Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
DËBIMI I HIDHUR
Ibush Reçica
Fatin e dëbimit e pati dhe familja ime me vendbanim në Kodrën e Dellit Rr. Zona Lindjes, hyrja 4. Menjëherë pas fillimit të bombardimeve vëllai im, Milazim Reçica, kërkoi që me bashkëshorten dhe dy fëmijët, djalin 6 vjeçar dhe vajzën 1 vjeçare, të vinte në banesë te unë për çështje sigurie dhe erdhën, më 24.03.1999. Të nesërmen kërkoi që të vinte dhe fqinj i parë, Adem Haliti me bashkëshorten dhe tri vajzat, në moshë 18 vjeçare, e dyta rreth 16 vjeçare dhe e treta në moshë rreth 1 vjeçare. Tash në banesë në çdo dhomë flinte nga një familje, me gjithsej 15 anëtarë dhe 6 anëtarë të familjes sime, unë bashkëshortja dhe 4 fëmijët.
… Më datën 2.04.1999 në ora 18:00 u dha urdhëresa që kolona të nisej. Të gjitha automjetet tjera u lejuan të kalonin stacionin e policisë në Han të Elezit dhe të shkonin jo larg në drejtim të Fabrikës së çimentos “SHARR”. Gjatë kësaj rruge pati peripeci nga forcat serbe, të gjithë me mjekra dhe të veshur me uniforma ushtarake.
… Skenë e trishtueshme dhe e dhembshme, por lufta nuk ka asgjë të mira. Me datë 3.04.1999 në ora 12:00 u urdhëruam të shkonim në drejtim të fabrikës. Para nesh pamë një depo të madhe me rrugë anash që të dërgonte në pllato dhe në mes të depos dyer të mëdha.
Ne na drejtuan që përmes këtyre dyerve të hynim në sallë, të gjithë mendonin se po na fusin në sallë për t'na ekzekutuar. Ky ishte një veprim për të ngjallë panik, sepse kur hymë në depo i pamë dyert e hapura që të qonin në pllaton e fabrikës, ku ishin të parkuar dhe automjetet tjera. Në këtë pllato qëndruam nga 3.04.1999 deri më 6.04.1999 ora 17:30.
Ushqimi na mungonte...