Juli Sono - LETËR DASHURIE

Juli Sono - LETËR DASHURIE
BIOGRAFIA E AUTORIT
Juli Sono ka lindur më 26 prill 1973 në qytetin e Elbasanit por me prejardhje nga një familje e shquar me tradita brez pas brezi ortodokse nga Leskoviku. Pasioni i tij për librat, letërsinë dhe poezinë është dalluar që në adoleshencën dhe rininë e tij. Njohës i thellë i letërsisë bashkëkohore, gjithashtu i "Përroit të ndërgjegjes", filozofi që ka në qendër lirinë vetjake, reflektohet qartë në krijimtarinë e Julianit. "Njeriu është i dënuar të jetë i lirë pasi: nuk ka përcaktor, njeriu është i lirë, njeriu është i liri". Dhe kjo nismë e tij, e para përmbledhje me poezi dhe prozë "Shqetësimi i një qenieje që mundohet të meritojë emrin "Njeri", le të mbetet në kujtesën e lexuesit si një bashkëbisedim me autorin.
 
LETËR DASHURIE
NË SHEKULLIN NJEZETË E NJË
 
Letër të dashurës
që s’ia shpreha kurrë dashurinë.
 
Ngurrova e ngurrova,
tashmë shkruaj
e shpreh me guximin
e flokëve të bardhë.
E di!
Do të qeshin me mua,
do të më marrin për të çmendur.
Edhe ti e dashur,
letrën kur ta lexosh,
për të çmendur do më kujtosh.
E do thuash: "Ç'është ky ditëzi...
Letër dashurie shkruan tani
në shekullin e njëzet e një?
E pra, qenka i çmendur a i marre,
që në shekullin e e-mailit zhgarravit letra
me penën të ngjyer në kallamar!
Ç’do gjë mund të mendosh,
brengën time kurrë mos e provofsh!
Kam një jetë që të dua...
Eh!
Si do ish jeta ime me ty...
A s’më thua?
Për mua, ti je deti,
ndërsa unë kripa në të.
Ti je si kodra ullinjsh,
ndërsa unë gjethe dafine.
Ti je lumi i rrëmbyer,
ndërsa unë shelgu buzë tij.
Ti je jeta,
ndërsa unë një sekondë e saj.
Ti je epshi, gëzimi, drita e lumturia,
ndërsa unë skllavi i përulur në hiret e tua.
Këtë letër po e shkruaj me shpirtin që qan,
prandaj lashë zhgarravina e njolla,
që dhimbjen time të besosh.
Mbase, edhe në këtë moshë,
akoma të më dashurosh.
Nuk kërkoj mëshirë,
se mëshira s’është dashuri,
nuk kërkoj përbuzje,
se ajo s’të bën njeri.
Në këtë jetë, a në tjetër jetë,
në dhomën e zbrazët të shpirtit tim,
vend për ty gjithmonë do ketë...
Pasi letrën ta kesh lexuar,
mbase dashuria ime,
e zbehur nga koha do të duket,
a mbase ndjenjën time
në harresën e ëndrrave rinore e ke futur.
Përsëri të kuptoj,
të fal e përsëri do ndjehem i lumtur,
se në çantën e postierit
shëtiti një shpirt në qytet,
shëtiti një dashuri e një jetë të humbur...
 I yti përjetë do të jem!
Si dashuri e qiejve të pastër,
në zemër do të të kem!