Antigona Marku - Cikël poetik (përgatiti Angela Kosta)

Antigona Marku - Cikël poetik (përgatiti Angela Kosta)
CIKËL POETIK NGA ANTOGONA MARKU
 
Antigona Marku ka lindur në qytetin e Pukës.  
Pasioni për letërsine e ka kultivuar prej shumë vitesh. Ka shkruar vazhdimisht: poezi romane, proza dhe libra për femije.
 Botimet:
- Në anën tjetër të diellit (roman)
- Pak... (poezi)
- Në malet me borë ka jetë (novelë)
- Engjëj të dënuar (roman)
- Shtëpia prej pluhuri (roman)
- Përtej imagjinatës (proza)
Shtëpia me çati jeshile (përrallë)

ZEMRA
 
Zemra, shtëpia e gjanave ma t'bukra
Plot me oda
E odat plot me zbukurime
T'reja e t'vjetra
Të tana kristale t'çmume
Zemra, shtëpia e shumëkujt
E fortë sa edhe e harrnume ban
Që ka sy e veshë t'mpehtë
Për vedi e për shpirt
Që n'çaste të vështira e fortë mbahet
E me ba me e pa nër oda t'veta
Prej mërzije të tana gjanat i ka thy
Kjo zemër fal tanë kohën
E nuk man inate
E nuk rrin kurr pa dashni
Zemra pra, shtëpia e gjanave
Ma t'bukra
Tanë jetën e saj ka me e kalu
Tuj mledh e tuj njit'
Copat e thyme t'gjanave
Nër oda t'saj.
 
VAJZA JEME 
 
Asaj i ka dalë gjumi
Fërkon sytë e saj blu
Largon mbulesën ngadalë
Çohet ndenjur, sheh nga dritarja
Me flokët e shpupurisun
Me ngjyrën e arit
E sytë e saj më shumë se kurrë blu
Si qielli i këtij mëngjesi
E këtij qielli ata sy 
I ngjajnë për ditë
Zbret nga krevati
Me këmbët e saj të vogla
Zbathur, ecën për nga unë
E unë mahnitem duke e parë
E gjith bota është kjo krijesë
I gjith qielli është aty
E gjith dashuria ime
Është tek kjo vajzë e vogël
Më kërkon me sy
E mbasi më ka gjetur
Me të gjith forcën e zemrës 
Më therret: "Nanë"
E un hap krahët sa mundem
Në përqafim, e pres e i them:
"Hajde te nana, o jete, o dritë"
E kjo është vajza ime
U them të gjithëve
Për ditë...
 
NËNË E BIJË
 
Asokohe të vishja,
kujdesesha që të dukeshe bukur dhe e lumtur.
Sot kujdesesh ti për mua:
më vesh me kujdes e shumë dashuri.
Asokohe ndërsa të shoqëroja në rritjen tënde,
shpesh bëja teatër e recitoja me shumë pasion
përpara teje e veç për ty.
Sot ti lexon për mua pjesë të ndryshme librash
që të ma bësh të bukur, të ma plotësosh ditën.
Asokohe kur unë ikja në punë 
edhe kur kthehesha 
të mbuloja me puthje, 
më merrte malli shumë për ty.
Sot ti kthehesh nga puna 
e nuk bën asgjë pa më përqafuar mua.
Asokohe kur të vija në gjumë 
të mbuloja mirë e mirë
të lëmoja flokët e lutesha shumë për ty.
Sot ti nuk shkon të flesh,
me shume dashuri më mbulon 
dhe më përkëdhel.
Asokohe nuk lije 
fustan a këpucë të miat pa veshur e provuar
edhe pse të rrinin të medhaja 
ti qeshje shumë te pasqyra.
Sot mundohesh me të tuat bizhu
ta zbukurosh timen pleqëri duke më thënë:
"Mama sa e bukur je ti"!
Atë ditë kur erdhe në jetë dridhesha nga lumturia,
e kur të mora për herë të parë në duar 
të shtrëngoja fort e me vete thosha:
"A do të jem në lartësinë e duhur 
për këtë fëmijë, këtë mrekulli"?
Sot e ndiej në të tuat përqafime 
se zëri të dridhet e fryma ritmin ta ndërron 
e di se me vete thua: "Nënë si do jetë pa ty"?
Eh, sa shumë asokohe 
e tani veç një gjë jeton në kohëra
e përjetshme kjo lidhje e jona
nënë e bijë.
 
Përgatiti: Angela Kosta Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese