TI MUND TË JESH...
Ti mund të jesh këngë e fshehur
Që s’të ka dëgjuar askush deri tani
Qëllimisht ruan zërin e jehonës
Dhe melodinë e kohërave të thinjosura
Një ditë mund të vish tek unë
Bindu, asgjë s’dua të ju marr
Pos jehonën e fshehur të melodisë
Nëpër vrimat e fyellit dhe të ashtit
Aty gjej historinë e popullit tim
Që zgjat telat dhe penjtë e dhembjes
Dhembja e kohës ka shtrirë fluturimin
Në asht, në nerv dhe në palcë
Veç shpirti ka mbetur qëndresë e pathyer
Nëpër stinë të ngrysura nga stuhitë
Ti eja, eja vetëm me fyellin e kohës
Falma një të vetme melodi
Kujdes, vrimave të fyellit mos ka hyrë diçka n’mes
Se ato mund të nxjerrin
Nota të dhimbshme, të trishta apo elegjiake
Nota, që s’do të dija si t’i quaja
Ti mund të jesh jehonë e kohës
Që secili dëshiron të ju dëgjojë
Unë, me atë jehonë, mund të udhëtoj
Ti fyell, ti këngë, ti melodi
Gjithnjë pranë syve dhe veshve të mi...