KOHA
Të thosha ec bashkë me mua, ec
Të ikim nga kjo skëterrë moderne
E panatyrshme dhe antinjerëzore.
Por ti për asnjë çast nuk më dëgjoje
Dhe ecje si e dehur e vëngër më shikoje,
Turrevrapja ime e çakorduar.
E mua më lije në vendnumërim
Me njëmijë e një plagë në trup e në shpirt,
Herë të akullt e herë të përvëluar.
E tash, kaloshe e harbuar,
Kur po të them të pushosh me mua,
Sërish nuk më dëgjon dhe si e çmendur vrapon
Udhëve të panjohura, shtigjeve të pambarimta
Turrevrapja e fatit tim të pashkruar.
Unë kurrë bashkë me ty, kurrë
As atëherë, kur vetëm pjesën time
E ndalje, e gozhdoje, madje përgjakshëm,
E mua më lije shekuj prapa,
Unë kurrë bashkë me ty, kurrë
As tash kur ecën shekuj para meje.
Turrevrapja ime shekullore.