Panajot Boli – Cikël poetik (Redaktoi Suela Boçi)

Panajot Boli – Cikël poetik (Redaktoi Suela Boçi)
CIKËL ME POEZI NGA PANAJOT BOLI
 
I HARRUAR ME VETMINË
 
Vë dorën në damarët e fshatit tim
Të dëgjoj pulsin
Ca rrahje të ngadalta,
Të dobëta,
Të largëta,
Si nga humbëtira
 
I harruar me vetminë
Poshtë pjergullës së plakur
Në oborrin që s’bzan.
Vetëm jam
Me këngën monotone të gjinkallave
Që nervat më gricin
Dhe dallëndyshen
Që fshehtas më shikon nga foleja
 
Ku u fsheh e marra fëmijëri?
Që trembte gurët
E zogjtë luanin me të?
 
Po gjyshi me gjoksin mbushur me dardha
Që buzëqeshte poshtë mustaqeve?
Tek ne i ndante me matematikë.
 
Po puthja e mamasë
E lënë poshtë jastëkut, mos na zgjonte
Kur nxitonte herët në mëngjes për punë?
 
Mos ishte një ëndërr?!
Heshtja nuk flet,
Heshtja hesht.
 
Në degët e manit
Edhe flladi i lodhur në këtë zheg.
I vetmuar edhe ai
Zgjon gjethet e përgjumura
 
Imazh i çuditshëm i vetmisë
Me një përkëdheli rrënqethëse.
Mos ikën të gjithë në një planet tjetër
E unë ngela vetëm
I harruar me vetminë?
 
Ndodh edhe kjo
Si vajza indiane që i iku fisi
E vetme ngeli në ishull
Mes qenve të egër që ulërinin
 
Heshtja hesht.
E unë ngela i harruar me vetminë
Në këtë planet bosh
Trishtimin ma shtojnë gjinkallat
E dallëndyshja më shikon me keqardhje.
 
PËRBALLJE...
 
Ditët,
Flokëprishura,
Sybuhavitura
Në një mëngjes marrok të mjegulluar
Me marrje mendsh
Para pragut të një stine të zhveshur
 
Netët,
Ëndërrthyera
Akullngrira
Me gërhitjen vajtuese të kukuvajkave
Me pëlhurën e territ
Që merimangat i tjerrin agut me zell.
 
 
Unë,
Shpresëvarur
Shpirthutuar
Në degët e një peme si gjethe e trembur
Në kërcënimet e erës
Gjenerales së sertë të stinës së zhveshur.
 
Mali,
Shtatbukuri
Urtishumi
Dorën më merr në dorën e tij të ashpër
I gërshetojmë gishtat
Aleancë bëjmë, kundër stinës së zhveshur.
 
NË MAGJINË E AGUT
 
Pa u nxituar zbret nga shpatullat e maleve mugëtira
E papritur tretet në gjoksin e gjerë kaltërosh të qiellit
Ylli Polar vë në rresht yjet e lë pas një vazhdë gjurme
Të dritësoj syrin e agut dhe të lyejë rrezet e diellit
 
Po zgjohen edhe zogjtë dhe akordojnë telat e violinës
Tërë kënaqësi shtriqet dita në gjumin e ëmbël të verës
Flladet u bënë kaq romantike e i përkedhelin fytyrën
U dehën dhe lulet e duan të koloviten në krahët e erës
 
Zgjohet edhe deti e i mbush mushkëritë me aromë agu
Stërkala i hedh vajzës që s’ngopet pranë tij që pagdhirë
Pranë tyre e ulur edhe magjia e agut, një tjetër mbretëri
Ja, do të vijë dhe pulëbardha me të dashurin e saj të mirë
 
LOTI...
 
Kërkonin shpirtin e shkëmbit
Si është?
I bardhë?
I fortë?
 
Me vare i ranë
Asgjë.
Ca cifla ranë
Nga lëkura e tij
 
Kërkonin shpirtin e shkëmbit
Si është?
I butë?
I ashpër?
 
Natë e ditë i hodhën shi
Mandej edhe borë
Asgjë.
Fytyra e tij ndriti edhe më shumë.
 
Kërkonin shpirtin e shkëmbit
Si është?
I ftohtë?
Pa ngjyrë?
 
Diellin i çuan mbi kokë
Me rrezet e tij ta marrë me të mirë
Asgjë.
Vetëm damarët i ngrohu
 
Kërkonin shpirtin e shkëmbit
Si është?
I ëmbël?
I hidhur?
 
Një lot dhimbjeje, i vunë mbi ballë
Në faqe i rrëshqiti
Nuk duroi...
U ça kraharori.
.........................................................................

 

Redaktoi: Suela Boçi