Dibran Fylli - EDHE KJO ËSHTË PJESË E JETËS (tregim)

Dibran Fylli - EDHE KJO ËSHTË PJESË E JETËS (tregim)
Tregim
 
EDHE KJO ËSHTË PJESË E JETËS
 
Ishte duke ecur me hapa të mëdhenj, Ai ecte me të shpejtë, pothuajse vraponte nëpër një rrugicë të ngushtë e të përbaltur të qytetit. Pas tij vinte një motoçikletë me dy policë në uniformë dhe të armatosur mirë. Motoçikleta sa vinte e iu afrohej. Ata ishin në përcjellje, s’e dinin që po e përcillnin njeriun që po e kërkonin. Sa vinte e iu afrohej motoçikleta, Ai i shpejtonte hapat e mëdhenj. Gati sa s'kishte filluar të vraponte para tyre. Në kthesën e një rrugice të ngushtë e të përbaltur, papritmas takoi vajzën që e kishte njohur ditë më parë në burgun e qytetit. Burg, ky, famëkeq, prej të cilit kishte ikur për ta shpëtuar kokën.
- Mirëdita, Ilir - iu drejtua vajza flokëverdhë dhe pa u hamendur e ftoi që ta mbështeste kokën në kraharorin e saj për t'iu shmangur dyshimit të patrullës tjetër që po vinte pas saj. Patrullat bënin kontroll të rreptë nëpër tërë qytetin. Ata patrullonin dhe ishin në kërkim të të ikurve nga burgu i qytetit. Të dy mbetën për pak sekonda me shikim të drejtuar kah njëri-tjetri dhe papritmas koka e tij u gjend e mbështetur në kraharorin e saj që akoma po i vinte era grila të ndryshkura. Në atë çast ndodhi e papritura, ndodhi ajo që ata më së paku e kishin menduar.
Aty, në atë vend të ngushtë e përplot me baltë, sikur shkrepi rrufeja dhe u hap qielli. Buzët e saj pa bërë zë, u gjenden të ngjitura për të tijat dhe gjuhët e tyre të thara tani ndodheshin të lidhura diku në brendi të gojëve të terura nga etja dhe uria. Qe sa kohë dergjeshin nëpër burgjet me mure të larta. Motoçikletat me policët e armatosur, të shfrenuar e të prishur nga pamja e tyre prej agresori, u gjendën përballë njëri tjetrit mu para tyre ne kthesën e rrugicës së ngushtë. Me shpejtësi ndaluan, dhe, po sa u bënë gati të zbritnin, me armë te drejtuara nga ta, panë dy të rijnë duke u puthur gojë me gojë. Nga zemërimi dhe habia, por dhe nga shkalla e kulturës së tyre të ulët, shkrepën nga goja fjali fyese.
- Phi nënën e...!?  Këta, duke mos pasur guxim të flasin asnjë fjalë që të mos diktoheshin nga zëri i tyre i shterur prej torturimeve që kishin përjetuar nga shpirtzinjtë, kujtim u mbeti vetëm kënaqësia nga afrimi intim. Të dy, ngadalë e duke hedhur shikimin anash, u ndanë nga njëri-tjetri, ashtu duke u mbajtur për dore pa bërë zë dhe, me frikën nga motoçikletat që ishin në përcjellje të tyre, u ndanë nga përqafimi i ngrohtë. Iliri vriste mendjen dhe s'mund të nxirrte përfundimin prej nga Ajo e dinte emrin e tij dhe, sot në ditët e pleqërisë,  asgjë tjetër si kujtohet përpos fjalëve të ëmbla të saj që mezi i dolën nga goja e terur dhe dridhja e zërit që atij çasti i mbulonte të dy një erë grilë e ndryshkur, ''Mirë u pafshim në ditë më të mira. Ilir, unë jam Rida''...