Irma Kurti, intervistë me poetin amerikan Hiram Larew
“Besojini poezisë me zemër dhe mendje. Kini besim tek vetja ndërsa talenti juaj maturohet. Nderoni krijimet tuaja më të hershme dhe ruajini me kujdes poezitë që do të shkruani më vonë.”
HIRAM LAREW jeton në Maryland, SHBA. Poezitë e tij kanë marrë Çmimin e Letërsisë në Luiziana, Shiritin blu për Recensionin e Poezisë në Washington dhe janë nominuar katër herë për çmimin Pushcarts. Krijimet e tij janë botuar gjithashtu në numrat e fundit të revistave Poetry South, The Brown Critique, Contemporary American Voices, Amsterdam Quarterly dhe Best Poetry Online. Ai ka marrë fonde si krijues nga Këshilli i Arteve si dhe nga Kombet e Bashkuara për iniciativën e tij Poetry X Hunger, (Poezia kundër urisë) e cila inkurajon poetët të kontribuojnë në përpjekjet lokale dhe botërore kundër urisë. Ka krijuar gjithashtu Voices of Woodlawn, (Zërat e Woodlawn) një program me poezi, muzikë dhe art që hulumton historinë tragjike të skllavërisë në Amerikë. Hiram Larew ndihmon Radion Klasike në Baltimore (91.5 FM) për të identifikuar poetë që prezantohen në programet e transmetuara gjerësisht prej saj.
Dr. Larew është profesor i lirë në pesë universitete të SHBA-së. Stili i poezive të tij është padyshim familjar, por jo vulgar. Ato tregojnë përvojën e gjerë të jetës së poetit. Vargjet shpalosin një konkretësi pasionante të përfytyrimit dhe aluzione të pasura. Atje gjen cilësitë poetike që prekin zemrën e njeriut. Gjallëria është cilësia më karakteristike e poezive që shpërfaqin emocione të forta dhe imagjinatë.
IRMA KURTI: Ju keni botuar deri tani gjashtë përmbledhje poetike dhe jeni nominuar katër herë për çmimin Pushcart. Cili është përkufizimi juaj për suksesin?
HIRAM LAREW: Suksesi, besoj, matet me atë që sesa jeton vepra e një poeti. A do të shijohet ajo poezi pas dyqind vjetësh? A do t'i rezistojë provës së kohës? Shijet dhe preferencat ndryshojnë; një poezi që njihet ose fiton çmime sot mund të jetë ose jo me interes për njerëzit në të ardhmen. Dhe, natyrisht, ajo që i bën trashëgimitë poetike më shumë interesante është se askush nuk mund të parashikojë me siguri se cilat poezi do të mbijetojnë dhe sa do të zgjasin në kohë. Mundësia, fati dhe rastësia kanë po aq shumë për të thënë në drejtim të mbijetesës së artit në kohë aq sa edhe talenti, bukuria dhe zëri poetik.
IRMA KURTI: Me cilin libër ndiheni më shumë i lidhur?
HIRAM LAREW: Nga librat që kam shkruar, gurët e mi testues janë përmbledhja e parë poetike, Pjesë e, si dhe e parafundit, Baltë e zbardhur. E para, për rëndësinë që pati për mua si poet i ri. Dhe e dyta për elementin e mrekullisë që mbizotëron në të. Kohët e fundit jam magjepsur nga bukuritë e natyrës dhe kam gjetur më tepër se ngushëllim në mjedisin e jashtëm. Kam gjetur atje buzeqeshjen.
IRMA KURTI: Pse shkruani?
HIRAM LAREW: Poezia është mikja ime më e mirë. Asaj mund t'i them çdo gjë dhe ato mund të jenë si sinjalet për të pirë cigare, thirrje ose pyetje. Po, unë shkruaj për ketë miqësi që kam si dhe për arsye të mirënjohjes që ndjej dhe kuriozitetit të thellë.
IRMA KURTI: A mund të na thoni diçka për iniciativën Poetry X Hunger?
HIRAM LAREW: Iniciativa lindi për ta sjellë Botën e Poetëve më pranë Kauzës Kundër Urisë. Përpara se të lindte kjo nismë, shumë pak poezi shkruheshin për stomakun bosh. Poezia mund të jetë një zë i fuqishëm për çështjet sociale – dhe personalisht, duke patur njohuri në programimin bujqësor – unë i besova nocionit se, nëse u jepej një shans, poetët do t'u përgjigjeshin thirrjes dhe se poezia do të bëhej një mjet shumë i dobishëm në paketat e masave kundër urisë. Dhe, ashtu ndodhi vërtet.
Shumë prej më tepër se 400 poezive që janë botuar tani në faqen e internetit (www.PoetryXHunger.com) janë lexuar në vende të shenjta, pranë banakëve ushqimorë, në kampuset e kolegjeve dhe gjetkë për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për faktin se uria është kudo. Kohët e fundit, në partneritet me Projektin The Poartry dhe T. A. Niles, kemi mbledhur më shumë se 5,000 dollarë për organizatën Feed the Children duke vënë në ankand vepra arti që u krijuan në përgjigje të disa prej poezive të faqes në internet. Menjëherë pas kësaj, ne mblodhëm më shumë se 1000 dollarë për Organizatën Roots for Life (Rrënjët e jetës) gjatë leximit të vargjeve të poetëve të ndryshëm të fokusuara tek uria. Pra, poezia mund të ndihmojë në kauzën kundër urisë.
IRMA KURTI: E keni përjetuar ndonjëherë bllokun e shkrimtarit?
HIRAM LAREW: Ka raste kur i largohem artit të të shkruarit. Por jo për faktin që diçka më pengon apo më bllokon. Më shumë, sepse pusi ka nevojë për rimbushje. Pra, kur kthehem, të shkruarit ka tendencë të gurgullojë dhe të gufojë.
IRMA KURTI: A është poezia e fuqishme për të ndryshuar botën?
HIRAM LAREW: Po. Në SHBA, ne shpesh citojmë poezinë e Emma Lazarus, Kolosi i Ri, të gdhendur në bazën e Statujës së Lirisë që vazhdon t’i thurë himn mikpritjes në Amerikë për këdo dhe për të gjithë. Me kalimin e viteve, ajo poezi ka ndryshuar zemrat, mendjet dhe ligjet. Ashtu si për shumë çështje të tjera sociale, poezia duhet të luajë një rol publik. Dhe, meqë ra fjala, ne tani kemi nevojë për poemën e Lazarus më shumë se kurrë ndonjëherë.
IRMA KURTI: Voices of Woodlawn është një program me poezi, muzikë dhe art. Për çfarë bëhet fjalë?
HIRAM LAREW: Ashtu si për vendet e tjera, Amerika po përballet me historinë e saj tragjike të skllavërisë. Woodlawn është një plantacion historik jashtë Uashington, DC i ndërtuar në tokën në pronësi të George Washington. Nëntëdhjetë skllevër u shërbyen nëntë të bardhëve që jetonin dikur atje. Historitë e jetës së atyre skllevërve në pjesën më të madhe nuk ekzistojnë dhe janë të panjohura. Disa vjet më parë, kur isha në një rezidencë për të shkruar në Woodlawn, unë ftova tre poetë afro-amerikanë të vizitonin dhe të shkruanin për këtë vend. Rezultati: Voices of Woodlawn u bë një program i fuqishëm që zgjat një orë dhe përmban poezi, art e muzikë për të nderuar jetët e atyre që kanë qenë të skllavëruar. Po ashtu, programi ngre pyetje se çfarë do të thotë për ne sot një skllavëri e asaj kohe. Ju mund ta shihni programin e paraqitur në vende të ndryshme duke shkuar në You Tube dhe duke kërkuar Voices of Woodlawn.
IRMA KURTI: Libri juaj i fundit Patchy Ways/Mënyra Kaotike, u botua në vitin 2023 nga CyberWit. Cila është tematika e poezive?
HIRAM LAREW: Kjo përmbledhje e fundit prek tema të ndryshme. Ajo gjarpëron. Humbet gjatë rrugës, por edhe feston udhëtimin. Me fjalë të tjera, tema e përgjithshme është zbulimi. Varet nga të gjitha kënaqësitë, shqetësimet dhe surprizat që përmban vetë jeta!
IRMA KURTI: Çfarë u sugjeroni poetëve dhe shkrimtarëve të rinj?
HIRAM LAREW: Besojini poezisë me zemër dhe mendje. Kini besim tek vetja ndërsa talenti juaj maturohet. Nderoni krijimet tuaja më të hershme dhe, ruajini me kujdes poezitë që do të shkruani më vonë.
Intervistoi: IRMA KURTI