Mimoza Maria Ajdhoni - CIKËL POETIK

Mimoza Maria Ajdhoni - CIKËL POETIK

CIKËL POETIK

Mimoza Maria Ajdhoni ka lindur ne Gjirokaster, më 4 Shkurt 1968. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme "Asim Zeneli" në Gjirokastër. Aktualisht jeton së bashku me familjen e saj në Athinë (Greqi) që nga viti '91. Hobi i saj është letërsia. Në Maj 2023 botoi vëllimin e parë me poezi " Labirint".

 
FARI IM
 
Në kullën magjepsëse që pushton skenën,
pres perëndimin të ndez farin tim.
Pluhuri i dritës të jetë udhërrëfyes
për natën tënde, marinari im.
 
Ngjaj si Helios, perëndia e diellit.
Në dorë mbaj një mangall të ndezur.
Nuk mendoj për agimin shkrirës.
Sytë e mi nëpër errësirë enden.
 
Nga ky far hijeshiegër e i vetmuar,
e veshur me mister, e veshur me dritë,
përpiqem të shmang vonesën tënde,
të ndaloj dallgët, të largoj shkëmbinjtë.
 
KOKËPOSHTË
 
Vendosa t'i shoh gjërat kokëposhtë:
Qielli misterioz që është poshtë meje
nuk ka harruar të marrë me vete yjet.
Nën këmbët e mia edhe gjallërimi i reve.
 
Shoh silueta kokëposhtë si në një shfaqje cirku,
gjethet e pemëve që ngjyhen në të kaltër.
Prek me ca gishtërinj abstraktë ajrin
që ka të njëjtën rrahje krahësh.
 
Duke shijuar kokëposhtësinë mbyll lehtas sytë.
Lehtas prek ca germa gungëzvarritëse.
Përpiqem të shoh edhe një ëndërr të përmbysur,
por humbas mes zërave e mahnitjeve.
 
MIMOZAt E PORTRETIT TIM
 
Qetësi marramendëse në dhomën time,
një mesnatë nga të tjerat disi ndryshe.
Syte e mi humbur te korniza përballë.
Pse m'u duk befas se aty ishe?
 
Shkund veten e tëra dhe të pyes:
 - Është vonë, nuk ke fjetur akoma?
Përgjigje kërkoj në sytë e tu.
Si t'i mposht ndryshe orët e vona?
 
Jo, aty s'mund të ishe ti.
U marrosa?
Aty ku portreti im ishte dikur,
ti vetë e zgjodhe fotografinë time,
me ngjyrë të verdhë kishe lyer atë mur.
 
Ty mimoza të pëlqente të pikturoje,
me ato e rrethove portretin.
Dikur qeshja me shpirt kur më thoshe:
Do doja me të verdhë ta pikturoja detin.
 
KTHINA IME
 
Nuk me mjafton ajri,
në kthinën time të vogël përvidhem,
më tërheq shumë magjia e saj,
mes përjashtës dhe ëndrrave kacavirrem.
 
Përjetoj aty pandalshmërinë e kohës,
momente dalldie që ndezin heshtjet,
duke ndjekur befasitë e muzgut,
përtej pjerrësisë së parehatshme të pseve.
 
Jam një det i qetë në kthinën time.
Të humbas mes librash dua,
pastaj dua të zhytem në sytë e tu.
Kudo që të jesh, jeton në mua.
 
(Shkëputur nga libri "Labirint", poezi, Sh.B. "Muzgu", Tiranë 2023)