Intervistë me Bill Bero
Bill Bero është një kantautor, kompozitor dhe këngëtar amerikan që i pëlqen të trajtojë në këngët e tij histori të jetës reale. Ka filluar të kompozojë që kur ishte 17 vjeç. Ai ka punuar si gazetar për 44 vjet, duke u marrë gjithashtu me muzikë gjatë gjithë kësaj periudhe. Bill Bero ka kompozuar rreth 400 këngë. Ai ka lindur në Çikago dhe banon në Crown Point, Indiana.
Cila ishte qasja juaj ndaj botës së muzikës?
Nuk e di nëse isha unë që iu afrova muzikës, por mendoj se muzika ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Ne u zbuluam në mënyrë reciprole dhe kjo lidhje u zhvillua gjithnjë e më tepër me kalimin e kohës. Muzika është si një laborator krijues; ajo zvogëlon stresin dhe të çlodh. Të shkruaj dhe të kompozoj ka qenë gjithmonë e lehtë për mua, kështu që të krijoj është një proçes mëse i natyrshëm.
A ju kujtohet se cila ishte poezia apo kënga juaj e parë?
Më kujtohet se kënga ime e parë titullohej "Më fal". Kisha kaluar një natë të vështirë gjatë punës sime në një dyqan ushqimor kur isha në shkollë të mesme dhe kënga lindi pikërisht pas kësaj eksperience... Ajo më ndihmoi të përballesha më mirë me zhgënjimin. Muzika është gjithashtu këshilltarja më e mirë.
Ju keni punuar si gazetar për shumë vite. Mund të na thoni diçka më tepër për këtë përvojë?
Gazetaria siguron një vështrim real të njerëzve, vendeve dhe gjërave. Unë kam mbuluar lajmet për çdo lloj historie që mund të imagjinohet dhe ndonjëherë shndërrohesha edhe në cinik përballë realitetit të pandershmërisë, kryesisht nga ana e politikanëve.
Çfarë mesazhi dëshironi t'i përcillni publikut tuaj?
Këngët e mia kanë të bëjnë me realitetin; ato pasqyrojnë eksperiencat dhe ndjenjat në të cilat shpresoj se shumë njerëz mund të identifikohen. Një nga përvojat më të kënaqshme është kur dëgjon se muzika jote i ka ndihmuar njerëzit të kapërcejnë një periudhë të vështirë dhe të zgjidhin çështjet personale. Një grua për shembull u shpreh se një këngë e imja i shpëtoi jetën.
Keni kompozuar rreth 400 këngë. Me cilën prej tyre ndiheni më tepër i lidhur?
Janë shumë këngë me të cilat ndihem i lidhur, pasi kur i shkruajta kam provuar një lidhje të veçantë me to. Këngët për ngjarje të caktuara, si për shembull atentati në Maratonën e Bostonit, kanë ngjallur dhembje dhe, në të njëjtën kohë, kanë qenë edhe një ngushëllim për dëgjuesit e muzikës sime.
A ka ndonjë ndryshim midis një teksti kënge dhe një poezie?
Nuk jam i sigurt për këtë. Shumica e vargjeve që kam shkruar janë të rimuara, kështu që mendoj se mund të jenë poezi. Nga ana tjetër, poezitë nuk duhet domosdoshmërisht të rimojnë. Unë thjesht shkruaj për atë që ndjej dhe nuk e etiketoj. Këtë duhet të bëjnë edhe të tjerët.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Në përgjithësi, unë nuk e programoj krijimtarinë, pra, shkrimin e tekstit dhe kompozimin... Unë krijoj vetëm kur më vjen frymëzimi.
A mendoni se poezia dhe muzika janë një mjet i fuqishëm për të promovuar paqen?
Po, mendoj se poezia dhe muzika janë përpjekur ta bëjnë këtë për dekada me mua, pra më kanë bërë të ndihem në paqe me botën dhe me veten. Dhe kjo nuk është e vërtetë vetëm në planin personal po edhe më gjerë.
Intervistoi Irma Kurti