Elisabetta Gockaj, poezi

Elisabetta Gockaj, poezi
MË MUNDON VEÇ MALLI YT 
 
Nënë…  
për mua mos u trishto,
se këtu i kam të gjitha,
më mundon veç malli yt,
toka… gurët… fëmijëria…
 
Kam qenë çapkën, shumë i hedhur,
dy gurë sokakut s’i lija bashkë,  
por ty s’të pashë kurrë të mërzitur,
a të më bije me një shuplakë.
 
Çudi… 
tani jam bërë baba,
dhe e teproj ndonjëherë 
kur çamarrokët bëjnë shamata
unë zërin papritur ua ngre.
 
I’u jap dënimin me një këmbë,
të rrinë një orë prapa dere
Mësuese Leta ma la moj nënë  
këtë peshqesh të keq për vete.
 
Po, eh tani... ç’kujtoj dhe unë,
gjithçka të shkuar që s’është më,
por vesi i saj më paska lënë gjurmë  
dhe pse… s’e dua aspak atë.
 
Ti mos mendo të jem kaq i keq,
se zemrën tënde mbaj në gji,
dënimin e tërheq shpejt
i’u jap vëmendje, edhe dashuri.
 
Më thuaj: ç’të kënaq më shumë? 
Një shall, një çantë, apo një pallto? 
Të gjitha do t’i blej unë  
po mallin nënë, si ta heq qafe?
 
Të të marr këtu?  
Ti do trishtohesh…  
për shtëpinë që le braktisur,
për të pirë kafe me ndonjë shoqe,
duke qarë hallet në gjuhën shqipe.
 
Mos më gjyko për ikjen time!
Nuk ish dëshirë, por ishte vendim…  
për t’iu bërë jetën më të mirë fëmijëve,
harrova, nënë… për të marrë frymë.
 
Mendoj të kthehem, por ti më prite, 
mos u dorëzo… përpara kohe,  
më ka ngelur edhe ky vit,
të marr pensionin e kësaj lodhjeje.
 
Çdo çast e di që më mendon
se ty meraku s’të lë rehat,  
por unë moj nënë nuk ndiej ftohtë, 
trikon e leshit mbaj hedhur krahëve.
 
E shoh... në të kaq dashuri
kaq mund, në netët e pagjumë.
Si s’i kisha parë?! Çudi...
kur ty të shihja, duke e thurur.
 
Po largësia qenka e hidhur,
si flet duhani të shkon në fill…  
të copëton gjoksin në mes gjerpryeri,
e keqas ta gjakos këtë shpirt.
 
Gjithë ditën, nënë e shkoj në punë,
s’më ngelet kohë as të marr frymë. 
Ky emigrim nuk qenka luks,
por qenka një i rëndë dënim.
 
Ndoshta po e teproj, sa pak, 
duke u qarë në këtë rrëfim,
po malli, nënë, s’më lë rehat
më bën ta shoh jetën të trishtë.
 
Por sa mendoj lodhjen tënde
gjithçka më duket e lehtë pendë
veç kam nevojë për pak vëmendje
për dashurinë që jep ti, nënë.
 
Përgatiti për botim Angela Kosta