Sadik Bicaj - REALIZIMI I PROJEKTIT ARKEOLOGJIK “ LLUGA” NË VRELLË...

Sadik Bicaj - REALIZIMI I PROJEKTIT  ARKEOLOGJIK “ LLUGA”  NË VRELLË...
REALIZIMI I PROJEKTIT  ARKEOLOGJIK “ LLUGA”  NË VRELLË TË ISTOGUT
KËRKON INVESTIME TË REJA FINANCIARE  
  
Në Vrellë të Istogut, disa herë, janë bërë gjurmime të ndryshme arkeologjike nga ekspertë të  Institutit Arkeologjik  të Kosovës dhe nga ekspertë nga Shqipëria, të cilët kanë studiuar a studiojnë  në Universitete të ndryshme të Evropës dhe të botës, ku janë arritur edhe rezultate të mira, por fatkeqësisht disa projekte, mos të them të gjitha, nuk kanë përfunduar ende dhe vështirë të përfundojnë, siç po shihet, për mungesë të mjeteve financiare, andaj për realizimin e projekteve të tilla kërkohet ndihmë më e madhe financiare nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Kulturës.
Në kuadër të projekteve me rëndësi të veçantë arkeologjike dhe historike është edhe Projekti Arkeologjik” Lluga” në Vrellë të Istogut, të përfaqësuar nga Premtim Alaj  nga Iinstituti  Arkeologjik i Kosovës, në bashkëpunim me  Universitetin e Miçigenit, USA me përfaqësues Michael Galaty.
 Projekti “ Lluga ” në Vrellë  është faza e dytë e projektit RAPID- K, i cili ka filluar në vitin  2018 dhe ka vazhduar punimet deri në  vitin 2022 (faza e parë), ndërsa faza e dytë, ku përfshihet edhe Projekti Arkeologjik “ Lluga” , ka filluar në vitin 2023 dhe do të vazhdojë edhe në vazhdim.
Punët që  po kryhen në lokacionin arkeologjik “ Lluga” në Vrellë”  po zhvillohen në kuadër  të disertacionit te Zhaneta Gjyshja, e cila është doktorante pranë Universitetit te Miçiganit.
Zhaneta,  ka thënë në një takim me banorë të Vrellës  se  ka në fokus studimin e banesës të periudhës se Neolitit në Kosove, si dhe prodhimin e veglave të gurit.

                       

Sipas Zhanetës “ Lluga”  është një  lokacion perfekt për të kuptuar banesën dhe zanatet prehistorike, sepse lokacioni është i vjetër rreth 7000 vjeçar dhe është punëtori për veglat e gurit (e para e identifikuar deri tani në Kosovë).
Gjithashtu, sipas saj, incizimet gjeofizike të kryera deri tani tregojnë  prezencën e banesave katër këndore me përmasa relativisht të mëdha ( 60m2).
 
Zhaneta i ka ndarë rezultatet paraprake të punës se kryer që nga viti  2019-2023, në një takim me banorët e Vrellës, që u mbajt më 6 tetor 2023, në objektin e  shkollës “ Hysni Zajmi” të fshatit.  
Në këtë takim u tha se një  qëllim tjetër i këtij projekti  është edhe  angazhimi i gjeneratës së re të arkeologëve, të cilët kryejnë studimet në Departamentin e Antropologjisë në Prishtinë, në mënyrë që të mund t’i kryejnë punët në terren dhe në laboratorë.   
Një plan tjerë afatgjatë, sipas përfaqësuesve të këtij projekti  është edhe  kthimi i lokacionit në një vend të vizituar dhe krijimi i një  muzeu në fshatin Vrellë , ku do të  ekspozohen materialet e nxjerra nga gërmimet në Llugë.
Realizimi i këtij u tha se kërkon ndihmën financiare jo vetëm nga komuna e Istogut dhe Ministria e Kulturës së Kosovës, por edhe nga organizatave të ndryshme kulturore ndërkombëtare.