Maria Errico (Përktheu: Angela Kosta)

Maria Errico (Përktheu: Angela Kosta)
MARIA ERRICO - ITALI

Sot sjellim për lexuesit e Orfeut poeten dhe Filozofen italiane Maria Errico lindur në Mesagne Brindisi. Nëpërmjet vargjeve të saj, poetja Maria Errico na transporton në një botë të pafundme dhe magjepsëse të Yjeve. Autorja na mbështjell dhe na tërheq me temperamentin e saj të gjerë në një vizion shumë kompleks, misterioz për aq kohë sa është e vetëdijshme se shpirti po arrin majat e pjekurisë. Nëpërmjet figurave të pasura metonimike, atyre retorike dhe metaforave të shumta, lexuesi arrin të “prekë” edhe Supernovën, duke pritur në heshtje shpërthimin kolosal të saj. Në mesazhin mjaft domethënës: “Mos i bëni keq askujt, madje as gurëve... spikat dhe shndërrohet në pozitivitet jehona e kohës e kësaj bote plot përvuajtje. Vargje të cilat mbesin tek lexuesit në kujtesë për një kohë të gjatë.

PAQE... SHËRIM NË BOTË  

Me duar të konsumuara...
Lart në Qiell, ngritur
Vështrime endacake
Fëmijësh të pafajshëm, largohen
Vendosmëri fëmijërore,
Shpirtra Barbarë bredharakë në Tokë. 
Vëllazërohen tashmë Njerëzit
Pushon Shkatërrimi,
Në Botë fluturon Bekimi
Nga Hyjnori zbret Gjithësia
Me Këngët e lavdishme
Ngado endet Drita e Paqes, 
Në Flutur të së Mirës transformuar
Falë Pafajësisë së Fëmijërisë 
Shërimi ripërtërihet
Nga një antipod në tjetrin 
Të Planetit tonë të dashur!

DHIMBJA E BOTËS  

Do ta shuaj nesër Diellin,
Yjet do t'i mbyll
Në një kuti argjendi
Më nuk do ta zbukuroj Hënën 
Me fustan perlash.
Nesër, lulet e adhuruara
Të Pranverës në lulëzim
Me çudi do të zbulojnë 
Gëzimin e përhumbur 
Nga sytë e mi të pikëlluar...
Të zhgënjyer, kërcellin do të përthyejnë
Kur, të trishtuar dhe të lodhur 
Të zhdukem do të më shohin. 
Sot zbulova 
Dhimbjen e Botës,
Tashmë e di që ferri
Në Tokë është rishfaqur
Me Armë Luftërash të mallkuara!

MENÇURIA

Në transmetim
Përralla e jetës po jepet
me zë drithërues, rrëfyes
Lules në Lulëzim
Trëndafilit përkëdhelës
tashmë i zbehur.
Xhuxhja e bardhë,
akoma në Gjigandin e kuq e pashndërruar,
me duart e rrudhura, të kryqëzuara në prehër
e qetë pret...
orën fatale,
shpërthimin në Supernovën e Vdekjes
teksa i zbulon vogëlushes
Misterin misterioz të Entropisë
"Jemi yje, zemra ime,
të destinuar të shfaqemi,
të shkëlqejmë dhe të zhdukemi.
Keq askujt mos i bë:
njerëzve, bimëve, kafshëve,
as gurëve të rrugës
dhe... në vetvete
"Shpëtimin do të gjesh”

Përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese, përkthyese