ARTE FIGURATIVE
KADRI H. KADRIU, piktor (1954-1999)
Piktori emblematik KADRI H. KADRIU u lind në Qirez të Skenderajt në vitin 1954. U shkollua në vendlindje dhe në gjimnazin e Mitrovicës. E donte artin dhe kishte talent si i ri për pikturë. Këtë talent ai e shpërfaqi për herë të parë para publikut më 1972 si nxënës i gjimnazit dhe bëri jehonë ekspozita e tij e atëhershëm. Mosha e re por edhe niveli i lartë artistik i krijimeve të tij në pikturë e vizatim befasuan publikun Mitrovica dhe njohësit e artit .
U anëtarësua në klubin e piktorëve TREPÇA duke vepruar intensivisht në ngritjen e tij si piktor. Shpejt hapi dy ekspozita (1974)me krijime të tij në Mitrovicë e Ferizaj ku u mirëprit e u vlerësua lartë puna e tij. Studioj në Fakultetin Filozofik dhe më 1978 u punësua në Shtëpinë e kulturës në Zveçan e në 1981 kalon në Qendrën e kulturës ,,Rexhep Mitrovica "(sot)dhe për qytetarët e Mitrovicës është i njohur për kontributin e tij të madh në masivizimin e kulturës përmes shumë aktiviteteve e veprimtarive kulturore në frymë kombëtare. Si piktor i angazhuar pos pikturës Kadriu punoj edhe shumë skenografi dramash që u shfaqën në QK. Si: ,,Shtat shaljanët", “Heloiza e Abeladit" etj. Përveç aspektit kulturor, Kadri Kadriu si i ri u brumos me frymën atdhetare. Për shkak të qëndrimit konsekuent, bindjes dhe veprimtarisë patriotike, Kadriun e burgosin me 14.prill 1987 ku iu shtrua torturave mizore të UDB-së dhe u mbajt për një kohë e pas lirimit, atë e largojnë edhe nga puna sepse nuk u shkoj për shtati kërkesave të politikës jugosllave të kohës. Pavarësisht të gjithave, piktor Kadriu deri në vdekje i qëndroj besnik artit të pikturës dhe atdhedashurisë duke krijuar vepra të shumta e me vlerë të lartë artistike që për fat i kemi edhe sot në gjendje shumë të mirë. Veprimtaria artistike e piktorit kryesisht njihet me realizim të peizazhit nga hapësirat tona (Motive fshatrash nga vendlindja - Drenicës, Mitrovicë etj, e që përshkohet me ajrin dhe kolorit shumë të pastër të penelatës së tij.
Kritikët e artit e krahasojnë më peizazhit si Vangjush Mio-n e piktorë tjerë rilindas. Me rastin e njëvjetorin të Masakrës mbi familjen Jashari, Prekaz, Kadriu bashkë me disa tjerë artistë Mitrovica, organizojnë një ekspozitë homazhuese. Me 6 mars 1999 pikturat e tij e tjerëve ekspozohen para pjesëmarrësve të Manifestimit përkujtues në Prekaz të ulët. Vetëm pesë ditë më vonë, me 11 mars 1999, KADRI KADRIU u ekzekutua e më pas u masakrua nga forcat serbe. Një numër i veprave në pikturë ju dogjën, asgjësuan bashkë me bibliotekën me libra të shumtë. Sot familja e tij, vëllai skulptor amator e pasiononte i artit e kulturës Ali Kadriu me djem e familje, kullat e bardha të tyre i kanë shndërruar në Qendër të Kulturës "KADRI KADRIU", me galeri të përhershme ku ruhen me shumë kujdes pikturat e piktor Kadriut, të aranzhuara me shije artistike si dhe hapësirat e rregulluara bukur për aktivitete kulturore: ekspozita, koncerte të vogla, promovime e recital letrare. Duke qenë shpesh pjesë e organizimeve kulturore në këto kulla memorial, tash Qendër e kulturës, për artdashësit e revistës respektive Orfeu, e shpërfaqa shkurt portretin e një prej krijuesve të mirënjohur të Kosovës, piktorin Martir KADRI HAJRIZ KADRIU.
Përgatiti Idriz Berisha-Xhixhi