MA VRANË
Ma vranë fjalën paqe
Me plumba, me predha, avione.
Ma vranë fjalën paqe
As vaji i nenave, as klithma e fëmijëve,
se zgjuan dot...
Vajtuan mbi te me gjak e lot
Ma vranë fjalën paqe
me heshtje
Me shikime pas ekraneve, skenarëve makabre ma vranë
fjalën paqe
Me shurdhërinë ndaj
gjëmimeve ndaj rënkimeve
ma vranë fjalën paqe.
Me verbërinë ndaj masakrave ma vranë fjalën paqe.
Me indiference, influence, ma vranë fjalën paqe.
Sikur te ishte një skenar filmi dhe në një moment te thuhet luftës ndal...
A ka njerëz të gjallë...?
Rënkon botë e vrarë...
Dua të frymoj paqe...
Pafytyrësia veshur me kostum
ngërdheshjen aksesor papion,
këpucë skllavopronari lëkurë gjarpri
sfilon pasarelave të kohës
dhe shkel filizat e të vërtetës së jetës
Si në kohën e mesjetës…
TI
Erdhe ti,
dhe diellit
i bën hije
hënën verbon
me refleksion
yjet i mbolle natës
si xixëllonja…
Dhe unë
vetvetiu
si një satelit
futem në tënden
orbitë…
EJA N’SHKREL
Me bukuri hyjnore malësia e Shkrelit krenare
deri në qiell pret përmallshëm shiun lirik të vargjeve..
Kreshnikët Muji e Halili u zgjuan sot
nga mjegullnaja haresë shekullore e na bajn ‘za….
-Eja n’Shkrel! - E kreni t’kreshnikëve merr…
Eja n’Shkrel n’desh me i dhan frym
mendjes e me i thirr arsyes nëpër jehona
heejjj more heeej…
Eja n’Shkrel e fol me zotat bashk në nji kuvend, e mos shit men’…
Eja n’Shkrel e merrja bekimin e diellit kur del
e amanetin e çdo perëndimi …
Eja n’Shkrel e pi uj t’zanave qi t’vetmen dredhi me menu ka me t’shitu…
Eja n’Shkrel e kreni’ t’kreshnikvet’ merr
E mos lejo,
kurr ma me t’a shkel….
Anija e jetës ngjesh valët e dhimbjes mbi detin e shpirtit,
dhe rend drejt strehës së dritës “perëndimi mbi det shpirti”
është rilindje…
MË LINI
Më lini të tretem
në një rreze dielli
në një sumbull vese
piklë uji të mbetem.
Më lini të shkrihem
në një fjalë të vetme
që i jep kuptim
abstraktit të kësaj jete.
Më lini të jem
ai tingull i ëmbël
që nga zemra e dashuruar
vrullshëm shpërthen
Më lini të jem
ai shpirt i lirë
të kthehem në varg
e bukur dëshirë.
Më lini të jem lule
që çel në çdo stinë
të thahem, hedh farat
veç për dashurinë..
Udhëtoj
me fatin për dore
nëpër ëndrra
uritur dashurie
çdo natë kafshoj hënën
deri në sosje.. drapër..
E hëna
kthehej më e re
më e bukur
më e mbushur
çdo natë
rrezonte dashuri
vetëm për mua,
Unë përsëri
e uritur
në vesh të hënës
pëshpëritja..
Të dua.. Të dua.. Të dua..
ZHYTEM
nëpër vargje..
Herë herë dal në sipërfaqe
ndërroj faqen
konvertohëm në rimë
për një përshtatje,
në metaforë
për të duruar një përplasje
ku shpirti mbetet
varur në një varg
e strofa e qelqtë si një gotë
gjysmë bosh e gjysmë plot
herë me verë e herë me lot.
Më dehën këto ngjyra
vjeshte,
melankoli
trishtim dënesje..
motive pikturash
modeste
qetësisht shpirtin
më veshte
Një poezi vjeshte..