Mevlyde Mezini Saraçi - GRUA JAM

Mevlyde Mezini Saraçi - GRUA JAM
GRUA JAM
 
Grua jam edhe kur flas me natën vetmitare
Përplasur kohës shtrigë të dalldisur
Mbi supet e mija mbartë dëshmi shekujsh
Dashuri që rrezaton dashuritë e humbura
Me shikimin e zjarrtë djegë përrallisjet e fatit
Ujëvara e lotëve të mi rrjedhë si gurrë e pashtershme
Si hije udhëtova kapitujve të mbuluar me mykun e harresës
Nën ledhatimin e hënës i shtrydha ndjenjat e pikëlluara
E tani u ri zgjova me buzëqeshjen e vrarë motesh të trishta
Pa pasur asnjë dëshmitarë nga zgafelle e tmerrit
Nuk e di në jam grua, jam hije njeriu apo qenie e mallkuar
E ripërtërirë nga ëndrrat e mija të ringjallura
Miliona herë të kam pëshpëritur në veshin e shurdhër
Pranoje dashurinë e madhe që kam për gjithë botën
Ndryshe mos e drejto gishtin as shikimin e vëngër nga unë
Se të vret shigjeta jote drejtuar shpirtrave të virgjër
Grua jam grua o njeri që nuk njeh as veten tënde
Grua që me paqe e dashuri mbaj botën në pëllëmbë dore
Për t’ ia shëruar plagët nga mallkimi i epokave të errëta