CIKËL POETIK
Elmira Rama ka lindur në fshatin Frashër të Fierit. Ka studiuar në Universitetin e Camerinos (Itali) ku ka marrë titullin Biologe nutricioniste dhe në Universitetin e Gjirokastrës, ku ka marrë titullin mësuese e Kimi- Biologjisë. Është autore e dy vëllimeve poetike “Ninulla e Yjeve” dhe “Fjalë të pathëna”. Poezi të saj gjenden të botuara në disa antologji në Shqipëri dhe Itali, në disa numra të revistës letrare italiane “UT”, në gazeta letrare on-line. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në shumë veprimtari lerare dhe e vlerësuar me çmim në disa prej tyre.
Elmira është gjithashtu autore e botimeve “Diabeti si faktorë rreziku në sëmundjet kardiovaskolare”, “ Gjurmë që flasin” dhe “Të ushqyerit në jetën e Myzeqesë”. Me studimet e saj kërkimore ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore. Në revistën shkencore ndërkombëtare te Institutit Shqiptar të Sociologjisë është autore e studimit me teme, “Contemporary leadership, basic demand for quality of pre-university education” dhe ne revistën Internacionale “Bio-mjekësi dhe Shkenca e jetës” është autore e parë e artikullit, “The impact of nutrition on student performance and health: Whe the mediterranean diet?”. Prej disa vitesh është punonjëse e sistemit arsimor në Shqipëri.
PORTA E SHENJTË
Ekziston një portë,
ku nuk afrohen mjegullat,
mbi gurin e saj
koha pikturon motive të përjetshme.
Nga ajo portë nisin të gjitha udhët,
e trokitje zemre të kthejnë aty përsëri.
Ekziston një portë malli,
që burimin nuk i'a thajnë dot erërat.
O njerëz!
Na duhet
t'a mbrojmë nga kuçedrat.
DO TË BUZËQESH
Mund të më qëllosh me fjalë,
baltë mund të hedhësh,
me urrejtje mund edhe të më vrasësh,
por unë do të ringrihem dhe do të buzëqesh.
Të bën keq ekzistenca ime?
Të shkakton errësirë?
Mali ku ngjitem i ka rrënjët në dhimbje,
por unë buzëqesh,
sikur gjithë diamanti i botës,
shkëlqen në oborrin tim.
Ndjehesh keq nga ekzistenca ime?
Mund të qëllosh me heshta nga shpella jote e errët,
me urrejtje mund të më vrasësh,
por si shpresa e robërve do të ringrihem,
do të fluturoj si feniks.
DHJETOR
Fryn erë e dhjetorit.
Retë nxijnë,
deti egërsohet,
drurët përkulen.
Po unë !?
E di ti erë,
që gjithë jetën mbaj
mbi supe gurin e varrit tim.
Era e dhjetorit fryn.
FYTYRA E NJË GRUAJE
Ditët e mia kanë trajtën e një gruaje
me shami të bardhë ,
që e kam parë qysh fëmijë,
të hapte brazda ne tokë të ashpër.
Ditët e mia kanë fytyrën e një gruaje,
me llërë përveshur ,
që e kam parë qysh fëmijë
kur korrte në verë e në vjeshtë
bukën tonë të dimrit.
Çdo ditë unë e puth atë kujtim dhe
këngët e mia kanë frymën e saj.
SIDOQOFTË
E megjithatë,
unë nuk fiksohem të vëzhgoj qiellin,
parakalimin luksoz te reve,
dritën e meteorëve,
valsin e hënës.
Plot qiej
errësire,
të brishtë,
të ngurtë,
të thërmuar,
stuhie e drite
i kam nën lëkurë .
Nuk ndalem me sytë nga qielli.
Në fund të fundit,
edhe mali merr hijeshi
nga njeriu që nuk ndalet rrëzë tij.
NË VIGJILJE TË KRISHTLINDJES
Çfarë të shkruaj këtë natë?
Gjithë ditën zëri im u end nëper re.
Ç'mund të shkruaj këtë natë?
Mbrëmja rri heshtur,
drita e zbehtë pas portës.
Ç' mund të të them këtë natë?
Qielli pikon vesën e yjeve
Ikja jote pikëllimi im.
NËN SHI
Më ndjek nga pas një re,
një re e zezë,
pa formë e pa kufi.
Largohem e largohem,
por prapë mbetem nën shi.
Ju thirreni Zot, shampanjë apo Wiski,
por mos gënjeni,
mos flisni për atë që s'është
dhe për ato që nuk i dini.
Më ndjek nga pas një shi,
një shi që nuk pushon,
dhe mua më duket sikur eci mbi lumë.
Dua t'i largohem,
por prapë mbetem nën re,
nën qiell,
shiu im dhe unë.
ËSHTË SOT
E djeshmja shkoi
përmes syve të errësirës,
me frymë demonësh.
E nesërmja do të vij
me lumin e dritës,
askush nuk e ndal dot.
Është sot.
Zgjohuni.
Duhet të shpejtojmë
për të mos na kapluar errësira.