Emi Krosi – Poem

Emi Krosi – Poem
PËR TY AMERIKË
(si mirënjohje për Presidentin Bill Klinton)  

 1. përtej brigjeve të Atlantikut,

horizonti gri derdhet,
vitheve të murgjashe të tokës së indianëve të kuq,
retë si kalorës vrapojnë ujdhesave të qiellit,
zgarvat e planeteve,
si duar miope,
tundin lisharëset e diellit,
kurse koha me paterica ecën,
mbi tokën e shkretë të Eliotit.
I akullt ajri,
ku fshihen skelete yjesh,
dhe hëna me putra,
çel lulesa limonësh,
në bregun me dallgë e shkumë,
se ledhet e plakura të ullinjve,
grisin planete me thonj.  

2. zgjohem nga hija e kaktusit,

teksa mjellmat pjalmojnë ujin,
gjurmët janë hije,
që rrokëzohen asfalteve të brymta, 
në paqe gri.
Globi,
aborton nga pelena të shurrosura,
emigrantët,
gjithfarë njyrash dhe racash,
europianë, aziatikë, afrikanë, zezakë, indianë,
hapësirave të virgjëra,
indianët e kuq,
teksa kaishin kuajtë larushë,
si asketë të heshtur,
lexojnë profecitë,
nën hi.
Amerika e indianëve,
me pyje të diellta,
dhe kuaj hamshorë,
në floknajën e gjetheve,
të kaftë gëzofët e pemëve,
shqiponjat e bardha,
shpupurisin flatrat,
mëngjezeve me ujëvara dritash,
si memece, alfabetin rrokëzoj,
për të shkruar fatin e botës,
ashtu edhe fatin e tokës time,
pse jo dhe fatin tim!   

3 ...dhe ëndërrat e mia,

që zgjohen si murgjit me apokrife,
në hirnore me bishta cigaresh,
të pluhurta rrugët,
me kafka trotuarësh,
lëngojnë plepat,
kur vesha lëkurrën e imagjinatës,
në fluturimin me Boing,
të ujëta honet e oqeanëve,
me bark xixëllonjash,
në platformën e J. F. Kenedit,
në pragmbrëmje vonë,
me valixhen e vjetër,
duke pritur një taksi,
për Brooklin NY (*22)
Femërore Statuja e Lirisë,
si dreqi më fton në mëkat,
teska vithet e ftohta ia lëmoj si hienë,
një Safo e vogël lesbike,
rrokaqiejtë pinë në kupa retë e kripura,
nga musonet e Atlantikut, 
kur lëpijnë gishta gjethesh,
perëndimeve të lagura,
që nderin si hamejtë,
pëllumbat e bardhë,
në kafka hotelesh, motelesh, kazinosh,  
trenat e natës me të fjetur,
skaj më skaj New Yorkut
të dehur,
homoseksulë,
kinezë,
dhe sytë shqyej në errësirë,
të skicoj ndonjë ngjashmëri,
me atdheun tim të largët,
të varfër,
me kolibe prej plasmasi,
vetëm iluzione të tymta nga Hoollivudi, (*23)
si flutura agimesh,
që kridhen mbi petale,
në platenë e Madiosn Square Graden, (*24)
përtej kafkave të qelqta të Manhatanit, (*25)
kërkoj kufomën e vetes time,
në turmat depersive të urës së Bruklinit,
mespërmes Wall Stritit! (*26)  

4. farat e qiejve,

në sqepa zogjsh,
mbi lëkura lëndinash,
lakuriqe janë aromat e blerimeve,
tek fshihen zgarvave të Central Parkut,
brirëdrerët mbi borë,
në semaforët që mastrubohen,
pritjeve të gjata,
asfaltë të grinjëta,
numra kilometrikë,
tabela rrugësh,
numra autostradash,
sinore kufijsh,
kryqe katedralesh,
dhe unë që endem...endem,
horizoneteve të mishta të Amerikës,
ora ime,
me fosfor të plakur,
nuk regëtin nën rigën e shiut të akullt,
koha ime gugaçe,
luloj mbi një qershi,
kokërrpjekur,
vithengritur një negre kaçurrele,
pa çorape mishi në janar,
kofshët e trasha me celulit,
ekspozon në stacionin e madh,
“Grande Central Terminal”. (*27)  

5. m'u karbonizuan cigaret,

teska grinden në hirnoren time të drunjtë,
macja më gudulis kofshët lakuriqe,
kur shkurrojnë netët si kurva të trishta,
në shpirtrat e mi,
mijëra dashuri kanë vdekur, 
kur gogësijnë plehrat,
kur belbëzojnë paqet,
kur vdesin urrejtjet,
nga fosile shkretëtirash,
aty, një melodi e vjetër,
më mori hënën, 
përmes kafeneve të vona,
dhëmbët e arta të funditës,
rrugëve të Harlemit, (*28)
të dehur me shkulme orgazmash të zeza,
dhe drogë,
dhe sex,
dhe fëmijët plot pluhur me turma të shurdhëta,
sepse duhmat e uiskit,
si vullkane derdhur,
nga kërcimtaret zezake,
 ashtu të përskuqura deri në agim.
 
6. kam humbur

në kopshtet e Babilonit,
ngjiten shkallëve Hyjnore,
me pushvese mbështjellë,
kolosët gjigandë të paqes,
(atje në shkëmbinjtë e Mount Rushmore, (*29)
në Black Hills, ashtu të dritësuar,
duart mbajë kohën, si një pishtar),
si pulëbardhë ujërash,
çelin lulesa madhështitë,
teksa honet e ëndërrës time,
derdhin pigmente ylberesh,
dhe hungërin liria e përgjakur si ulkonjë,
se shirat grimcohen nëpër netët e shkrumbëta,
kur një çengel hëne rrëzon dritën mbi puse,
kur spektatorët e heshtur,
përtej skutave të prostitutave,
derdhin indiferentisht ekstaza,
paradoksalisht,
verbërisht
shurdhërisht,
kur vajzat përdhunohen,
kur vriten fëmijët,
kur rrënohen kombet,
një vajzë… një vajzë shqiptare,
në rrugë të ëndërrta zgjat duart drejt yjësive,
të pluhurta,
me plot mantele galaktikash të panjohura,
nën një qiell të madh amerikan plot zhurma,
ku lartësitë, përtypin ozonin poshtë qiellit!

7. sot, s’ka më asnjë gjethe në Park Avenue,

(tani në Prill ka rënë borë,
dhe një bjonde në Manhatan,
pa çorape nailoni veshur hollë në të ftohtë),
po mëkonte qenushin e saj lëkurëpurpurt,
duke tundur vithet,
përmes mijëra njerëzve që vetëm vrapojnë,
kurse unë përtyp një çamçakëz.
Aty, në Long Island-in,
vranga bore,
si vezë pulash shqerake,
bërrrr-bërrrr... sa ftohtë,
dhe duart i ngroh me frymë,
sepse klima e vendit tim mesdhetar
(atje ka filluar plazhi,
të skuqur nga dielli si sanduiç i shtypur),
në autostradën nëpër Amerikë e Allen Ginsberg, (*30)
kërkoj vetëm ca cent,
në një dyqan kinez,
me gjëra të lira,
apo një supermarket i tërë,
me ushqim aligatorësh, zvarranikësh,
"vetëm një ujë", - ju lutem,
-një ujë të thartë “Made in USA”,
nuk besoj të jetë nga ndonjë kanal,
se ca alga të kalbura,
janë ujtësur, ashtu si kjo mesditë
me kanavacë bojërash,
me miliona hijesh që ikin…
…ikin,
ca me vrap,
ca me hapa,
me metro,
autobuz,
kurse, një endacak që më preku vithet,
duke mërmëritur:“ love, love America…”
humbi mespërmes taksive të natës,
për takime të fshehta dashnorësh.

8. nuk kam kohë të mbledh lulëkuqe,

nëpër semaforët syenjtur,
kur lexoj Times-in, apo shoh filmat e Steven Spielberg, (*31)
mespërmes shiut eci kuturu,
se jam një kokërr orizi në Nju Jorkun e Madh,
Midtown, Bronx, Queens, Brooklyn dhe Manhattan,
(në Bronx, thashetheme me ca shqiptarë,
për çështje politike, derisa u kacafytëm mes vetes,
se X dhe Y janë spiunë, po, po, spiunë të Enverit,
në OKB, apo në Kapitol Hill),
viseve krejt të diellta të White House,
a do ta takoj sot Trump-in,
Bushin, apo dhe Clinton??!

9. nuk dua të jem e huaj,

hej dreq, nuk kam më internet,
diku në një cep, një McDonalds
“to eat breakfast”, një hot-dog,
por jo, - jam me dietë,
nuk e dua kolesterolin e tepërt,
hëmm, jam vonë,
bileta ime,
numri i getit,
numri i fluturimit,
numri i barkodit,
por s’kam rrjet
dhe nuk mundem të lidhem,
kur një kamarier meksikan më buzëqesh:
- Haw are you, - duke më joshur si djalli.
 -Nuk flas anglisht, -ia kthej e nervozuar,
bëj sikur, po fut kodin e wi-fi -së,
por ai, tinëzisht e kupton hallin tim,
hallin tim them,
hallin, hallim për një selfie
në tik-tok,
në Instagram,
por ai po pret,
për porosinë,
për llogarinë,
për ikjen time,
për stacioni e fundit,
por orarin e taksisë
 (se taksitë në Nju Jork,
 janë tmerrsisht zvarranike).
 - Akoma nuk më the,
-se nga jeni zonjë? 
"Puuuu, unë zonjë"?!
-Ik o pirdhu, - ia kthej shqip.
Po, po, jam shqiptare dhe mesdhetare,
që pi vetëm cigare,
nuk bëj sex oral, as pi mariuanë,
vetëm kafe expres, jo një Long Black, (*32)
përtej një tabele hekurudhe,
krijesa të zveshura të rrugëve të ftohta
akull, akull, nën borën e fundit!

10. në udhëtimin e fundëm gjatë natës,

ku palca e ajrit është mykur,
antenat e insekteve flenë,
kur fluturojnë satelitët mbi lumin Hudson, (*33)
dhe qenia ime zhytur nën terrin e shpejtësisë së trenit,
ku asgjëja bëhet frymë,
gërhitje,
hungërima e ndonjë qeni apo maceje,
që putrat ia gllabëron fëshfëritja
e shinave të ndryshkura,
me valë argjendi nga oqeani,
në ikjen time përtej honeve,
përtej honeve të vetes,
të frikës,
të lamtumirave,
të përqafimeve,
të rrokaqiejve,
të amebave të pluhurta,
që pushërojnë stinët gri,
gri, gri të Nju Jorkut.
Lamtumirë...
apo Good Bye!
_________________________________________ 
*22 lagje, në Nju Jork.
*23 Hoollivudi, qytetit i filmit.  
*24/25/26 (emra vendesh të njohura në Nju Jork).
*27 stacion metroje, në Manhatan, Nju Jork.
*28 lagje, ku jetojnë zezakët, në Nju Jork.
*29 shkëmbinj, ku janë skalitur fytyrat e katër ish- presidentëve të Amerikës, në Dakotën e Jugut.
*30 Allen Ginsberg, ka shkruar poemën “America" në vitin 1956, ndërsa ai ishte në Berkeley, Kaliforni.
Ajo është pjesë e përmbledhjes së tij “Ulërima”], dhe poezi të tjera të botuara në nëntor 1956.
*Steven Spielberg është regjisor dhe producent filmi në SHBA.
*32 lloj kafeje, ekspres amerikane. 
*33 Hudson, lumë në shtetin e Washingtonit.
 
(Emi Krosi,1-15 Shkurt, 2000)

Përgatiti Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese