Fotografi italian Biagio Fortini (Përgatiti Irma Kurti)
BIAGIO FORTINI ka lindur në Ripalta Cremasca, në provincën e Cremonës në Itali. Pasioni për fotografinë e ka nxitur të udhëtojë në shumë vende të botës dhe të fiksojë në aparatin e tij bukuritë e natyrës dhe të portreteve njerëzore. Veprat e tij janë bërë pjesë e shumë antologjive si dhe revistave e gazetave në Kanada, SHBA, Spanjë, Itali, Shqipëri, Kosovë dhe Indi. Fotografitë e tij kanë qenë finaliste në konkurse të ndryshme në Itali.
Biagio Fortini ka fituar çmimin e parë në Konkursin e 12-të Kombëtar të Poezisë, Prozës dhe Fotografisë të titulluar “Jashtë sirtarit” në vitin 2022 organizuar nga Shoqata Kulturore “Testi & testi” në Lecce. Gjithashtu ai është vlerësuar me çmimin e tretë në Konkursin Letrar “La Couleur d'un Poème” 2023, në Milano me veprën: “Dashuri të mbyllura në heshtje”.
Në vitin 2020 u botua nga Shtëpia Botuese Amanda Edit në Rumani libri "Mai multe săruturi decât cuvinte" (Më shumë puthje se fjalë) me fotografitë e tij dhe me poezitë e shkruara nga poetja Irma Kurti. Në 2022, Shtëpia Botuese Academia Barbanera në Itali botoi librin: “Një ditë do të më tregosh”, me foto të realizuara nga Biagio Fortini si dhe me poezi të Irma Kurtit.
Imazhet e fotografive të tij janë bërë kopertina të mbi gjashtëdhjetë veprave letrare me poezi dhe prozë të botuara në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Shqipëri, Kosovë, Rumani, Turqi, Filipine, Indi, Kolumbi dhe Serbi.
Biagio Fortini jeton në Bergamo, Itali.