NË LULISHTEN E HËNËS
Flet dhe unë stepem mbi buzët e tua...
Ato buzë, sapo i prek era vibrojnë
melodi këngësh të njohura...
Shpërthejnë gjithë shumëngjyrshmërinë e fantazisë
së puthjeve.
Të shoh ngultas në sy,
Më rrëmben vallja e ëndrrave...
Nis udhëtimin drejt qiejve me busullë
buzëqeshjen tënde...
Djathtas, në dritare nxjerr syrin e saj
një hënë e lulëzuar,
Hëna e Luleve.
Me reflektimin e saj
në sytë e tu mbjell lulet e saj
Më shikon e më spërkat
me petalet e magjisë së vështrimit.
Sonte mbetem i pagjumë mes lulishtes së hënës tënde.
HAREJA VOCRRAKE
O mik bujar, kur pi mos më shtjerr
Nga bardhaku i madh në gotën e qelqtë
Hidhmë në gotëzën që nxë vetëm gllënkën
E shumta nepsin kurrë s'ma shterr
Dua pikëzën, vocrraken e shtrenjtë
Ngopem me të e më mirë e marr këngën.
Gëlojnë detit tim dallgë rimash
Krahëgjëri shpirt brigjet i përqafon
Pikat këndojnë përmbi shkumë dantelash
Vallzojnë mbi gjoks si balerina
Bien, rrathët e haresë shumfishojnë
Zemrën ma shndërrojnë në pasqyrë perlash.
Përditë gëzim kurrë s'provoj
Pi të rrallën pikëz që s'gjëndet mbi dhe
E infiltroj ngapak në tru e në gurgull
Shendin që zbret prej lotit shijoj
Si t'ekstazës ëndërr, t'jetës hare
Dehem me të e pa pirë bëhem xurxull.
Redaktoi Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese