Kastriot Malo - poezi

Kastriot Malo - poezi
AS VJESHTA
 
Ne ishim zënë dhe vjeshta po vinte,
mërinë s'e kishin çuar kurrë kaq gjatë,
kjo heshtje prej murgu ky terr zemërimi,
e vrarë dukej tani kjo dashuri e zjarrtë.
 
As ti as unë s'guxojmë ti bijem telefonit,
ç'emër mund t'i vëmë kësaj harrese të gjatë,
as vjeshta e artë s'i ngroh dot më ndjenjat,
as kjo hënë e plotë që fshihet nëpër natë.
 
Ta dish se unë ndarjet kurrë s'i pështyj,
nuk i mbuloj as me velenë hidherimi,
eci rrugëve të tjera me trastë kujtimesh,
andej nga shfaqen re të kuqe perëndimi.
 
Ne ishim zënë dhe vjeshta po vinte
kjo vjeshtë vetëm ngjyra nostalgjie po binte...
 
THUAJ VETES
 
Mbi supe mban një çantë bosh prej doku,
Mendimet i gjezdis si retë mbledh sërish,
Mbi pllakat e bardha, e zeza e syrit tënd,
Si trembet as vjeshtës, as motit që u prish.
 
Tani duhet të kesh ardhur nga Lampedusa*,
S'duhet ti kesh mbushur as tetëmbëdhjetë,
Dikush të ka bërë reklamën e rreme të kohes,
Të vish me ç'do çmim, se këtu ka para, ka jetë.
 
Askujt si kërkon asgjë, askush s'ta di emrin,
Kaq e paqtë prezenca jote, e ftohur pa jetë,
Kryqëzon duart nga zhgënjimi që ke ndjerë,
Nga miku që s'ka lënë nishan, ka ikur gjetkë.
 
Ndoshta një ditë do të nisesh jeten këtu,
Ndoshta mund të dërgojnë në atdheun tim,
Sido që të ndodhi unë po të flas sikur tim bir,
Ti burrërohu para kohe, thuaj vetes bëhu trim.
 
*Lampedusa- ishull, në Sicili.