Meri Bo - PARAJSA IME !

Meri Bo - PARAJSA IME !
PARAJSA IME !
 
Qielli,
qe rri mbi ballin tim
është gjithmonë i pastër,
pa re, pa stuhira dimri
dhe pa grinë e tij të përhershme.
 
Qielli im,
nuk vret ëndrra,
nuk ndjell hijena,
nuk sjell hidhërime.
 
Qielli im,
ka sytë dhe zërin e tim biri
nuk qëndron mbi kulla letre
dhe ndërtesa prej rëre,
themelet e tij nuk kanë gurë të rremë.
 
Qielli im,
riciklon shpresën
luan me zogjtë me violine
dhe sjell aroma pyjesh veriu.
 
Qielli im
beson tek unë dhe dashuritë shpirtërore
 
Qielli im
është si fytyra jote,
mbas puthjeve te djeshme.
 
Qielli im,
ka ngjyrë transparente
dhe flet vetëm shqip !