Fondacioni Algjerian Meriless adopton si vepër arti kopertinën e librit “Al-Sinjab” të autores Turkia Loucif

Fondacioni Algjerian Meriless adopton si vepër arti kopertinën e librit “Al-Sinjab” të autores Turkia Loucif
FONDACIONI ALGJERIAN MERILESS ADOPTON SI VEPËR ARTI KOPERTINËN E LIBRIT “AL-SINJAB” TË AUTORES TURKIA LOUCIF
 
Fondacioni Meriless në Algjeri ka përzgjedhur kopertinën origjinale të romanit “Al-Sinjab”, i botuar në gjuhën angleze me titullin “The Legend of the Squirrel”, nga shkrimtarja algjeriane Turkia Loucif, si elementin kryesor për realizimin e një vepre të re artistike.
Vepra, e përkthyer në anglisht nga Ahmed Fawzi Balbona dhe e shoqëruar me parathënien letrare të Kujtim Hajdarit, dallohet edhe për një kopertinë me ndikim të fuqishëm por, e aftë të tërheqë menjëherë vëmendjen dhe të krijojë një urë lidhëse ndërmjet botës së letërsisë dhe asaj të arteve figurative.
Kopertina paraqet një ndërthurje mbresëlënëse midis një fytyre njerëzore të kurorëzuar dhe fytyrës së një ketri, duke krijuar kështu një imazh origjinal dhe mjaft shprehës. Kompozimi, i karakterizuar nga ndërthurja e dy fytyrave, i jep kopertinës një intensitet të veçantë estetik dhe simbolik, duke e shndërruar atë në një element që komunikon drejtpërdrejt me përmbajtjen letrare të veprës.
Pikërisht kjo forcë vizuale ka tërhequr vëmendjen e Fondacionit Meriless, i cili ka vendosur ta adoptojë kopertinën si burim frymëzimi për një krijim të ri artistik. Nisma është pjesë e projektit të Fondacionit, që synon të vendosë një dialog gjithnjë e më domethënës ndërmjet letërsisë dhe arteve pamore, duke dëshmuar se një vepër letrare mund të gjenerojë forma të reja shprehjeje përtej kufijve të faqeve të një libri.

 Zgjedhja e kopertinës nuk është, pra, e rastësishme: paraqitja e veçantë e qenies njerëzore të ndërthurur me figurën e ketrit, së bashku me kurorën dhe ndërtimin grafik të imazhit, krijon një dimension vizual që e fton shikuesin të ndalet, të vëzhgojë dhe të interpretojë.
Përmes kësaj nisme, Fondacioni Meriless synon ta shndërrojë kopertinën nga një element i thjeshtë editorial në një vepër arti më vete, duke i mundësuar publikut t’i afrohet romanit edhe përmes një përvoje pamore dhe vëzhguese.
Vepra do të realizohet përmes printimit artistik Giclée mbi kanavacë, një teknikë me cilësi të lartë që mundëson riprodhimin jashtëzakonisht të saktë të imazhit, duke garantuar besnikëri në detaje dhe qëndrueshmëri të ngjyrave në kohë.
Vepra e frymëzuar nga kopertina e “Al-Sinjab – The Legend of the Squirrel” do të prezantohet në ekspozitën e ardhshme të Fondacionit Meriless në Instagram, së bashku me një koleksion veprash të frymëzuara nga enciklopedia e trashëgimisë algjeriane dhe botërore.
Kjo nismë përfaqëson një shembull interesant të takimit ndërmjet kulturave, gjuhëve dhe formave të ndryshme artistike.
Kopertina e “Al-Sinjab” tejkalon kështu funksionin e saj fillestar editorial dhe bëhet protagoniste e një rrugëtimi të ri krijues, në të cilin fjala takohet me imazhin, letërsia takohet me artin dhe libri shndërrohet në burim të një frymëzimi të ri.
 
Përktheu: Angela Kosta