Poezi nga Panajot Boli

Poezi nga Panajot  Boli
DO TA GJEJ...
 
Durimi nuk u lodh
Aty në breg të Jonit
Duke e mbajtur në shpinë,
Unë,
Arkeologu i çuditshëm
Kërkuesi i guaskave.
 
Kërkoj guaskën
Ku të jenë të vizatuar sytë e tu
Të ëmbla, me ngjyrat e valëve
Të gjej buzëqeshjen tende
Ta kundroj në dritën e diellit
 
Kërkoj...
Guaskën unazë për gishtin tënd të brishtë
E bërë me merak nga ustai det
E lyer me ngjyrë floriri
Nga dora e diellit
 
E shpesh hidhem përpjetë si Arkimedi
Eureka...eureka
Sa e bukur...sa e bukur ... për ty
E vë në syrin e diellit
E vë në syrin e hënës
E ata buzëqeshin
-Ka edhe më të bukur
 
E unë,
Arkeologu i mistershëm
Nuk e humb durimin
Diku është guaska më e bukur e Jonit
Dhe e kërkoj nën dritën e diellit
Dhe e kërkoj nën dritën e hënës
 
Më adhuron shkëmbi i pickuar kaq shumë nga valët
Për durimin që nuk m’u lodh
Stërkala shpresë më hedh deti
-Kërkoje,
-Aty e ke..
-Do ta gjesh...-
 
Dhe unë e kam nxirë shumë kurrizin e durimit
Me rrezet e nxehta të diellit
Me këmbënguljen që më teston me gurriçkat
Lëkurën e këmbëve
 
Guaskën me të bukurën të Jonit kërkoj
Për ty
Të pagëzuar nga dielli e hëna
Në govatën e kaltër të detit
 
Do ta gjej...
Si Odiseja Itakën