Ismail Syla - TIRANIA E PROVERBAVE SHQIPE

Ismail Syla - TIRANIA E PROVERBAVE SHQIPE
TIRANIA E PROVERBAVE SHQIPE
 
1. Virgjëria
 
Shtegun thyeje vetë e mos kapërce
Nëpër atë që e ka thyer dikush tjetër
Është udhëzimi popullor me rrotulla
Që vajza e bërë grua të jetë e virgjër.
 
2. Zotësia
 
I zoti mbyll dymbëdhjetë dyer me një shul
Është ai që vë nën fre një duzinë me dobësi
E kokrrën e melit e nxjerr nga barku i gjelit
Ai që ka dhjetë barqe e mbi dyzetmijë lubi.
 
3. Katarsisi
 
Dhembja e kokës nuk ikën jastëkë duke ndërruar
Se as galat nuk u bënë të pastra kur ndërruan vend
Vetëm kur në shpirt urrejtjen do ta kesh përvëluar
Bota është e  bukur, shikon me sy e sheh me mend.