ALLISON GRAYHURST - INTERVISTË
Allison Grayhurst është nominuar pesë herë si "Poetja më e mirë online". Ajo ka mbi 1,400 poezi të botuara në mbi 530 revista ndërkombëtare revista, duke përfshirë edhe përkthimet e veprës së saj. Ka botuar 25 libra me poezi dhe 6 libra xhepi. Allison jeton në Toronto me familjen e saj. Ajo punon gjithashtu edhe me argjilë.
Irma Kurti: Kur dhe si keni filluar të shkruani?
Allison Grayhurst: Kam filluar të shkruaj që në shkollën e mesme. Gjuha dhe të shkruarit kanë qenë gjithmonë pjesë përbërëse e jetës sime pasi të dy prindërit e mi ishin shkrimtarë/gazetarë. Kur isha pesë vjeç, familja ime u transferua në Spanjë për një vit sepse im atë do të shkruante një roman. Recitimi i Shekspirit dhe i poetëve të tjerë në tryezën e darkës ishte diçka që babai im e bënte shpesh. Nëna më ndihmoi të shkruaj tregimin tim të parë të shkurtër dhe ka qenë gjithmonë një mbështetëse e madhe e krijimtarisë sime.
Irma Kurti: A ju kujtohet poezia apo tregimi juaj i parë?
Allison Grayhurst: Tregimin e parë e shkruajta kur isha 12 vjeç dhe ishte për një delfin. Kurse poezia e parë nuk ishte e vetme. Rreth moshës 14-vjeçare, shkruaja vazhdimisht faqe me poezi/mendime/imazhe të stilit të lirë, duke u përpjekur të gjeja zërin tim. Nuk kam ruajtur asgjë prej tyre.
Irma Kurti: Kur u bë poezia pjesë përbërëse e jetës suaj?
Allison Grayhurst: Poezia ka qenë gjithmonë pjesë thelbësore e jetës sime. Si fëmijë, udhëtoja shumë me prindërit dhe kështu jetoja më tepër në imagjinatën time sesa në jetën reale. Nuk doja të bëhesha poete, por kur isha rreth 19 vjeç e pranova se nuk kisha zgjidhje tjetër.
Irma Kurti: Keni botuar 25 libra me poezi. Me cilin libër ndiheni më tepër e lidhur?
Allison Grayhurst: Tani për tani, libri që sapo kam botuar "Drita e dhënë", në veçanti poema prej 34 faqesh që është përfshirë në të me titull "Qielli i nënës sime", e cila flet për humbjen jo shumë kohë më parë të nënës sime. Pastaj ndoshta “Vendkalime” për punën që m’u desh për ta shkruar, dhe “Lumi është i verbër” për ndezjen e një lloji të ri frymëzimi brenda meje.
Irma Kurti: Çfarë ju pëlqen të bëni në kohën e lirë?
Allison Grayhurst: Më pëlqen të jem pranë kafshëve, ato janë gëzimi im. Para se nëna ime të sëmurej, kam punuar si vullnetare në një qendër me kafshë të braktisura, që shpresoj ta bëj përsëri së shpejti. Përveç kësaj, më pëlqen të lexoj, të kaloj kohë me bashkëshortin tim, Kyp Harness, i cili është një artist, këngëtar/kantautor dhe romancier, si dhe në shoqërinë e dy fëmijve tanë të rritur, Ava dhe Clay.
Irma Kurti: Disa vite më parë këngëtarja, kantautorja dhe muzikantja kanadeze Diane Barbarash transformoi tetë nga poezitë tuaja në këngë, duke krijuar një album të plotë të titulluar LUMI. Mund të na thoni diçka më shumë për këtë bashkëpunim dhe përvojë?
Allison Grayhurst: Diane dhe unë kemi qenë shoqe të ngushta që kur isha 15 vjeç. Ajo ishte personi me të cilin u transferova kur u largova nga shtëpia në moshën 16 vjeçare. Në të 30-at gradualisht ne i humbëm kontaktet, ndërsa ajo u zhvendos në anën tjetër të Kanadasë. Kur u lidhëm përsëri, ajo më pyeti nëse mund të bënte një album duke përdorur disa nga poezitë e mia që ishin shkruar dhe botuar vite më parë. Diane është kaq e talentuar dhe ka një zë mahnitës, kështu që sigurisht unë iu përgjigja po! Ne punuam së bashku duke i dërguar njëra -tjetrës emaile pasi disa nga poezive duhej t'i ndryshonim vargjet për t'ia përshtatur vijës melodike. Ishte një bashkëpunim i bukur dhe kuptimplotë për të dyja.
Irma Kurti: Cilat janë disa nga sfidat me të cilat jeni përballur në rrugëtimin tuaj?
Allison Grayhurst: Në të kaluarën do të thosha se sfidat kanë qenë të lidhura me botimin, përpjekjet për të gjetur nje vend në botën e botimeve, si dhe mungesa e parave për t’i realizuar veprat e mia. Por tani jo më. Interneti e ka bërë shumë më të lehtë botimin dhe zakonisht nuk e kam të vështirë të publikoj veprën time kur është gati për t'u botuar. A do të doja të kisha një audiencë më të gjerë? Po, por nuk më intereson më kjo. Për momentin, nuk kam asnjë sfidë përveç asaj me të cilën përballem si artiste për të krijuar nga nevoja dhe vitaliteti, asnjëherë nga zakoni.
Irma Kurti: Pse shkruani?
Allison Grayhurst: Sepse duhet, nuk ka arsye tjetër. Të shkruarit është si ushqimi për mua dhe ka qenë kështu për pjesën më të madhe të jetës sime. Ka patur shumë raste kur i kam thënë vetes se nuk do të shkruaja më dhe shumë herë nuk kam dashur të shkruaj. Por tani, kam reshtur së menduari në atë mënyrë, pasi e di që mashtroj vetëm veten.
Irma Kurti: A mendoni se të shkruarit ka fuqinë të ndryshojë jetën tonë?
Shkrimtarët, poetët dhe filozofët më kanë ndryshuar jetën në mënyrë të vazhdueshme, madje ma kanë shpëtuar jetën, ndaj do të thosha po, pa dyshim.
Intervistoi dhe përktheu: IRMA KURTI