MEHDI KRASNIQI
Mehdi Krasniqi u lind në fshatin Carrallukë, më 01.09.1981. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Malishevë, ndërsa studimet në Fakultetin e Filologjisë, dega e gjuhës shqipe në Prishtinë. Aktualisht është duke ndjekur studimet master në Fakultetin e Filologjisë, dega e gjuhës shqipe.
Gjatë kohës së luftës iu bashkëngjit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në vitet 2002-2003, punoi si bashkëpunëtor për revistën “NepërJu” në Skenderaj. Në vitin 2003 punoi mësues në SHFMU “Imer Krasniqi”. Në vitet 2003 dhe 2004 punoi mësues në SHFMU ”Hilmi Hoti” në Carrallukë. Në vitin 2003, u zgjodh kryetar i Klubit letrar “Tafil Kelmendi” tash Shoqata për kulturë dhe letërsi “Tafil Kelmendi”, këtë pozitë e mbajti deri në vitin 2013.
Ka botuar këto vepra letrare:
• “Errësirë, Flakë dhe Dritë”, poezi, 2001
• “Pasqyra e humbur”, poezi, 2003
• “Thonjtë e enigmës”, roman, 2003
• “Gëzonera”, poezi, 2004
• “Shpirti im”, poezi, 2006
• “Ditar jete”, ditar, 2007
• “Gjurmës”, poezi, 2013
• “Idil e përflakur”-poezi, 2018
• “Lëkundje lavjerrësish”, poezi, 2020
• “Kohë përtej dhimbjeve”, roman, 2020, ribotim 2022
• “Metaforë ligjore”, poezi, 2021
• “Poetët s’kanë shtëpi”, poezi, 2023
• “Unë guxoj me të dashtë- Io oso di Amarti”, poezi (shqip-italisht), 2023
Ka përgatitur dhe botuar dy përmbledhje poetike me grup autorësh: “Flas me fjalën tënde”, poezi, 2017 “Këngët e rilindjes” (kushtuar dëshmorit të kombit Imer Ramë Krasniqi), poezi, 2018.
Ka botuar edhe në revista, gazeta letrare dhe në përmbledhje poetike të ndryshme: Antologjinë Poetike Universale “Korsi e hapur”, përgatitur nga Kristaq Shabani, Revista”NepërJu”, Skenderaj, Gazeta “Nacional”-Tiranë, Revista letrare “Në rrugëtim me Yllka Domin”- Gjakovë, Revista letrare “Sharri poetik”- Sharr, Revista Letrare Periodike “Urat”-botim i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve-Tropojë, Gazeta “Telegrafi”-Tiranë, përmbledhja poetike “Thërret zëri i shpirtit”- grup autorësh, botim i Klubit letrar “Tafil Kelmendi” mbështetur nga DAKS i komunës së Malishevës, përmbledhja poetike “Nga gjerdani kombëtar”, grup autorësh, botim i Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit,
përmbledhja poetike “Malli poetik I dhe II”- grup autorësh, botim i Shoqatës së shkrimtarëve Naim Frashëri të Fushë-Kosovës, përgatitur nga Asllan Qyqalla, përmbledhja poetike “Alepo-Dhimbje në Siri”-grup autorësh, përgatitur nga Tyran Spahiu, përmbledhja poetike me grup autorësh “Nëna”- përgatitur nga Rrahman Hyseni.
Antologjia “Poezia nuk Njeh Kufi”- Festivali Mbarëkombëtar i poezisë i organizuar nga Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “ Gjakova”, përgatitur nga Mevlyde Mezini Saraçi, Gjakovë, 2022.
Antologjia e Çmimit Ndërkombëtar- botim i Qendrës së Rinisë dhe Poezisë në Itali (Antologia del Premio Internazionale, Centro Giovani e Poesia-Triuggio, 2022), etj.
Antologjia e Çmimit Akademik Ndërkombëtar për Letërsinë Bashkëkohore “ Licius Annaeus Seneca”, botim i Akademisë së Arteve dhe Shkencave Filozofike, VI, 2022 në Itali.
Antologjia poetike "Atdheun e shoh me zemër"- përgatitur nga Halil Xani, në vitin 2023.
Ka fituar këto çmime letrare:
• Vendi i parë për poezinë më të mirë të lexuar në orën letrare në Manifestimin e shtatë tradicional letrar ”Ora e Tahir Deskut”, në vitin 2015, në Klinë.
• Çmimi Vjetor “Dr.Tafil Kelmendi” i ndarë nga SHKL “Tafil Kelmendi” , në vitin 2017, në Malishevë.
• Vendi i parë në manifestimin letrar “Vjeshta dhe Vargjet”-edicioni i shtatë i organizuar nga Asociacioni i letrarëve dhe artistëve ART CLUB ”Rifat Kukaj”, mbajtur në Prishtinë, në vitit 2021.
• Çmimi "Menzione d'Onore": ("Vëllazërimi mes popujve, dashuria për lirinë dhe mbrojtja e paqes")-Konkursi Ndërkombëtar i Poezisë, i organizuar nga Centro Giovani e Poesia-Triuggio, në vitin 2022, në Itali.
• Çmimi "Menzione d'Onore"- Konkursi Akademik Ndërkombëtar i Letërsisë Bashkëkohore "Seneca" i organizuar nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave Filozofike në Bari të Italisë, në vitin 2022.
• Çmimi "Segnalazione di Merito"-Konkursi Ndërkombëtar i Poezisë " Vargjet e paqes" 2021-edicioni i katërt i organizuar nga Asociacioni Kulturor "RDP Eventi"-Itali, në vitin 2022.
• Medaljoni Poetik “Hava Shala-Qyqalla” për poezinë më të dalluar në Festivalin Tradicional të Poezisë “Malli Poetik i Kosovës”i organizuar nga SHKAL “Naim Frashëri” në Fushë-Kosovë, 2022.
• Çmimi i dytë në Festivalin Mbarëkombëtar të poezisë të organizuar nga Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “ Gjakova” në Gjakovë, në vitin 2022.
•Çmimi “Shkrimtar i Vitit 2022”, i ndarë nga komuna e Malishevës, në vitin 2022.
• Çmimi "Menzione d'Onore"- Konkursi Ndërkombëtar i Poezisë “La Couleur d’un Poème” në Milano të Italisë, mars 2023.
• Çmimi i parë në Sofra Poetike "Ymer Elshani", organizuar nga komuna e Drenasit-Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, prill 2023.
• Çmimi i tretë në konkursin letrar në Manifestimin Tradicional “Ora e Tahir Deskut”- organizuar nga komuna e Klinës, shtator 2023.
• Çmimi Ndërkombëtar për Letërsinë Universale të Pabotuar dhe Poezinë për Gjuhët Zyrtare në Amerikën Latine dhe Karaibe- i ndarë nga Instituti Kulturor Kolumbian, Shtëpia Poetike dhe Pupla, Kolumbi, shtator 2023.
• Çmimi javor i Letërsisë i ndarë nga Organizata Botërore e Lexuesve të Letërsisë, Bangladesh, shtator 2023.
• Është organizator i aksionit të madh për pasurimin me libra të bibliotekave të shkollave të komunës së Malishevës ( ka pasuruar fondin librarë edhe të një shkolle në Deçan, dhe dy shkollave në Prishtinë).
• Gjithashtu, ka ndihmuar edhe në organizimin e aksionit për mbledhjen e librave (ka mbledhur 1024 ekzemplarë) për hapjen e bibliotekës në Manastir të Maqedonisë së Veriut.
Disa nga shkrimet e tij të botuara në portale:
Ka hartuar projekte të ndryshme për aktivitete kulturore-letrare (në nivel vendor e ndërkombëtar), për trashëgiminë kulturore dhe rininë etj.
Është anëtar nderi në Centro Giovani e Poesia në Triuggio të Italisë.
Që nga viti 2004, punon zyrtar për rini në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Malishevë.-
........................................................
AFISHE
Diga e heshtjes
u shemb mbi dyer të oborrit!
Të vdekurit e nëmur
ia ngrehën gjuhën të gjallëve të vdekur!
Mjegull e dendur
qytetit nuk i shihet kokë as bisht!
AFISHE
Lumi ka ndërruar drejtim.
Nga të reshurat e ardhshme
shtëpia e bukur e të varfërit
do të vërshohet.
Bota do ta kuptojë një tjetër mënyrë jetese
kur t'i sheh me sy të lirë
jastëkët e tij të mbushur me kashtë
duke notuar mbi ujë si anije prej druri...
AFISHE
në "kru" të kalit
mes lisash të hijeve pa Zanë
me sytë e mi kam parë njerëz duke pirë ujë
me grushte e tasa t'drurit
si në kohën që s'lidhësha në djep
pa i dëgjuar dhjetë ninulla të moçme
pa e shtrirë kokën në prehër të gjyshës...
AFISHE
Sa herë që bie shi
gropat
janë të pakalueshme.
Përreth objektesh kryelarta
bërlloku ulërin! Ndjek njerëz!
Asgjë!
S'ke kujt t'i flasësh
për qafën e thyer...
AFISHE
Po mungojnë dy bjeshkë kryelarta...
As unë më nuk e di për Zotin
kujt i takojnë fitoret ndër ato male.
Ndonëse
gjaku ndër beteja të ashpra
qe yni
Tonat ishin ato bjeshkë
kur armiku me dorë të vet
kishte nënshkruar kapitullimin...
E tash
Bjeshkët na lanë!
AFISHE
Kokat tona të përdorura...
në kornizë.
Të ripërdoren, e pamundur.
Në fundvjeshtë
nën përcjellje shiu
mbi të
kanë rënë gjethe ngjyrë xhenazeje...
AFISHE
Statujë pa gojë
rindërtuar me baltë të shkelur mirë
rivendosur në ballkon të kafeterisë
kur institucionalistët ranë për të fjetur...
Gjithë natën e lume
qentë e kastruar
se lëshuan nga goja zanorën "U"...
AFISHE
Po.
Vezët e metaforës
kanë çelur fjalë pa gojë.
Kryefjala e humbur
u gjet e vdekur
në dorëshkrimin e poetit.
Poeti u gjet i gjallë tebdil
në strehimoren e metaforave
në askund...
Ç'epokë e pështirë!