kujtimet dhe traumat historike, për ta mbajtur gjallë trashëgiminë e kaluar dhe për t’i analizuar gjurmët ndikuese që ngjarjet e kaluara kanë pasur tek ne. Ka edhe një karakter të veçantë, pasi kjo lirikë krijon një lidhje të ngushtë midis të djeshmes dhe të sotmes, ngërthen një kalim të natyrshëm nga kujtimet dhe ngjarjet e kaluara në reflektimet dhe jehonën e këtyre ngjarjeve në jetën dhe identitetin e qenies sonë sot.
Po ashtu, mund ta lexojmë edhe si mësim nga e kaluara: d.m.th.ne detyrohemi të marrim mësime nga historia që ta formojmë e përmirësojmë të tashmen.
Kjo pleksje shërben për rritjen e vetëdijes nacionale dhe për përmirësimin e rrethanave historike në aktualen. Poeti, përmes kësaj lidhjeje, na thotë se identiteti i kombit është një proces në vazhdim, ku e kaluara është pjesë themelore për formimin dhe ruajtjen e të tashmes dhe të ardhmes.
 
(4 janar 2025)