Esmeralda Bregaj (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)

Esmeralda Bregaj (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
ESMERALDA BREGAJ
 
Esmeralda Bregaj (Zace), ka lindur në Vlorë (Shqipëri) në vitin 1979, dhe është rritur në Itali. Aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E diplomuar për Menaxhim Biznesi në vitin 2001, në Shqipëri, mori një diplomë të dytë për Marketing dhe Menaxhim Biznesi në vitin 2008, në Itali. Esmeralda është koordinatore dhe punonjëse administrative e programit ELL në shkollat fillore dhe të mesme të distriktit Boise (Ajdaho, SHBA).
Ka filluar të shkruajë që në moshën 9 - vjeçare, kur fitoi konkursin e parë letrar shkollor me një poezi. Në moshën 17 - vjeçare hyri në Konkursin Kombëtar Letrar në Shqipëri dhe në vitin 2010 fitoi Çmimin Kombëtar Ibiskos, Itali, duke botuar përmbledhjen e saj të parë me poezi në serinë "Myositis", me titull "Lufta e mendimeve".
Në vitin 2013 ajo u përfshi në serinë e librave “Poetët bashkëkohorë” nën drejtimin e poetit Elio Pecora në Itali pas një tjetër Konkursi Letrar Kombëtar. Në vitin 2017 fitoi konkursin “E dashur dashuri të shkruaj”, organizuar nga Ibiskos Editrice Risolo, Itali, duke u bërë pjesë e antologjisë me poezi dhe tregime me të njëjtin emër. Në vitin 2022 botoi "Un Anno di Noi" në italisht. Në vitin 2023 i njëjti libër u përkthye dhe u botua në shqip i cili u prezantua nga një prej autorëve - botuesve kryesorë të Shqipërisë dhe ka marrë vlerësime pozitive nga jo më pak se 11 autorë të tjerë. Gazetat dhe televizioni publik folën për këtë. Aktualisht, Esmeralda është duke e përkthyer në anglisht dhe është planifikuar të dalë në fillim të vitit 2025.
Në vitin 2024 u përfshi në revistën letrare “Pena”, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanë, (SHBA) me 25 autorë kontribues.
Në të njëjtin vit ajo mori një certifikatë meritash për kontributin e saj “Në Letërsinë dhe Gazetarinë Ndërkombëtare” nga autorja e vlerësuar me shumë çmime Tamikio L Dooley.
Në karrierën e saj letrare, Esmeralda ka marrë pjesë dhe ka shkruar në media të ndryshme (gazeta dhe radio e TV) si në prozë po ashtu edhe në poezi, në: Itali, Suedi, Zvicër, Pakistan, SHBA, Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.

RASTËSI PA KONTRATË

Sa rastësi e bukur ështe jeta,
Takon një mik 
Pa takim
Takon një zemër pa kthim.

Ashtu diku, këtu
Do dhe një gotë verë
Të mbushur me nder!

Atije... më tutje për hije
Pa pushkë e pa dije
Mirësia si shtrat hardhie
Lëshon frymë perëndie

Po e do dhe zërin e bilbilit
Dehur në livadhet e prillit,
Oh sa shumë dashuruar
Për një jetë shumë të kërkuar.

Jetë kush të pati fat
Të puthi e të ftoi në shtrat

Sa rastësi e bukur është jeta
Nje trekëndësh i barabartë
Ku në çdo brinjë lexohen shumë qartë
Tre gërma të ngjyera në mjaltë
Fat…. Fat… Fat...

Rastësinë pa kontrat
Mbyllur në kohë afatgjatë
E quajta “FAT”!

MBI RE

Më trondit
Si qielli kur bie mbi re,
Më shikon
Sikur bota u lulëzua mbi ne!

Më puth
Sikur fryma të ketë prekur dhimbjet e harruar
Më zhvesh nga armët
Si një i arratisur që kërkon mburojë
nga yjet pa kërkuar

Tani
mos ik!
Marinar i heshtur
Unë e ti
Dashuri e patretur!

Do të dua si era kur fshihet në zemër
Ashtu pa lënduar një emër
Do të të mbroj si shiu kur bie në gusht
Pa hile e pa kusht

Si tërmet kjo dashuri
Luftë e puthje në stuhi
Armuar plot hijeshi
Dorëzuar fatit pa dorashka e avokati
Veç dy buzë në dashuri.

Të trondita
Të shikova
U ula në qiell mbi re,
Aty gjeta NE!

SIRENA IME

Balluket e ballit
Si hënë e pabërë
Linjat e tua të brishta
Vargje të pa thënë.
Të të them të dua
Më zemërohet deti
Për ty sirena ime
Shkundet si tërmeti...
Dhe kur trupin tënd dallget ledhatojnë
Unë vec t'i sfidoj
Dot nuk duroj
Çmendurisht xhelozoj.
Lermë të pi në buzët e tua
Vera ime
Me deh
Të dua!
I yti
E imja
Tani bota do të flejë e qetë!

Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta